Një marrëveshje e madhe investimesh midis Kinës dhe Bashkimit Evropian (BE) ka qenë në zhvillim për disa vjet rresht, dhe më 30 Dhjetor 2020, të dy palët përfunduan negociatat. Lajmi u dha pas një takimi midis Presidentit kinez Xi Jinping, homologut të tij francez Emmanuel Macron, kancelares gjermane Angela Merkel së bashku me krerët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Por, si i kapërcyen të dy palët vështirësitë dhe dallimet e tyre për të arritur një marrëveshje? Çfarë do të thotë marrëveshja për të ardhmen e marrëdhënies Kinë-BE? – Është mëse normale dhe tipike në kësi lloj marrëveshjesh, ku ekzistojnë dy blloqe të fuqishme ekonomike dhe në faza të ndryshme të zhvillimit që të këtë shumë çështje për të diskutuar dhe për t’u dakordësuar. Pas shtatë viteve të bisedimeve intensive, Kina dhe BE kanë përfunduar negociatat mbi një ‘traktat’ dypalësh të investimeve, i cili do t'u japë bizneseve të të dy rajoneve akses më të madh në tregjet e njëri-tjetrit. Rezultati i shumëpritur, i cili erdhi pas 35 raundeve negociatash, është një moment historik në marrëdhëniet BE-Kinë. Investimet e Huaja Direkte (IHD) kineze në BE janë rritur në mënyrë eksponenciale gjatë viteve të fundit, kryesisht të drejtuara në fushat strategjike të infrastrukturës dhe teknologjisë së lartë. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, flukset kumulative të IHD-ve kineze në BE arritën në gati 120 miliardë Euro. Sidoqoftë, investimet e BE-së në Kinë ishin edhe më të larta, me më shumë se 140 miliardë Euro. Rreth gjysma e IHD-ve të BE-së në Kinë janë në sektorin e prodhimit, me industrinë gjermane të automobilave si investitorin kryesor.

Çfarë përfiton BE?

Komisioni Evropian e paraqiti rezultatin si "marrëveshjen më ambicioze që Kina ka lidhur ndonjëherë me një vend të tretë". Marrëveshja thellon liberalizimin e investimeve të Kinës dhe parandalon kushte retroaktive të hyrjes në treg për kompanitë e BE-së. Përveç kësaj, ajo parashikon eleminimin e kufizimeve sasiore, kufijve të kapitalit ose kërkesave të sipërmarrjeve të përbashkëta në një numër sektorësh. Në sektorin e automobilave, Kina ra dakord të heqë kërkesat e sipërmarrjes së përbashkët dhe të japë hyrjen në treg për automjete me energji tё rinovueshme. Në sektorin e shëndetësisë, Kina premtoi të eleminonte kërkesat e ndërmarrjeve të përbashkëta për spitalet private (me interes të veçantë për Francën). Pakti ka qenë një përparësi kryesore e Kancelares Angela Merkel të Gjermanisë sepse kjo do t'u jepte kompanive si Daimler dhe Volkswagen kontroll më të mirë mbi operacionet e tyre në Kinë. Por jo vetëm Gjermania; Ministrja austriake e ekonomisë, Margarete Schrambock shprehu se kjo marrёveshje “hap derën për një treg të ardhshëm për kompanitë tona. Shkëmbimi i ngushtë ekonomik me Kinën siguron gjithashtu shumë punë në Austri.”

Kompanive të BE-së do t'u jepet qasje më e madhe për t'u zgjeruar me shpejtësi në industritë kineze mjaft fitimprurëse. Fushat që kanë qenë të kufizuara ose të mohuara plotësisht në të kaluarën tani janë në dispozicion. Por më e rëndësishmja është hapja e tregut kinez dhe 1.4 miliardë konsumatorëve të tij ndaj investimeve evropiane në mënyrё të paprecedentë.

Ҫfarë përfiton Kina?

