Pandemia COVID-19 ka pezulluar shumë ngjarje sportive në botë këtë vit, por përgatitjet e Kinës për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 janë në rrugën e duhur pa pësuar ndonjë vonesë të madhe. Ndërkohë nga Olimpiada “Pekin 2022” na ndajnë edhe 500 ditë.

"Përparimi në Lojërat Olimpike është njësoj si drejtimi i një maratonë. Tani jemi në më shumë se gjysmën e rrugës sonë, por përballemi me një betejë të vështirë përpara," tha në një intervistë nënkryetari dhe sekretari i përgjithshëm i Olimpiadës Dimërore të Pekinit 2022 Han Zirong.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Komitetin Paraolimpik Ndërkombëtar (IPC) dhe pjesëmarrës të tjerë për të trajtuar si duhet sfidat dhe për të garantuar përparimin e punës sonë përgatitore në mënyrë të qëndrueshme."

Gjatë muajit të kaluar, zyrtarët e lartë të KON-it , përfshirë presidentin Thomas Bach, kanë vlerësuar përparimin e bërë nga organizatorët kinezë.

"Ne dëgjuam një raport teknik mjaft inkurajues nga Komisioni i Koordinimit i cili na informoi se përgatitjet teknike janë në rrugën e duhur dhe po shkojnë shumë mirë," tha Bach pas një takimi ekzekutiv të bordit të KON-it.

Lojërat Olimpike Dimërore 2022 do të zhvillohen nga 4 deri në 20 shkurt 2022. Garat do të organizohen në tre grupe kryesore - qendra e Pekinit, qarku veriperëndimor Yanqing dhe Zhangjiakou në provincën fqinje Hebei.

Pas një pushimi të shkurtër gjatë Festës së Pranverës, organizatorët e Pekinit 2022 rifilluan punën e ndërtimit të vendit të garave nën masa të rrepta të parandalimit të koronavirusit prej muajti shkurt, duke hedhur një themel të fortë për të gjitha ambjentet e garave 2022, si për ato të sapondërtuara ashtu edhe për ato të rinovuara.

Një tjetër moment i rëndësishëm është përfundimi i një qendre të re të trajnimit të sporteve në akull, të quajtur "Kavanozi i Akullit", më 27 maj. Atje do të ketë një ambjent trajnimi për patinazh me pistë të shkurtër dhe patinazh artistik.

“Pekini 2022” do të përdorë gjithashtu tetë vende ekzistuese dhe dy të përkohshme. Përdorimi i ambjenteve ekzistuese - përveç "Folesë së Zogut" do t’i nënshtrohet një procesi rinovimi dhe do të ndihmojë në pakësimin e kostove të ndërtimit si dhe do të kontribuuojë në trashëgiminë e qëndrueshme të Lojërave Olimpike. (Albana)