Popullsia e Pekinit në moshën 60 vjeç e sipër arriti në 3.71 milionë në fund të vitit 2019, duke përbërë 17.2 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë së qytetit. Ndër ta, numri i grave është pesë pikë përqindjeje më i lartë se i burrave, sipas një raporti i publikuar të dielën nga Bashkia e Pekinit.

Në raport vihet në dukje se Pekini po shkon me shpejtësi drejt një "shoqërie të plakur", për shkak të popullsisë së madhe të të moshuarve dhe rritjes së shpejtë të numrit të tyre. Në vitin 2015, në qytet kishte 3.4 milionë veta në moshën 60 vjeç e sipër, që përbënin 15.7 për qind të popullsisë së përgjithshme, por numri i tyre u rrit me 308000 në vetëm katër vjet. Jetëgjatësia mesatare e parashikuar e banorëve të Pekinit në 2019-n ishte 82.31 vjet .

Ndër të moshuarit 60 vjeç e sipër, burrat përbëjnë 47 për qind, ndërsa gratë 52 për qind.

Raporti vë në dukje se presioni i njerëzve në moshë pune për t'u kujdesur për të moshuarit është intensifikuar. Përqindja e varësisë (raporti i të moshuarve ndaj të rinjve) është rritur në 44.3 për qind, që do të thotë se mesatarisht 2.3 veta në moshë për punë duhet të kujdesen për një të moshuar në qytet.

Ekspertët parashikojnë që Kina do të hyjë në fazën e "shoqërisë së plakur" në vitin 2022.

Popullsia e Kinës po plaket më shpejt se pothuajse çdo vend tjetër në historinë moderne. Francës dhe Suedisë, vendet e zhvilluara që hynë të parat në fazën e shoqërisë së plakur, iu deshën për këtë përkatësisht 115 vjet dhe 85 vjet, ndërsa Kinës vetëm 22 vjet për të kaluar nga një "shoqëri në plakje" në një "shoqëri të plakur" .(Zhan Dian/Artan Goga)