Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, kryetari i Grupit Mediatik të Kinës (CMG ) Shen Haixiong, sekretari i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Vladimir Norov dhe drejtuesit e mediave kryesore të vendeve anëtarë të OBSh-së, si Rusia, Kazakistani, Kirgizistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Pakistani dhe India ishin të pranishëm në ceremoninën virtuale të themelimit të “Platformës së shkëmbimit të lajmeve të mediave Kinë-OBSh”.

Në fjalimin e tij, Shen Haixiong-u u shpreh se, që nga shpërthimi i COVID-19, vendet e OBSh-së e kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të luftuar epideminë së bashku, nën drejtimin e “Shpirtit të Shangait”. Grupi Mediatik i Kinës dhe mediat e vendeve të OBSh-së kanë dërguar mbi 100 letra, për të shprehur përshëndetje, për të ndarë informacionin dhe për të nxitur konsensusin. Tani pandemia po përhapet në mbarë botën dhe qarqet e mediave të vendeve të OBSh-së duhet të forcojnë komunikimin e bashkëpunimin, të zbatojnë etikën e përgjegjësinë shoqërore dhe të përhapin shkencën e të vërtetën, jo paragjykimet e thashethemet.

Shen Haixiong-u theksoi se presidenti Xi Jinping ka vënë në dukje se “qytetërimet nuk janë superiore apo inferiore, po ato kanë dallime vetëm në karakteristika”, duke shtuar se duhet të promovohet njohja e ndërsjellë dhe të konsolidohet baza e opinionit publik për zhvillimin afatgjatë të OBSh-së. Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, CMG-ja nxiti nisjen e “Platformës së shkëmbimeve të lajmeve të mediave Kinë-OBSh”. Aktualisht, kjo platformë ka tërhequr vëmendjen dhe ka mbështetje aktive nga 35 media kryesore në vendet e OBSh-së.

Nëpërmjet kësaj platforme, CMG-ja dhe mediat e vendeve anëtarë të OBSh-së do të raportojnë mbi OBSh-në dhe do të transmetojnë lajme të vërteta e objektive, duke luajtur rolin e mediave të përgjegjshme. Grupi Mediatik i Kinës do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunim të nivelit më të lartë me mediat homologe të vendeve anëtarë të OBSh-së mbi ndarjen e përmbajtjeve, prodhimin dhe transmetimin e përbashkët, të drejtat e autorit, studimet teknologjike dhe shkëmbimet njerëzore.

Sekretari i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Vladimir Norov e vlerësoi lart nismën për themelimin e kësaj platforme. Ai vuri në dukje se kjo platformë do të krijojë një mekanizëm të rëndësishëm dhe të nevojshëm për shkëmbimin e lajmeve dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtare, vendeve vëzhguese dhe partnerëve të dialogut të OBSh-së.

Drejtuesit kryesorë të mediave të vendeve anëtare të OBSh-së që morën pjesë në ceremoninë virtuale, u shprehën se OBSh-ja është zhvilluar në një organizatë ndërkombëtare të re me ndikim, dhe bashkëpunimi mediatik ka rëndësi të veçantë për këtë organizatë. Themelimi i “Platformës së shkëmbimit të lajmeve të mediave Kinë-OBSh” do të ndihmojë në promovimin e bashkëpunimit më të ngushtë midis mediave të vendeve të OBSh-së. (Fang Xiaoyu/Artan)