Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi përdorim më të mirë të internetit për të mbledhur pikëpamjet e njerëzve dhe mençurinë e tyre kolektive.

Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak dha udhëzimin kohët e fundit mbi punën e mbledhjes së pikëpamjeve dhe sugjerimeve të publikut në internet për formulimin e Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës për zhvillimin ekonomiko-shoqëror.

Kjo është hera e parë që Kina përdor internetin për të mbledhur pikëpamje dhe sugjerime publike për formulimin e planeve pesëvjeçare të vendit, theksoi presidenti Xi.

Ai vlerësoi lart qasjen e re, duke thënë se opinionet dhe sugjerimet e mbledhura publike kanë shprehur plotësisht dëshirën e njerëzve për jetë më të bukur.

"Qëllimi ynë është të realizohen dëshirat e njerëzve për një jetë më të mirë," shtoi presidenti Xi.

Qeveria kineze kërkoi opinionet, idetë dhe sugjerimet e publikut në internet në periudhën 16-29 gusht. Përdoruesit e internetit mund të kontribuuojnë me mençurinë e tyre në një zonë të veçantë në uebsajtin zyrtar të gazetës "People Daily", të Agjencisë së Lajmeve “Xinhua” dhe të CMG-së. Përmes kësaj qasjeje të re janë grumbulluar mbi 1 milion sugjerime. (Çang Çuo/Albana)