Gara e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare, që pritet të jetë edhe më intensivja, pas zhvillimit të debatit të parë televiziv ndërmjet presidentit Donald Trump dhe kandidatit të demokratëve Joe Biden. Prekja e presidentit Trump nga Covid ka shtuar disi pasigurinë rreth fazave që kanë mbetur deri në datën 3 nëntor, por megjithatë fushata do të vazhdojë. Kuptohet që mjaft politika konkrete amerikane pritet të ndryshojnë në varësi nga rezultati i zgjedhjeve, prandaj le të shohim pozicionet e të dy partive lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare.

E vërteta është se ndryshimet e ekipeve në Shtëpinë e Bardhë s’kanë sjellë historikisht ndryshime të menjëherëshme në politikën e jashtme. Aparati i ndërlikuar i Departamentit të Shtetit kërkon mjaft kohë për të ndryshuar drejtim, edhe nëse administrata (apo edhe kongresi) kalojnë në duart e partisë tjetër. Po ashtu edhe aleatët edhe kundërshtarët e Amerikës kanë mbetur zakonisht të pandryshuar.

Por si në mjaft aspekte të politikës amerikane, viti 2016 solli ndryshime krejt të papritura, e kjo ndodhi edhe me politikën e jashtme. Qoftë nëpërmjet parimit bazë të vizionit politik të presidentit Trump “Amerika në Plan të Parë” (America First), qoftë në deklarata të ndryshme publike, administrata vinte në pikëpyetje qendrimet tradicionale si ndaj aleatëve, ndaj kundërshtarëve apo ndaj krejt aparatit diplomatik. Kujtojmë këtu kritikat, disa herë të ashpra, ndaj NATO-s si grupimi kryesor ushtarak i perëndimit. Ky grupim u konceptua gjatë Luftës së Ftohtë dhe, megjithë ndryshimet që prej mbarimit të saj, mbetet garancia më e fortë për vendet anëtare, të paktën nga ana ushtarake. Por presidenti Trump dhe mjaft zyrtarë të lartë kanë shprehur dyshime të vazhdueshme rreth ndarjes së barrës financiare brenda aleancës si edhe rreth dobisë së saj në kushtet e reja. Nga ana tjetër Trump filloi të fliste me tone të ngrohta e miqësore ndaj kundërshtareve tradicionalë si Rusia, Kina apo regjimi koreano-verior.

Megjithë këtë ndryshim vizioni administrata Trump e pati të vështirë të bënte ndryshime të shpejta praktike në politikën e jashtme, siç u vërtetua p.sh. nga koha prej më se një vit e gjysëm për t’u tërhequr nga pakti bërthamor shumëpalësh me Iranin. Edhe dalja nga Marrëveshja e Parisit për Klimën (MPK) si edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të reklamuara si me rëndësi të madhe, do të hyjnë në fuqi vetëm pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Në mënyrë të ngjashme, tërheqja e disa mijëra trupave amerikane nga Gjermania, e shpallur para pak javësh, do të kërkojë disa vjet për t’u kompletuar.

Ndërkaq kandidati demokrat Joe Biden është zotuar ta korrektojë kursin e tanishëm, bazuar sidomos në përvojën e tij të gjatë në politikën e jashtme si senator dhe si zv.president në administratën Obama. Ai ka premtuar të shfuqizojë kufizimet ndaj imigracionit nga vende kryesisht myslimane, si dhe rikthimin në OBSH e në MPK. Gjithashtu ai ka në program takime të nivelit të lartë me aleatët për të theksuar mbështetjen e Shteteve te Bashkuara ndaj NATO-s.

Një aspekt primar i politikës së jashtme që do të kërkojë trajtim të kujdesshëm në rastin e një fitoreje të Biden do të jenë marrëdhëniet me Kinën. Fushata e Trump po e nxjerr këtë fort në plan të parë, duke kritikuar ish-zv.presidentin për dobësi e për qendrime të pavendosura ndaj superfuqisë aziatike.

Edhe ky drejtim i politikës amerikane ka njohur lëkundje të ndjeshme gjatë 4 viteve, dhe s’mund të paraqitet në fakt si “bardhë e zi” siç e ka prirjen administrata aktuale. Marrëdhëniet ndërmjet fuqive të mëdha rrallëherë janë të tilla, prandaj edhe një ekip i ardhshëm demokrat do të duhet t’i shohë lidhjet me Kinën në të gjitha dritëhijet e mundshme.

