Kina u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë shkencën dhe përfundimet e shkencëtarëve, tha të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying, pas lëshimit të një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi origjinën e COVID-19 ku thuhej se është jashtëzakonisht e pamundur që virusi të ketë dalë nga Instituti i Virologjisë në Wuhan.

Sipas OBSh-së, puna mund të kryhej gjithashtu në laboratorët në të gjithë botën nëse nevojitej ose do të ishin në dispozicion dëshmi të tjera, vuri në dukje Hua, duke shtuar se Kina shpreson që vendet e tjera do të bashkëpunojnë me OBSh-në në të njëjtën mënyrë të hapur dhe transparente siç ka bërë Kina.

Kina ka ndarë informacione rreth shpërthimit të COVID-19 me ekspertët e OBSh-së. Të gjitha palët e interesuara kishin qasje në to gjatë kërkimit të përbashkët me kolegët kinezë në Wuhan, tha të mërkurën kreu i ekipit të përbashkët të ekspertëve Kinë-OBSh, Liang Wannian.

Raporti i sapopublikuar i OBSh-së me 120 faqe mbi studimin e përbashkët për gjurmueshmërinë e COVID-19 me Kinën u bazua në fakte dhe është i vlefshëm për studime të ardhshme për këtë sëmundje, shtoi Liang. (Albana)