Kina do të ofrojë falas vaksinat kundër COVID-19 për të gjithë shtetasit e saj, tha në një konferencë për shtyp zv/drejtori i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, Zeng Yixin.

“Kina do të vaksinojë të gjithë popullsinë e përshtatshme brenda mundësive dhe do të krijojë gradualisht një ‘gardh’ imuniteti në mbarë popullsinë për kontrollin e epidemisë,” tha Zeng-u. Ai shtoi se duhet të realizohet një shkallë vaksinimi prej 60 deri 70 për qind që të arrihet mbrojtja e përgjithshme.

“Me t’u zhvilluar dhe futur në përdorim vaksinat kineze kundër COVID-19, Kina do të mbajë premtimet e saj për bërjen e vaksinave produkte publike globale dhe do t’i ofrojë botës me një çmim të arsyeshëm,” tha Shen Bo, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në një konferencë për shtyp.

Shen vuri në dukje se Kina u ka kushtuar rëndësi të madhe aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë së vaksinave nga vendet në zhvillim. Kina ka menduar për dhënien e vaksinave për vendet në zhvillim në mënyrë të ndryshme, përfshirë dhurim dhe ndihmë falas.

“Kina gjithashtu i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të punojnë bashkërisht për shpërndarjen e barabartë të vaksinave në botë dhe të përpiqen t’i bëjnë vaksinat produkte publike në mënyrë që popujt e të gjitha vendeve të kenë mundësi t’i përdorin dhe t’i përballojnë,” tha Shen-i. (Wang Lei/Albana)