Foto nga VCG

Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rritën 2.5 për qind në gusht në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, shumë më poshtë pritshmërive të tregut, ndërsa prodhimi industrial me vlerë të shtuar u rrit 5.3 për qind. Të dyja shifrat tregojnë ngadalësim në krahasim me korrikun, për shkak të shpërthimeve të reja të COVID-19, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën.

Zyra Kombëtare e Statistikave bën të ditur se shitjet me pakicë regjistruan rritjen më të ngadaltë që nga gushti 2020, me një rënie të ndjeshme nga 8.5 për qind në korrik, duke e çuar rritjen mesatare dyvjeçare në 1.5 për qind. Shifra e gushtit ishte shumë poshtë parashikimit të një rritjeje prej 7 për qind nga “Reuters” dhe “Bloomberg”.

Të ardhurat e sektorit të hoteleri-turizmit njohën një rënie 4.5 për qind në gusht në krahasim me një vit më parë, përkundër rritjes prej 14.3 për qind të shitjeve në korrik.

Rritja e prodhimit industrial në gusht u ul nga 6.4 për qind në korrik dhe pati një rritje mesatare dyvjeçare prej 5.4 për qind. Parashikimi nga “Reuters” dhe “Bloomberg” ishte për një rritje prej 5.8 për qind.

Sidoqoftë, prodhimi i teknologjisë së lartë u rrit me 18.3 për qind, 2.7 pikë përqindjeje më shumë se në korrik. Prodhimi i automjeteve me energji të reja, i robotëve industrialë dhe i qarqeve të integruara u shtua përkatësisht me 151.9, 57.4 dhe 39.4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Investimet në asetet fikse, një matës i shpenzimeve në fusha si infrastruktura, pronat, makineritë dhe pajisjet, u rrit 8.9 për qind në tetë muajt e parë. Parashikimi i “Reuters”-it ishte 9 për qind, ndërsa në periudhën janar-korrik rritja kapi vlerën prej 10.3 për qind.

Shkalla e papunësisë së anketuar në gusht mbeti e pandryshuar nga korriku, duke qenë 5.1 %. Kina ka vendosur një objektiv prej 5.5 për qind të papunësisë për mbarë vitin.