Presidenti i Kinës Xi Jinping e vuri theksin te këmbëngulja dhe vendosmëria e kombit për të fituar betejën kundër varfërisë.

Komitetet e Partisë dhe qeveritë në të gjitha nivelet duhet të ruajnë prirjen e luftës ndaj varfërisë dhe të mos ndalen kurrë derisa të arrijnë një fitore të plotë, theksoi Xi në një direktivë të lëshuar me rastin e Ditës së shtatë Kombëtare të Lehtësimit të Varfërisë, që bie më 17 tetor.


Viti 2020 është faza e fundit e përpjekjeve të Kinës për ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet dhe për të fituar betejën kundër varfërisë, vuri në dukje presidenti kinez.

Foto: Korrja e elbit të malit në fshatin Kangsar të Rajonit Autonom të Xizang-ut (Tibet) në jugperëndim të Kinës, 19 shtator 2020. / Xinhua


Pavarësisht nga sfidat e dyfishta të COVID-19 dhe të përmbytjeve, Kina mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të fitores kundër varfërisë këtë vit, tha presidenti Xi.

Duke përshkruar arritjet e vendit për zbutjen e varfërisë si "vendimtare", Xi u kërkoi të gjitha palëve të arrijnë qëllimet e synuara siç janë planifikuar në fazën finale të betejës së ashpër.

Ai vuri në dukje se të gjitha rajonet dhe sektorët duhet të grumbullojnë përvojën e tyre në çrrënjosjen e varfërisë dhe të shfrytëzojnë plotësisht përparësinë institucionale.


"Ne duhet të vazhdojmë të nxitim zbutjen e varfërisë si edhe ringjalljen rurale me të gjitha forcat," tha presidenti Xi, duke shtuar se vendi duhet të mbajë të qëndrueshme politikat e zbutjes së varfërisë.


Duke theksuar masat e shumta për të forcuar arritjet, presidenti Xi bëri thirrje për rritjen e aftësisë së zhvillimit të popullsisë me të ardhura të ulëta në zonat e pazhvilluara dhe rurale, për nxitjen e popullsisë së aftë me të ardhura të ulëta që të arrijnë begatinë nëpërmjet punës së palodhur dhe për nxitjen e realizimit shkallëzor të mbrothësisë së përbashkët. (Wang Lei/ Albana)