Studentë të shqetësuar dhe të frikësuar dolën nga shkollat në Kaliforninë Jugore javën e kaluar duke kërkuar veprim nga ligjvënësit amerikanë, pas të shtënave masive në Uvalde, Teksas, që lanë të vdekur 19 nxënës dhe 2 mësues.

Lëvizja ishte pjesë e një proteste mbarëkombëtare për të kërkuar kontroll më të rreptë të armëve dhe mbrojtje më të madhe për të rinjtë e pafajshëm të vendit.

VCG

VCG

Në rajonin e Los Anxhelosit, studentë protestues brohoritën slogane të tilla si "Mbroni fëmijët, jo armët" dhe "Mjaft është mjaft".

Në Saugus, ku në vitin 2019 dy studentë u vranë dhe tre u plagosën nga të shtënat me armë, fëmijët e shkollave janë veçanërisht të shqetësuar. Mia Tretta, e cila u plagos në atë sulm, mblodhi nxënësit në shkollën e mesme të Saugus për të protestuar kundër dhunës me armë.

"Ne jemi të shkatërruar. Jemi të zemëruar. Kjo nuk mund të vazhdojë të ndodhë më me ne",- tha ajo për KABC-TV, stacioni kryesor i rrjetit televiziv “ABC” në Bregun Perëndimor, duke shtuar: "Kjo nuk mund të vazhdojë t'u ndodhë njerëzve si ne ose fëmijëve më të vegjël se ne. Kjo nuk është e drejtë".

"Jam e zhgënjyer nga njerëzit që thonë se ne kemi nevojë për më shumë armë, se kemi nevojë që të armatosim mësuesit.

VCG

VCG

Në fakt, ne kemi nevojë për më pak armë këtu. Ne kemi nevojë për një vend të sigurt",- u citua ajo nga KABC-TV, duke shtuar se shkollat duhet të jenë një vend i shenjtë i të mësuarit, jo i vdekjes.

Rreth 150 studentë dolën nga shkolla e mesme “Crescenta Valley” të enjten e kaluar, raportoi KNBC-TV.

Sipas stacionit televiziv, nxënësit e shkollës së mesme “Locke” në Los Anxhelosin Jugor gjithashtu organizuan një tubim, me thirrjet “Mbroni fëmijët” dhe me pankarta në duar ku lexohej: "E kemi ne radhën?” dhe "Ulni armët!"

Në Alhambra, mësuesit, nxënësit dhe anëtarët e komunitetit u mblodhën në një tubim dhe bënë thirrje për t'i dhënë fund dhunës me armë, raportoi “Los Angeles Times”.

Zëdhënësja e Distriktit të Unifikuar Shkollor të Los Anxhelosit, Shannon Haber, tha se sistemi i dytë më i madh shkollor në Shtetet e Bashkuara ishte i vetëdijshëm për bojkotin e mësimit dhe se mësuesit vetë po i ndihmonin nxënësit të planifikonin aktivitetet, raportoi “Los Angeles Times”.

VCG

VCG

Kërcënimet për sulme me armë vijuan të tronditnin disa shkolla të Kalifornisë Jugore disa ditë pas të shtënave në Teksas. Një shkollë e mesme në qytetin Rosemead u mbyll të premten e kaluar pas një kërcënimi të mundshëm të postuar në mediat sociale. Një shkollë fillore në qytetin Whittier u mbyll po ashtu në të njëjtën ditë si masë paraprake ndërsa oficerët e policisë po kërkonin për të dyshuar të armatosur aty pranë.

Të zhgënjyer me ligjvënësit dhe zyrtarët e zgjedhur, që refuzojnë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t'i mbrojtur ata, nxënësit amerikanë po i marrin gjërat në duart e tyre. Ata kanë formuar grupe aktiviste mbarëkombëtare, si “Studentët Kërkojnë Veprim”.

Në faqen e internetit të këtij grupi shkruhet: "Ne jemi aktivistë të rinj të përkushtuar për t'i dhënë fund dhunës me armë. Ne jemi “Studentët Kërkojnë Veprim". Ne meritojmë më shumë dhe po e kthejmë zemërimin tonë në veprim".

VCG

VCG

Themeluar në vitin 2016 si një program pilot, “Studentët Kërkojnë Veprim” tani ka më shumë se 400 grupe në të gjithë vendin dhe vullnetarë aktivë në çdo shtet dhe në Uashington, sipas faqes së internetit.