Për Kinën kjo marrëveshje do të përmirësojë aksesin në disa sektorë të prodhimit dhe në sektorin e energjisë, duke përfshirë burimet e rinovueshme, por nuk do të lehtësojë investimet në energjinë bërthamore. Siç deklaroi Komisioni Evropian, "ndjeshmëritë” e BE-së, si në fushën e energjisë, bujqësisë, peshkimit, audio-vizuale, shërbimeve publike, etj janë të gjitha të mbrojtura." Përveç kësaj, mekanizmi i shqyrtimit të IHD-ve të BE-së dhe 5G janë akoma në fuqi. Nga ana tjetër, do të lehtësohet hyrja në tregun e BE në sektorë të kërkimit shkencor (R&D), burimet biologjike, shërbimet telekomunikuese, shërbimet kompjuterike, transporti ndërkombëtar detar, transporti ajror dhe shërbime të tjera. Kina fiton qasje të kufizuar në prodhimin dhe tregun e energjisë së rinovueshme të Evropës kur BE po hedh dhjetëra miliardё Euro drejt një tranzicioni të gjelbër. Ndërsa lehtëson edhe kufizimet për kompanitë evropiane në tregun kinez, promovon konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ҫfarë mund të pёrfitojë pjesa tjetër e botës?

Në të vërtetë, marrëveshja e investimeve Kinë-BE nuk është vetëm "lajm i mirë" për vetëm dy ekonomitë që firmosin, por edhe një mesazh inkurajues për rimëkëmbjen e ekonomisë globale gjatё pandemisë. Duke shfaqur një akses më të madh në treg, mjedise të përmirësuara biznesi, garanci më të forta institucionale dhe perspektiva më të ndritshme bashkëpunimi për investime të ndërsjella, marrëveshja e investimeve Kinë-BE është një arritje e fituar me vështirësi midis dy ekonomive kryesore që tashmë kanë gëzuar marrëdhënie të nivelit të lartë ekonomik. Është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me cilësi të lartë dhe të qëndrueshme dhe është një vitrinë e hapjes institucionale të Kinës, në rastin konkret ndaj BE. Përveç faktit që ky akt krijon edhe precedent të rëndesishëm për të ardhmen, me vendet e tjera që nuk janë pjesë e BE mund të merret si pikë referimi dhe strategjie investimesh.

Kjo marrëveshje do të ndërthurë më tej ekonomitë kineze dhe evropiane, ndërton partneritete dhe besim, dhe efektet anësore ekonomike janë vetëm fitimprurёse për vendet e tjera. Në fjalët e presidentit Xi: “.. [marrëveshja] do të forcojë rimëkëmbjen ekonomike ndërkombëtare në botën pas-Covidiane dhe do të rrisë besimin në globalizim dhe tregtinë e lirë”. Edhe Ursula Von der Leyen i bashkohet të njejtit mendim duke shprehur se bota e së nesërmes ka nevojë për një marrëdhënie të fortë BE-Kinë, për të ecur përpara më mirë.

Rëndësia e marrëveshjes

Në 30 Dhjetor 2020 Pekini dhe Brukseli demonstruan vendosmërinë e tyre për të mbështetur multilateralizmin në një periudhë të trazirave serioze ekonomike globale. Ndërsa detajet teknike nuk dihen ende, ajo që sigurisht ka rëndësi është interesi i tyre i përbashkët për të vepruar në një botë të karakterizuar nga pasiguria. Marrëveshja shkon më thellë në krahasim me marrëveshjet e mëparshme dypalëshe të investimeve të nënshkruara midis Kinës dhe vendeve anëtare të BE, përfshin një axhendë të gjithanshme që adreson çështje që lidhen me investimet, por gjithashtu prek tema të rëndësishme si zhvillimi i qëndrueshëm, të drejtat e punës, subvencionet dhe mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. E ashtuquajtura “fushë loje e barabartë” do të përshpejtohet me realizimin e kësaj marrëveshje Kinë-BE.

Kina dhe BE kanë nevojë për njëri-tjetrin. Përfundimi i negociatave të tregon se të dy partnerët ishin mjaftueshëm pragmatikë sa për t'i dhënë përparësi sinergjive mbi mosmarrëveshjet.

Mbyllja e suksesshme e këtyre negociatave nuk përbën një përjashtim në marrëdhëniet kino-evropiane. Marrëveshja për treguesit gjeografikë, fillimi i bisedave të reja të nivelit të lartë mbi çështjet dixhitale dhe ndryshimet klimatike dhe theksimi i bashkëpunimit thelbësor gjatë pandemisë ishin tregues i klimës relativisht të mirë në vitin 2020.

Së fundmi, dihet mirë se Kina dhe BE nuk bien dakord për gjithçka. Sidoqoftë, në fund të vitit që lamë pas të dy palët kanë treguar aftësinë për të bërë hapa në unison përmes vazhdimit të dialogut të tyre.