Sonda kineze"Tianwen-1", ka kryer rregullimin e dytë të trajektores të dielën për eksplorimin e saj në "planetin e kuq", njoftoi Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA).

Sonda përfundoi rregullimin e saj orbital në orën 11:00 me kohën e Pekinit, pasi katër nga motorët e saj 120N punuan për 20 sekonda. Performanca e motorëve 120N u testua gjithashtu gjatë kësaj kohe.

Deri tani, sonda ka qendruar në orbitë për 60 ditë dhe ka udhëtuar rreth 160 milionë kilometra, me të gjitha sistemet e saj në gjendje të përsosur. Tani ajo është rreth 19 milionë kilometra larg Tokës.

Meqenëse “Tianwen-1” bëri një lëshim shumë të saktë dhe rregullimin e parë në mes të kursit, rregullimi i dytë ishte i moderuar, sipas CNSA-së.

Po ashtu, sonda pritet të kryejë një manovër të thellë hapësinore në tetor. Krahasuar me rregullimin e orbitës, manovra e hapësirës së thellë është një veprim më i madh kontrolli, që do të rregullojë pjerrësinë dhe madhësinë e orbitës.

Duke pasur parasysh largësinë e tanishme të sondës nga Toka, komunikimi në një drejtim vonohet me rreth një minutë. Sonda do të vazhdojë të udhëtojë larg Tokës me një shpejtësi prej rreth 300 mijë kilometrash në ditë, gjë që sjell më shumë sfida në komunikim. (Albana)