Tregjet ushqimore në Kinë kanë pasur rritje të shitjeve, ndërsa sot nisin pushimet tetëditore të Festës së Mesvjeshtës dhe Ditës Kombëtare.

Shitjet ditore të produkteve bujqësore në tregun "Dancun" të qytetit Nanning kanë arritur mbi 80 tonë, krahasuar me vetëm dy deri në tre tonë në shkurt dhe mars, kur vendi u godit nga COVID-19.

Menaxheri i shërbimit ndaj klientit në Qendrën Ndërkombëtare të Logjistikës së Produkteve Bujqësore "Haijixing" të këtij qyteti Wang Chunming thotë se shitjet e frutave janë rritur gjatë javëve të fundit:

"Zakonisht, sasia e frutave të shitura në treg çdo ditë është rreth 2 800 deri 3 000 tonë, por tani shiten në ditë afro 5 000 tonë."

Në një supermarket në Huzhou një larmi produktesh, si drithërat, vaji dhe ushqimet jokryesore, janë paketuar në pjesë më të vogla. Një klient shprehet:

"Ne blejmë ushqime në pjesë më të vogla, në mënyrë që të mos kemi nevojë t'i blejmë derisa të mbarojnë, duke shmangur kështu shpërdorimin e ushqimit."

Në Jiangxi ka filluar një fushatë njëmujore që përfshin ndër të tjera veprimtari për promovimin e konsumit e subvencione për blerje.

Në kryeqendrën e kësaj province, Nanchang, do të organizohen një sërë veprimtarish që kanë në fokus automjetet, udhëtimet e biznesit dhe shërbimet e ofrimit të ushqimit, teksa do të ketë gjithashtu një festë shitjesh me mbi 200 marka që ofrojnë ulje.

Mbi 130 veprimtari do të zhvillohen në provincë gjatë kësaj fushate promovuese, ku do të marrin pjesë më shumë se 1 900 kompani.

Gjithashtu po promovohen shitjet e "kekëve të hënës", ushqimi tradicional i Festës së Mesvjeshtës.

Kutitë e "kekëve të hënës" për dhuratë, që shiten me një çmim 100 deri në 200 juanë (afro 15 - 30 dollarë amerikanë) janë shumë të kërkuara.

Disa prodhues po tregtojnë "kekë hëne" me shije të reja për të tërhequr klientët.

Festa e Mesvjeshtës sivjet përkon me Ditën Kombëtare, 1 Tetorin, duke e zgjatur periudhën e festave në tetë ditë.