Veprimtari të ndryshme kanë filluar në qytetet e Kinës Lindore dhe Jugore për të nxitur të ashtuquajturën "ekonomi të natës" dhe shpenzimet e brendshme, ndërsa vendi po mëkëmbet nga pasojat e COVID-19.

Në Huzhou të provincës Zhejiang ka nisur një festival kulturor-turistik në një rrugë të lashtë, pjesë e të cilit është edhe një panair nate.

Banorët vendorë mund të hanë ushqime të shijshme dhe të shohin filma e shfaqje duke shëtitur në rrugë.

Një prej tyre shprehet: "Bleva disa shalle mëndafshi për nënën. Kjo rrugë është shumë e përshtatshme për tregti dhe mund të tërheqë më shumë vizitorë. Gjithashtu në verë neve na pëlqen të shëtisim në këtë rrugë."

Kurse një tjetër tha: "Unë jetoj këtu pranë dhe më tërhoqën zërat. Ky lloj panairi nate mund të na ndihmojë të pasurojmë jetën tonë të natës, dhe kjo është vërtet gjë e mirë."

Edhe Guangzhou gjithashtu filloi një raund të ri veprimtarish për festivalin e vet të biznesit të natës.

Turistët gëzojnë ulje çmimi nëpërmjet promovimeve të ndryshme në distriktet kryesore tregtare gjatë natës.

Drejtori i Zyrës së Biznesit të Veçantë pranë Drejtorisë së Tregtisë së Guangzhou-t Li Guowen shprehet:

"Me festivalin e konsumit gjatë natës, të gjitha distriktet tregtare do të përfitojnë nga karakteristikat e tyre të veçanta për të tërhequr klientët dhe për të nxitur zhvillimin e ekonomisë së Guangzhou-t."

Statistikat tregojnë se "ekonomia e natës" në Guangzhou ka pasur një rritje të madhe që nga hapja e festivalit në mes të qershorit, me shtimin e numrit të porosive të bëra gjatë natës gati 20 për qind në muajin korrik.(Zhan Dian/Artan Goga)