Nga 31 marsi deri më 3 prill, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi takime të veçanta në provincën Fujian të Kinës me homologët e tij nga Singapori, Malajzia, Indonezia, Filipinet dhe Koreja e Veriut. Pas përfundimit të takimeve, kryediplomati kinez dha një intervistë për të paraqitur rezultatet e këtyre takimeve.

Duke folur për të ashtuquajturën "diplomaci të vaksinave" të Kinës, Wang Yi vuri në dukje se tani lufta globale kundër pandemisë ka hyrë në një etapë të re e vazhdimi i bashkëpunimit efektiv kundër pandemisë përputhet me interesat e përbashkëta të njerëzimit. Azia Juglindore është rajoni kryesor ku zhvillohet bashkëpunimi lidhur me vaksinat midis Kinës dhe vendeve të tjera. Vaksinat kineze, me sigurinë dhe efektivitetin e tyre, mirëpriten gjerësisht nga vendet e ndryshme të ASEAN-it, çka ka thelluar bashkëpunimin midis Kinës e ASEAN-it, duke forcuar ndjenjat e miqësisë midis popujve të të dy palëve. Gjatë takimeve të kësajhershme, ministri i Jashtëm i një vendi të ASEAN-it u shpreh qartë se Kina nuk zhvillon "diplomacinë e vaksinave", por shfaq përgjegjësinë e një vendi të madh.

Wang Yi theksoi se Kina dhe ASEAN-i duhet të nxitin së bashku shndërrimin e vaksinave në produkt publik e duhet të kundërshtojnë bashkërisht "nacionalizmin e vaksinave", duke bërë përpjekje për të zhdukur "hendekun e imunitetit". Të dy palët do të krijojnë së bashku qendrën rajonale të prodhimit dhe të shpërndarjes së vaksinave, për të dhënë kontribut për sigurinë e jetës dhe shëndetin e banorëve të rajonit, për mposhtjen e pandemisë dhe për krijimin e bashkësisë shëndetësore të njerëzimit. (Foto nga VCG)