Të dielën, Zyra e Çështjeve të Hong-Kongut dhe Makaos e Këshillit të Shtetit të Kinës shprehu kundërshtimin e vet të fortë ndaj një deklarate të Grupit të 7 Vendeve (G7), që "denigron vendimin e Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) për përmirësimin e sistemit zgjedhor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut," duke e quajtur këtë ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

Në një deklaratë, zëdhënësi i kësaj Zyre theksoi se vendimi i AKP-së mbi përmirësimin e sistemit zgjedhor të Hong-Kongut është, pikësëpari, punë e brendshme e Kinës në të cilën asnjë vend i huaj nuk duhet të ndërhyjë. Përveç kësaj, kjo lëvizje ishte e domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të Hong-Kongut.

Zëdhënësi theksoi se parimi i "qeverisjes së Hong-Kongut nga patriotët" është i nevojshëm për zbatimin e parimit "Një vend, dy sisteme", si edhe zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të demokracisë në këtë rajon.

Sipas tij, aktivitetet e paligjshme të kaluara për "pavarësinë e Hong-Kongut" nga forcat e errëta u mbështetën nga disa vende perëndimore.

Zëdhënësi vuri në dukje se disa vende perëndimore po vazhdojnë të ndërhyjnë në çështjet e Hong-Kongut në emër të "lirisë dhe demokracisë", pavarësisht nga fakti që situata në këtë rajon po përmirësohet, duke shtuar se "intriga politike" e tyre është e dukshme.

Çdo akt i hegjemonisë do të dështojë, vuri në dukje zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Hong-Kongut dhe Makaos të Këshillit të Shtetit të Kinës. (Xu Guang)