ushtar australian në Afganistan

ushtar australian në Afganistan

Kina e këshilloi Australinë të njohë krimet e bëra nga ushtarët e saj në Afganistan, të ndëshkojë përgjegjësit dhe të vendosë drejtësi për viktimat.

Në një deklaratë të publikuar të martën, ambasada kineze në Australi u shpreh se zemërimi dhe zhurma e disa politikanëve dhe mediave australiane janë vetëm një keqinterpretim dhe reagim i tepruar ndaj një postimi të zëdhënësit të diplomacisë kineze Zhao Lijian në llogarinë e tij në "Twitter".

Pak kohë më parë, Zhao shkroi në "Twitter" se ishte i tronditur, duke postur një pikturë, ku paraqitej një ushtar i forcave speciale duke vënë një thikë mbi grykën e një fëmije afgan, koka e të cilit ishte mbuluar me flamur kombëtar të Australisë dhe që mbante një qengj në duar.

Deklarata e ambasadës kineze u bë pasi sekretari i Departamentit të Punëve të Jashtme e të Tregtisë të Australisë i paraqiti një ankesë ambasadës nëpërmjet një telefonate kundër postimit të Zhao-s në "Twitter".

Zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying iu përgjigj një pyetjeje lidhur me këtë çështje edhe në një konferencë shtypi të martën, duke u shprehur se Kanbera po e turbullon fokusin.

Hua theksoi se edhe autori i pikturës ishte përgjigjur, duke thënë se "çfarë keni bërë ju (pala australiane) është shumë më brutale se piktura ime".

Postimi i Zhao-s në Twitter

Postimi i Zhao-s në Twitter

Në një konferencë shtypi, zëdhënësja gjithashtu paraqiti disa raporte të printuara nga Departamenti i Mbrojtjes i Australisë, që vërtetojnë vrasjet e paligjshme të forcave speciale në Afganistan.

"Prandaj, dua të di pse disa nga pala australiane janë kaq të befasuar. Besoj se Australia po e zhvendos fokusin për veprimet e saj brutale te presioni mbi Kinën", shtoi znj. Hua.

Sipas saj, ky incident tregon një mendësi afatgjatë arrogante, të tipit "Bëni si them unë, po mos bëni si bëj unë", çka tregon se qëllimi i disa vendeve është t'i heqin Kinës të drejtën e fjalës për çështjet botërore.

Zëdhënësja i nxiti palët përkatëse të tregohen gjakftohta dhe të ndërtojnë një marrëdhënie të shëndetshme me Kinën, për interesat afatgjatë të të gjitha palëve.(Zhang Yan/Artan)