Vëllimi i tregtisë së jashtme të Kinës arriti në 1.3 trilionë dollarë në tremujorin e parë të këtij viti, një rritje prej 38.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe rritja e kërkesës nga vendet e tjera çoi në zgjerimin e eksporteve, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës.

Eksportet u rritën me 49 për qind në tremujorin e parë në 709.98 miliardë dollarë, ndërsa importet u rritën me 28 për qind në 593.62 miliardë dollarë.

"Ritmet e rritjes së eksporteve dhe importeve ia kanë kaluar prirjeve të kohës në dekadën e kaluar. ASEAN-i vijon si partneri kryesor tregtar i Kinës, duke tejkaluar BE-në dhe ShBA-në", tha për CGTN-in, kryekonomistja e Bankës “Hang Seng China”, Wang Dan.

"Kjo nënkupton që integrimi rajonal i zinxhirëve të furnizimit aziatik përqendruar rreth Kinës është forcuar. Kjo është një prirje që u përforcua pas pandemisë, e cila gjithashtu u ndihmua nga nënshkrimi i RCEP-it (Marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal)".

Eksportet kineze u rritën falë kërkesës së fortë të jashtme për mallra, ndërsa ekonomia e botës vijon të rimëkëmbet mes përpjekjeve të përshpejtuara të vaksinimit.

"Në ShBA dhe BE, subvencionet qeveritare për konsumatorët kanë mbështetur kërkesën e tyre për mallra konsumi dhe shumica e kësaj kërkese është përkthyer në më shumë eksporte të Kinës. Kjo është arsyeja pse tregtia elektronike ndërkufitare e Kinës ka regjistruar një bum", tha Wang.

Paketa stimuluese e presidentit të ShBA-së Joe Biden prej 1.9 trilionë dollarësh amerikanë do ta shtojë më shumë kërkesën globale, e cila do të shtrihet edhe tek eksportet e Kinës, shtoi ajo.

Tregtia e jashtme e Kinës ka ruajtur rimëkëmbjen dhe ka më shumë faktorë pozitivë, tha Li Kuiwen, një zëdhënës i Administratës së Përgjithshme të Doganave dhe drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Statistikave dhe Analizave.

Sidoqoftë, ndërkohë që pandemia COVID-19 vijon përhapjen në botë duke shkaktuar një gjendje të ndërlikuar dhe të rëndë ekonomike globale, tregtia e jashtme e Kinës ende përballet me shumë faktorë të paqëndrueshëm dhe pasiguri, paralajmëroi Li.

"Ne shpresojmë që tregtia të mbajë vrullin në vitin 2021. Në gjysmën e parë, eksporti ka të ngjarë të dominohet nga mallrat e lidhura me COVID-19, si pajisjet mjekësore dhe nevojat e përditshme, por në gjysmën e dytë, eksporti do të drejtohet nga industri dhe konsumatorët ndërsa ekonomia globale i kthehet normalitetit," shtoi Wang.

(Albana)