Misioni i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë hodhi poshtë një deklaratë të së hënës nga ekspertët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara pasi shprehën shqetësime për shkelje të pretenduar të të drejtave të njeriut në rajonin e Kinës, Xinjiang.

Në deklaratën e së hënës, specialistët e OKB-së thanë se punëtorët ujgurë janë punësuar me forcë në industri me aftësi të ulëta dhe punë me intensitet të lartë siç janë mbledhja e pambukut dhe në sektorët e tekstilit dhe të veshjeve dhe u bëri thirrje kompanive ndërkombëtare dhe vendase që "të shqyrtojnë nga afër zinxhirin e tyre të furnizimit".

Grupi i Punës për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, së bashku me disa procedura të tjera të veçanta të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, shtrembëruan me keqdashësi faktet dhe përhapën gënjeshtra të "punës së detyruar" kundër Kinës për paragjykime dhe qëllime politike, deklaroi zëdhënësi i Misionit të Kinës në OKB, Liu Yuyin.

Duke cituar shkallën e automatizimit të industrisë së pambukut në Xinjiang, Liu tha se sektorët e agrobiznesit, tekstilit, veshjeve etj., në rajonin e Xinjiang-ut, të përmendur nga specialistët e OKB-së, janë bërë shumë të automatizuara.

Në vitin 2020, 70 për qind e të gjithë pambukut në rajonin e Xinjiang-ut u korr mekanikisht dhe shkalla e automatizimit të disa ndërmarrjeve vendore të tekstilit ishte mbi 90 për qind, vuri në dukje ai.

Çdo fshat në Kinë ka qasje në rrjetin 4G dhe banorët rurale në të gjithë vendin, përfshirë ata në rajonin e Xinjiang-ut, kanë kohë që i shesin prodhimet e tyre bujqësore në internet, vijoi ai.

"Na mbetet vetëm të pyesim veten, si mund të ekzistojë 'puna e detyruar' në një epokë të tillë të ekonomisë digjitale dhe të zhvillimit të zgjuar?"

Liu tha se deklarata e grupit është e njëanshme dhe politike, dhe ekspertët janë mbledhur për të njollosur Kinën, duke minuar stabilitetin e Kinës dhe duke shpresuar se do prekin zhvillimin e Kinës.

"Grupi i Punës është aktiv në bashkëpunimin me forcat anti-Kinë, duke operuar me dëshirë si ‘zëdhënës’ dhe ‘përforcues’ për ta," tha Liu.

Ai u bëri thirrje ketyre specialistëve dhe anëtarëve të Grupit të Punës të heqin dorë nga përhapjen e gënjeshtrave të palogjikshme.

I dërguari tha se pala kineze mirëpret gjithnjë njerëz të drejtë dhe objektivë nga vende të ndryshme ta vizitojnë Kinën, përfshi rajonin e saj të Xinjiang-ut, por ata që janë të njëanshëm dhe punojnë për të kryer të ashtuquajturin hetim në Kinë "nën prezumimin e fajësisë" nuk janë të mirëpritur. (Albana)