Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kinës Wang Yi foli në një intervistë të enjten lidhur me pjesëmarrjen e presidentit kinez Xi Jinping në një varg mbedhjesh të nivelit të lartë për 75-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara.

Wang Yi tha se fjalimet e rëndësishme të mbajtura nga presidenti Xi iu përgjigjën në mënyrë të gjithanshme dhe sistematike pyetjeve kryesore se me çfarë bote do të përballet njerëzimi dhe çfarë roli do të luajë Kina në botë në epokën pasepidemike. Presidenti Xi vuri në dukje se Kina është e vendosur për të ndjekur multilateralizmin dhe për të mbrojtur autoritetin e OKB-së, do të ndjekë me vendosmëri rrugën e zhvillimit paqësor e të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella dhe do të promovojë ndërtimin e një bashkësie fatesh të përbashkëta të njerëzimit. Fjalimet e presidentit Xi Jinping në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së i kanë dhënë një impuls të ri bashkëpunimit antiepidemik global, kanë konsoliduar konsensusin e ri për reformën e sistemit të qeverisjes globale, kanë ofruar zgjidhje të reja për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike globale, kanë vendosur një pikë të re referimi për ndërtimin e civilizimit ekologjik global, kanë dhënë ndihmesë të re në kauzën globale të vajzave e grave dhe kanë treguar përgjegjësinë e re të Kinës për mbështetjen e rolit kryesor të Kombeve të Bashkuara.

Wang Yi tha se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të këtij viti, presidenti Xi Jinping njoftoi një sërë nismash dhe masash të reja, duke përfshirë ofrimin e 50 milionë dollarëve për mbështetjen e Planit të Përgjigjes Humanitare Globale ndaj COVID-19 të OKB-së dhe krijimin e Fondit të Mirëbesimit të Bashkëpunimit Jug-Jug të fazës së tretë me Organizatën e Ushqimit dhe të Bujqësisë prej 50 milionë dollarësh. Presidenti Xi njoftoi edhe zgjatjen për pesë vjet të financimit të Fondit për Paqen dhe Zhvillimin Kinë-OKB, që i mbaron afati në vitin 2025, si edhe ofrimin e një dhurimi prej 10 milionë dollarësh për Agjencinë e Grave të OKB-së në pesë vjetët e ardhshëm, krijimin e Qendrës Globale të Njohurive dhe Risive Gjeohapësinore të OKB-së dhe të Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare të të Dhënave të Mëdha për Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm etj. Këto janë masa dhe iniciativa të Kinës për të promovuar paqen e zhvillimin ndërkombëtar dhe veprime konkrete të saj për të mbështetur multilateralizmin.(Zhan Dian/Artan Goga)