Prodhuesi amerikan i automjeteve “Tesla” nisi eksportimin e kontigjentit të parë të automjeteve drejt Europës të modelit të prodhuar në Kinë. Grupi i parë prej 7000 automjetesh u nis të martën në rrugë detare nga Shangai.

Automjetet e prodhuara nga fabrika e Tesla-s në Shangai pritet të mbërrijnë në portin e Zeebrugge në Belgjikë në fund të nëntorit, përpara se të shiten në vendet evropiane duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Spanjën, Portugalinë dhe Zvicrën.

Tesla nxorri grupin e parë të automjeteve të prodhuara në Kinë Modeli 3 në fillim të këtij viti.

"Pavarësisht ndikimit të COVID-19, ndërtimi dhe funksionimi i fabrikës pati përparim të shpejtë me mbështetjen dhe ndihmën e qeverive në të gjitha nivelet dhe partnerët", tha Tom Zhu, nënkryetar i Tesla Global dhe president i Tesla Greater China.

Eksportimi në Europë i automjeteve të prodhuara në Kinë është një moment historik në zhvillimin e fabrikës Tesla Shanghai, duke i dëshmuar botës shpejtësinë e Kinës në ndërtim, si dhe cilësinë e produkteve të prodhuara në Kinë, tha Zhu.

Tesla do të përmirësojë vazhdimisht prodhimin e saj, shitjet, shërbimin pas shitjes dhe infrastrukturën në vend duke respektuar angazhimin e saj për investime në Kinë, tha Zhu.

Tesla hapi në fillim të vitit 2019 fabrikën e saj të Shangait në zonën Lingang, një pjesë e re e Zonës Pilot të Tregtisë së Lirë në Shangai. (Albana)