Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i janë rikthyer bisedimeve për ndërtimin e lidhjes hekurudhore midis dy vendeve. Zv/Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Artan Shkreli, ka zhvilluar një takim me homologun e tij në Maqedoninë e Veriut, Bekim Rexhepi.

Të pranishëm ishin edhe drejtuesit e sektorit hekurudhor të të dy vendeve ku diskutuan për lidhjen hekurudhore ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes ndërtimit të pjesës Perëndimore të Korridorit 8.

“Në këtë takim palët shprehën gatishmërinë e tyre për një lidhje hekurudhore mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë si një projekt të rëndësishëm si për biznesin ashtu edhe për lëvizjen e qytetarëve” bën të ditur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vitet e fundit sektori i hekurudhave iu nënshtrua ndryshimeve drastike në kuadrin ligjor, ndërsa qeveria po punon për avancimin konkret me efekte në terren.

Një ndër projektet që parashikohet të marrë zhvillimin më të shpejtë në këtë sektor është ai për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe me një degëzim Tiranë-Rinas.

Aktualisht pjesa më e madhe e linjave hekurudhore në Shqipëri saj është e amortizuar, ndërkohë që ka plane për ndërhyrje në disa linja.

Krahas linjës lidhëse hekurudhore me Maqedoninë e Veriut, procesi ka avancuar në vendin fqinj, që po kërkon financim prej 426 milionë euro për të ndërhyrë në linjën Kërçovë deri në kufirin me Shqipërinë.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, lidhja hekurudhore, pjesë e Korridorit 8 të transportit që kalon nga lindja në perëndim përmes Evropës Juglindore, është planifikuar të kalojë përmes Kërçovës dhe Strugës në perëndim të Maqedonisë së Veriut dhe fshatit Lin në Shqipërinë Juglindore.

Në vitin 2018, kompania publike e Transportit Hekurudhor të Maqedonisë së Veriut tha se seksioni hekurudhor pritej të ishte plotësisht funksional deri në 2023.

Në Shqipëri kjo linjë lidhet me hekurudhën Durrës-Rrogozhinë- Pogradec-Lin-Maqedoni, (Korridori 8 Paneuropian), pjesë e rrjetit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe po punohet për ta kualifikuar si rrjet bazë deri në vitin 2023, me perspektivën për një zgjatim indikativ të Korridorit Orient/East Med TEN-T Corridor.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, në fillim të këtij viti ka përfunduar studimi i fizibilitetit për rindërtimin e këtij korridori rrugor si dhe për projektin paraprak të rrugës Durrës-Rrogozhinë.

Më pas do të aplikohet te Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një grant prej 50% të investimit (64 milionë euro).

Ky projekt ka dalë me rezultate të mira sa i përket trafikut të pasagjerëve, por problem është pjesa e Maqedonisë, e cila është tepër e shtrenjtë, në rreth 600 milionë euro si dhe gjetja e një gjuhe të përbashkët për pikën e daljes nga Shqipëria, që fillimisht ishte planifikuar në Lin, por ka pasur shqetësime për ndikimin në mjedis. Përmes një granti prej 1.7 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) po hartohet projekti paraprak dhe i detajuar i rindërtimit të hekurudhës Rrogozhinë- Pogradec.

Më pas do të aplikohet për një grant për 50% të investimit (300 milionë euro). Po kryhet një studim parafizibiliteti për lidhjen hekurudhore Shqipëri-(Kapshticë/Kristalopigi)- Greqi, në kuadër të programit INTERREG CBC Shqipëri-Greqi.

Projekti do të përfundojë në fillim të vitit 2021 dhe më pas do të aplikohet për studimin e fizibilitetit dhe projektit të detajuar. Me leverdi shihet sidomos lidhja hekurudhore me Greqinë, e cila nëse realizohet, mund të nisen çdo ditë dy trena pasagjerësh, duke mundësuar dhe lidhjen me gjithë Evropën.

Investime në sektorin energjetik dhe në atë infrastrukturor janë dy fushat prioritare që Shqipëria do të përfitojë nga fondet e BE-së projektuar për Ballkanin Perendimor. Janë 9 miliardë euro grante që do të aktivizohen në investime strategjike nga ky vit deri në 2024. Synimi është që fondi i investimeve të arrijë në 20 miliardë euro, por ende nuk ka një vendim përfundimtar sa do të përfitojë secili shtet.

Sipas dokumentit për planin ekonomik dhe të investimeve në Ballkan, fondet që do të jepen për Shqipërinë do të orientohen tek ndërtimi i hekurudhës që lidh Tiranën dhe Podgoricën dhe që shtrihet deri në portin e Durrësit, si dhe rehabilitimin e 120 km rrjet hekurudhor nga Shqipëria drejt kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë edhe Forumi Ekonomik i Vjenës, ka parashikuar të përfshijë Shqipërinë në ndërtimin e rrjeteve moderne hekurudhore me shpejtësi të lartë, të cilët do të realizojnë një komunikim të shpejtë dhe me më pak kosto në mjedis.

Forumi Ekonomik i Vjenës që zhvilloi punimet në korrik të këtij viti i rekomandoi Komisionit Evropian të financojnë ndërtimin e linjave hekurudhore të shpejta, njëra prej të cilave propozohet të kalojë edhe në Shqipëri.

Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çeki, Austri, Kroaci, Bosnjë, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari. Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro.

Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Evropës me vendet më pak të zhvilluara të kontinentit, si Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe.

Propozimi synon ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë 250-300 kilometër në orë me katër linja kryesore që lidhin të gjitha kryeqytetet e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, kandidate për në BE.

Në pjesën shqiptare, hekurudha e shpejtë do të futet në Qarkun e Shkodrës nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë dhe përmes Rrugës së Kombit do të përshkojë Kosovën dhe më tej do të zgjatet deri në Bullgari.

Mbivendosja e hekurudhës është propozuar të ndjekë Rrjetin ekzistues Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), por për shkak të dallimeve të mëdha teknike në sistemet nacionale hekurudhore (p.sh. matës të ndryshëm, elektrifikim hekurudhor, sisteme të sigurisë), duhet theksuar se rrjeti i ri duhet të jetë një infrastrukturë shtesë, me standardet e veta teknike.

Në total, rrjeti i ri hekurudhor i shpejtësisë së lartë parashikohet të jetë 18,249 km i gjatë. Shtrirja e kësaj linje në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë 1564 km e gjatë me kosto 49 miliardë euro. Në Shqipëri, rrjeti propozohet të ketë gjatësi 304 kilometra, me kosto 7 miliardë euro.

Etleva Xhajanka/Fani