Kryeministrat Rama dhe Zaev

Kryeministrat Rama dhe Zaev

Shqiptarët po e prisnim me shpresë e madje entuziasëm vendimin e konferencës së ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg lidhur me integrimin e vendit në Union. Prej më shumë se një dekade takimesh në rrugën drejt anëtarësimit, kriteresh të vendosura nga BE për autoritetet shqiptare, progress-raportesh e madje dhe votash pro e kundër, duket se Shqipëria ende duhet të presë për të qenë edhe “de jure” pjesë e familjes europiane.

Nga Luksemburgu ministrja portugeze për Çështjet e Jashtme, Ana Paula Zacarias, vend i cili mbante Presidencën e radhës të BE-së, konfirmoi javën e kaluar se nuk u arrit në një konsensus për të miratuar kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Pavarësisht gjithë përpjekjeve nuk qe e mundur që të arrihej në një konsensus për kornizat negociuese për RMV dhe Shqipërinë për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me këto dy vende. Megjithatë ne nënvizuam që presidenca e ardhshme sllovene do të vazhdojë përpjekjet e saj që me shpresë do të çojë në një konkluzion pozitiv shpejt, në bazën e rekomandimeve që Presidenca portugeze ka vënë mbi tavolinë. Perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor është jetike për BE-në dhe është e rëndësishme për të mos e humbur këtë moment”, tha Zacarias.

Kryenegociatori Zef Mazi

Kryenegociatori Zef Mazi

Reagime të politikës shqiptare

I menjëhershëm ishte reagimi i politikës shqiptare, pas këtij lajmi. Në konferencën për shtyp që pasoi Forumin Ekonomik në Shkup kryeministri shqiptar Edi Rama u tregua i drejtpërdrejtë ndaj liderëve të Unionit

“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit. Për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon. Për mua BE ka dështuar përsëri të rrijë në qëndrimin e duhur. Jeta vazhdon dhe progresi do të vazhdojë” u shpreh Rama.

Në daljet mediatike shpesh kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se “pritja e pafundme e integrimit europian godet ekonominë, duke vlerësuar Shengenin rajonal si një domosdoshmëri për zhvillim dhe sigurimin e paqes në Ballkanin Perëndimor”.

Kësaj radhe mosmiratimi i çeljes së bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë në BE lidhet me veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka të bëjë aspak me “detyrat e shtëpisë” që duhet të përmushte qeveria shqiptare.

Madje javën e kaluar kryeministri Rama është ndalur sërish në këtë temë, gjatë një interviste për një media amerikane ku e ka krahasuar mospranimin e çeljes së bisedimeve me veprën e Samuel Beckett, “Duke pritur për Godonë”.

Teksa pranoi se Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në BE, kreu i ekzekutivit shqiptar Rama këmbënguli se vendi është “më se gati për negociatat”, proces i cili ka dallim nga statusi i anëtarësimit.

I pyetur se çfarë planifikon në vijim Shqipëria, lidhur me procesin e integrimit Rama është shprehur se “Ne nuk planifikojmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë për to, sepse për ne Evropa nuk është një objektiv apo destinacion politik, Evropa është një fe dhe askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri, për shkak të faktit të thjeshtë se Evropa është një testament [amanet] dhe është në të njëjtën kohë ajo që u detyrohemi fëmijëve tanë dhe kjo është arsyeja se pse ne do të punojmë gjithnjë e më shumë për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian që funksionon plotësisht.”

Ministrja e Jashtme Xhaçka

Ministrja e Jashtme Xhaçka


Nga ana e saj Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në forumin e Antaljas me temë “Fqinjët shohin së bashku: E ardhmja e Europës”, theksoi se Bashkimi Europian duhet të vazhdojë të qëndrojë i përkushtuar ndaj rajonit përmes veprimeve konkrete dhe duke mbajtur premtimet.

“Politika e zgjerimit bazohet mbi parimin e hekurt të vlerësimit të meritës së çdo vendi. Por kjo kërkon edhe parashikueshmëri të procesit, nëpërmjet të cilit çdo arritje standardesh apo kriteresh duhet të çojë në hapin e radhës në rrugën drejt BE-së. Një proces i tillë, i besueshëm dhe i prekshëm, është një mbështetje e pazëvendësueshme për reformat e vështira që jemi duke zbatuar”, tha kryediplomatja Xhaçka.

Taulant Balla

Taulant Balla

Zhgënjimi ndaj vendimit të fundit të BE-së lidhur me integrimin e Shqipërisë u reflektua edhe në parlamentin shqiptar, ku kreu i grupit socialist Taulant Balla dha një këshillë për zyrtarët e Brukselit.

“Nuk është aspak në përgjegjësinë e qeverisë shqiptare, as të kuvendit të Shqipërisë, as të Shqipërisë mungesë as një vendimmarrje. Këshilla jonë e vetme është që BE të ndryshojë këtë sistem vendimmarrës sepse BE-ja s’ka për të marrë kurrë vendime”, tha Balla.

Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat me BE-në, Zef Mazi në një intervistë në medie u shpreh se kushtet u plotësuan dhe vendet e BE-së e pranuan, por data për konferencën e parë ndërqeveritare u shty për shkak të konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë.

“Për Shqipërinë për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare nuk ka asnjë kundërshtim më. Janë elementë më kompleks sesa marrëdhëniet Shqipëri-union. Ne kemi dy shtete, që kanë një konflikt mes tyre dhe mendohet që kjo mos marrëveshje duhet të zgjidhet sa më parë” tha ai.

Sipas Mazit arsyeja që Shqipëria nuk u nda nga Maqedonia e Veriut në procesin e pranimit ka të bëjë me karakterin rajonal të futjes në Union.

Oliver Varhelyi

Oliver Varhelyi

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, është shprehur i zhgënjyer me mos marrjen e vendimit pozitiv për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Jemi në fazën finale të këtij procesi ndaj na duhet të shtojmë përpjekjet që të mund të arrijmë sukses gjatë presidencës sllovene. Na duhet të shkojmë përpara me të dy shtetet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilat i kanë realizuar reformat që ju kërkuan për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare” u shpreh komisioneri

Ndërsa Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të mendojnë në mënyrë strategjike dhe të kuptojnë se duhet të përmbushin detyrimet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ju lutem, lejoni që çështjet dypalëshe të trajtohen në mënyrë bilaterale, pa bllokuar gjithë ecjen përpara. Le të mendojmë në mënyrë strategjike dhe të kuptojmë se duhet të përmbushim detyrimet tona ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tani”, tha Roth.

Shqipëria është një kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga qershori i vitit 2014 dhe është duke negociuar hyrjen si shtet antar i Unionit që nga 24 marsi 2020.

Eda Merepeza