Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha më 14 shtator në Pekin se gjatë vizitës në Rusi, këshilltari i Shtetit njëherësh ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov kanë shkëmbyer thellësisht mendime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje me interes të përbashkët rajonal dhe ndërkombëtar, duke arritur një sërë dakordësish të rëndësishme.

Disa ditë më parë, Wang Yi u ftua nga pala ruse për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Vendeve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe për një vizitë zyrtare në Rusi. Wang Wenbin vuri në dukje se dy palët publikuan një deklaratë të përbashkët nga kryediplomatët e dy vendeve, ku sqarohej qëndrimi i përbashkët i Kinës dhe Rusisë mbi sfidat botërore. Kjo lëshoi një sinjal të fortë për Kinën dhe Rusinë për të mbështetur shumëpalësinë, mbrojtur autoritetin e ligjit ndërkombëtar si dhe bazat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare

Wang tha se aktualisht, pandemia COVID-19 e ka çuar botën në një ngërç që nuk është parë në një shekull dhe komuniteti ndërkombëtar po përjeton testin historik mes bashkëpunimit dhe konfrontimit, mes shumëpalësisë dhe unilaterizmit. Kina dhe Rusia e kanë mbështetur gjithmonë fort njëra-tjetrën në skenën ndërkombëtare, duke mbrojtur bashkërisht rolin thelbësor të OKB-së, me synim mbrojtjen e multilateralizmit dhe të drejtësisë ndërkombëtare. Kjo ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e ekuilibrit dhe stabilitetit strategjik ndërkombëtar dhe për rezistimin ndaj unilateralizmit dhe hegjemonizmit.

“Kina dhe Rusia do të ruajnë, forcojnë dhe zhvillojnë mirë marrëdhëniet dypalëshe, do të thellojnë pandërprerë besimin reciprok në politikë dhe bashkërendim strategjik, do të hartojnë mirë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, do të bëhen mbështetës për bashkëpunim anti-epidemik, do të bëhen shembull i bashkekzistencës harmonike mes fuqive të mëdha, udhëheqës të teknologjive moderne dhe mbrojtës të barazisë dhe drejtësisë ndërkombëtare,” tha Wang Wenbin.

Gjatë vizitës në Rusi të ministrit Wang Yi, pala ruse mirëpriti propozimet e Kinës mbi sigurinë botërore të të dhënave. Wang Wenbin bëri të ditur që Rusia ka vlerësuar pozitivisht propozimet e Kinës mbi sigurinë e të dhënave, duke mirëpritur që Kina të përpiqet për shtimin e sigurisë globale në këtë drejtim.

“Të dyja palët kërkojnë një rregull botëror mbi sigurinë e të dhënave që pasqyron dëshirat e të gjitha vendeve dhe respekton interesat e të gjitha palëve mbi bazën e pjesëmarrjes së gjerë të palëve. Të dyja palët mbështesin OKB-në të luajë një rol kryesor në përgjigjen ndaj kërcënimeve në fushën e sigurisë ndërkombëtare të informacionit dhe ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin brenda kornizave multilaterale ndërkombëtare dhe rajonale të tilla si OKB, BRICS, Organizata e Bashkëpunimit Shanghai dhe forum rajonal i ASEAN-it. Të dyja palët kundërshtojnë që vendet të shfrytëzojnë pretekstin e ruajtjes së sigurisë kombëtare për të shtypur vendet e tjera, përhapjen e informacionit të rremë dhe i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të krijojnë bashkë një mjedis të hapur, të drejtë dhe jodiskriminues për zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së informacionit, dhe për të krijuar një hapësirë kibernetike me paqe, siguri, hapje dhe bashkëpunim,” tha Wang Wenbin.