Mediat gjermane cituan të marten dokumente të brendshme të "Deutsche Telecom"-it, sipas të cilave kjo kompani po forcon bashkëpunimin me gjigantin kinez të teknologjisë së telekomunikacionit "Huawei". "Deutsche Telecom"-i operon në më shumë se 10 tregje evropiane, shumë prej të cilave përdorin pajisje të ofruara nga “Huawei”. Sidomos në rrjetin 5G, shërbimet e informatikës cloud, televizion etj., pajisjet e "Deutsche Telecom"-it janë të furnizuara nga "Huawei".
 
Por "Deutsche Telecom"-i e mohoi se ka ndonjë varësi të veçantë nga "Huawei", duke thënë se produktet e "Huawei"-t përbënin vetëm 25 % të të gjitha shërbimeve të saj teknike në Evropë. Raporti gjithashtu thekson se "Deutsche Telecom"-i i kërkoi "Huawei"-t që t'i sigurojë epërsi teknologjike ndaj konkurrentëve të vet në Gjermani, me qëllim që të ketë një pozitë udhëheqëse në zhvillimin e rrjetit 5G.
 
Qeveria federale gjermane u shpreh muajin e kaluar se nuk do të vendosë për rregullat mbi instalimin e përbërësve për ndërtimin e rrjetit 5G në Gjermani të paktën deri në shtator. Por "Deutsche Telecom"-i e kundërshtoi një ndalim gjithëpërfshirës të furnizuesve të huaj të pajisjeve të rrjetit të telekomunikimit, duke thënë se kjo do të ulte elasticitetin e saj.
 
Më parë, kompania kishte pranuar se, nëse qeveria federale kundërshtonte përdorimin e teknologjisë celulare kineze, "Deutsche Telecom"-i do të humbiste të paktën 3 miliardë euro. Ekspertët e industrisë janë gjithashtu të shqetësuar se, pa pjesëmarrjen e "Huawei"-t, ndërtimi i rrjetit 5G në Gjermani do të zgjasë më shumë dhe do të kushtojë më shumë.(Zhan Dian/Artan Goga)