Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha të hënën se ai shpreson që pala evropiane do t'i përmbahet autonomisë strategjike, do të praktikojë multilateralizmin e vërtetë dhe do të promovojë stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve kino-evropiane.

Në bisedën telefonike me homologun e vet italian Luigi Di Maio, Wang shprehu gjithashtu shpresën që Italia të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim.

Përballë sfidave të pashembullta globale, të gjitha vendet duhet të këmbëngulin në bashkëpunimin e jo të nxisin përçarjen, të respektojnë njëri-tjetrin e jo të fillojnë sulmet politike dhe të mbajnë përgjegjësitë e duhura e jo t'i shmangin ato ose ta zhvendosin fajin, theksoi ai.

Lidhur me marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, Wang vuri në dukje se pala kineze është e gatshme të punojë me palën italiane për të rritur komunikimin strategjik dhe për të konsoliduar besimin e ndërsjellë strategjik, duke mënjanuar të gjitha pengesat. Pala kineze është e gatshme të zhvillojë shkëmbime më të ngushta të nivelit të lartë, të lehtësojë shkëmbimet e personelit dhe të promovojë ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" me Italinë, u shpreh Wang.

Ai po ashtu i nxiti të dy palët të forcojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si risitë tekniko-shkencore, hapësira ajrore, energjia e pastër, ekonomia digjitale e tregjet e palëve të treta dhe të bëjnë që bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella të arrijë më shumë rezultate, për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike globale.

Ministri i Jashtëm italian Di Maio, nga ana e tij, tha se lidhjet dypalëshe janë të forta dhe të qëndrueshme, si mes dy vendesh miq. Italia është e gatshme të promovojë ndërtimin e "Një brez, një rrugë" me Kinën dhe të rritë bashkëpunimin në fusha si energjetika, industria dhe tregjet e palëve të treta.

Përballë një situate sfiduese dhe komplekse ndërkombëtare, Italia është e gatshme të bashkëpunojë dhe të komunikojë me Kinën brenda kornizave shumëpalëshe dhe të praktikojë multilateralizmin, gjë që do të sjellë përfitime jo vetëm për të dy popujt, por edhe tërë botën, u shpreh ministri i Jashtëm Di Maio.