Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga Drejtoria e Përgjithshme Doganore të Kinës, në korrik të këtij viti importi dhe eksporti i Kinës patën rritje dhe u realizua rritja e tyre me partnerët kryesorë tregtarë.

Sipas të dhënave, nga janari deri në korrik të këtij viti, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave të Kinës ishte 17.16 trilion juanë, 1.7 % më pak se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, por me një ritëm rënieje 1.5 pikë përqindjeje më pak në krahasim me gjysmën e parë të vitit. Në korrik, tregtia e jashtme e Kinës arriti një vlerë prej 2.93 trilionë juanësh, një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e eksporteve ishte 1.69 trilion juanë dhe e importeve 1.24 trilion juanë, me një rritje përkatësisht prej 10.4 % e 1.6 %.

Drejtori i Zyrës së Analizave Statistikore në Drejtorinë e Përgjithshme Doganore të Kinës Li Kuiwen tha:

"Në korrik, vlera e importit dhe eksportit të kompanive me investime të huaja ishte 1.1 trilion juanë, duke u rritur 1.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe për herë të parë, si importet, ashtu edhe eksportet arritën një rritje pozitive gjatë këtij viti. Të gjitha këto tregojnë se po vijojnë të shfaqen efektet e politikave të Kinës për të stimuluar gjallërinë e subjekteve të tregut. Kompanitë jo vetëm që gjejnë mundësi të reja gjatë krizës, por edhe arrijnë zhvillim më të madh."