Një video e shkurtër, por frymëzuese, u shfaq të premten në sesionin e 46-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Në video kallëzohet historia e një gruaje që ka ndihmuar mbi 200 familje të varfra të dalin nga varfëria nëpërmjet zhvillimit të qëndistarisë tradicionale në provincën Qinghai të Kinës Veriperëndimore.

“Kjo histori është jo vetëm një simbol i çështjes së zbutjes së varfërisë në Kinë, por edhe një demonstrim i gjallë i përpjekjeve të Kinës në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të pakicave kombëtare dhe të grave,” tha Su Guoxia, drejtorja e Departamentit të Punëve të Përgjithshme të Administratës Kombëtare të Ringjalljes Rurale të Kinës.

Në fjalimin e saj të mbajtur në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Su theksoi se qeveria kineze ndjek parimin e vendosjes së popullit në qendër të punës dhe i ka vënë në plan të parë të drejtat e ekzistencës dhe të zhvillimit të njerëzve gjatë mbrojtjes dhe nxitjes së të drejtave të njeriut nëpërmjet lehtësimit të varfërisë.

Sipas zyrtares, brenda vitit 2020 Kina realizoi në kohë objektivin e zbutjes së varfërisë, duke shkëputur të gjithë popullsinë e varfër rurale nga varfëria sipas standardit të tanishëm dhe duke zhdukur varfërinë absolute dhe varfërinë rajonale.
“Të gjitha këto i kanë shtuar shumë popullit kinez ndjenjat e vetëpërmbushjes, të lumturisë dhe të sigurisë, duke u dhënë një kontribut të ri procesit të zbutjes së varfërisë në botë dhe nxitjes së çështjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,” tha Su.
Ajo shtoi se, gjatë këtij procesi, Kina ka synuar zhvillimin gjithëpërfshirës dhe ka mbrojtur të drejtat e shtresave më të paprivilegjuara, si gratë, fëmijët, të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe banorët e pakicave kombëtare.

“Të varfrit nga këto grupe të veçanta janë objektivat kryesorë të ndihmës. Kemi zbatuar plane të posaçme dhe kemi bërë përpjekje për t’i shkëputur nga varfëria,” tha zyrtarja kineze.

“Ne i inkurajojmë zonat ku janë të përqendruara pakicat kombëtare të shfrytëzojnë plotësisht epërsitë e tyre në burime natyrore, që të zhvillojnë blegtorinë e akuakulturën dhe të promovojnë industrinë kulturore dhe turistike, për të gjetur mënyra të reja për shtimin e të ardhurave dhe për nxitjen e trashëgimit e të mbrojtjes së kulturave të kombësive,” shtoi ajo.
“Dje (të enjten) qeveria kineze zhvilloi një konferencë kombëtare për shpalljen solemne të fitores në luftën kundër varfërisë, që do të thotë se Kina, vendi më i madh në zhvillim me 1.4 miliard banorë, kreu një arritje historike në zhdukjen e varfërisë absolute, ” vuri në dukje drejtorja e Departamentit të Punëve të Përgjithshme të Administratës Kombëtare të Ringjalljes Rurale të Kinës Su Guoxia. (Wang Lei/ Artani)