Fakti është se presidenti Trump, edhe para angazhimit të tij në politikë, është shprehur përgjithësisht me dyshim ndaj praktikave tregtare të Kinës dhe ka bërë thirrje për masa proteksioniste për të rivendosur ekuilibrin në shkëmbimet mes dy vendeve. Pas fillimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë presidenti bëri thirrje për rishikim tërësor të regjimit të atyre shkëmbimeve dhe shpalli një numër tarifash doganore ndaj mallrave kineze, të cilat u pasuan nga Pekini me kundërmasa të ngjashme. Intensiteti i luftës tregtare pati disa ngritje e ulje në vitet 2018-2019, por të dy palët shpreheshin me nota optimizmi për mundësinë e kompromisit. Vetë presidenti Trump lavdëroi disa herë mirëkuptimin me kryetarin kinez Xi duke shprehur besim tek dëshira e Kinës për uljen e tensioneve. Kështu maratona e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje ekonomike e tregtare gjithëpërfshirëse u kurorëzua me nënshkrimin e fazës së parë të saj në Washington më 15 janar 2020. Mirëpo me shpërthimin e pandemisë Covid-19, menaxhimi i së cilës ka rrezikuar shanset e Trump për një mandat të dytë, retorika e tij ndaj Kinës është ashpërsuar tepër, dhe të dy vendet kanë vazhduar me masa e kundërmasa të ndryshme tarifore.

Për këto arsye pritet që tensionet me Kinën të vazhdojnë, në rastin e një mandati të dytë Trump, kur administrata mund të shtojë thirrjet për një “shkëputje” të marrëdhënieve tregtare në industritë si ajo farmaceutike, e pajisjeve mjekësore, elektronike, etj. Shkëputje të tilla janë me kosto të lartë për të dy palët, prandaj vështirë të parashikohet përfundimi i tyre.

Nga ana e tij kandidati Biden ka vendosur në programin e politikës së jashtme kthimin tek qendrimi tradicional amerikan ndaj aleancave si NATO, dhe përkrahjen e regjimeve demokratike nëpër botë. Sipas tij Shtetet e Bashkuara duhet ta luajnë rolin drejtues jo me “shembullin e forcës, por me forcën e shembullit”.

Përsa i përket Kinës kandidati demokrat, në ngjashmëri me Trump, dëshiron të ulë mbështetjen e konsumatorëve amerikanë te tregu kinez, por premton ta bëjë këtë kryesisht me përmirësim të aftësisë konkuruese të mallrave Made in USA, jo me masa administrative si tarifat. Ai është shprehur edhe për rritjen e investimeve në kërkim-zhvillimin në fusha si energjia e ripërtëritshme (ose “e gjelbër”) apo inteligjenca artificiale, që shihen si teknologjitë e së ardhmes.

Programi i Biden parashikon vazhdimin e qendrimit të trupave amerikane në Korenë e Jugut e në Japoni, por gjithashtu përcakton Kinën si aleate kryesore në presionet ndaj regjimit koreano-verior për arritjen e heqjes së armëve bërthamore nga gadishulli korean.

Përgjithësisht mund të thuhet se rivaliteti ndërmjet SHBA dhe Kinës do të jetë faktor edhe në të ardhmen, cilidoqoftë rezultati i zgjedhjeve, ndryshimi qendron veç në mënyrën e shprehjes dhe realizimit të këtij rivaliteti.

Gjatë një mandati të dytë Trump politika amerikane do të shprehet më tepër nëpërmjet lëvizjesh të papritura e të paparashikueshme, kryesisht reagime ndaj konjukturave të çastit, por gjithmonë si vënie në plan të parë të prirjeve nacionaliste. Dhe Kina, me preferencën e shprehur në vazhdimësi për ulje tensionesh, për zgjidhje të problemeve me bisedime, kuptohet që s’e sheh me simpati një paqendrueshmëri të tillë.

Por në rast të fitores së Biden, Shtetet e Bashkuara pritet të kthehen drejt mënyrave tradicionale të ndërveprimit si me aleatët ashtu edhe me fuqitë rivale si Kina, pra më tepër drejt prirjeve globalizuese.

Sa më lart s’mund të jenë veçse vlerësime tepër të përgjithshme në kushtet e sotme të ndryshimeve të shpejta e të vrullshme të situatave në një numër rajonesh të botës. Dalja gjithnjë e më tepër në prominencë e fuqive si Kina, Rusia, apo Bashkimi Europian, tregon se rendi i ri ndërkombëtar s’mund të vazhdojë të jetë një “rend amerikan” siç u konceptua pas Luftës II Botërore. Sa më shpejt që amerikanët ta kuptojnë këtë aq më mirë do të jetë për ta, prandaj pavarësisht nga partia në fuqi, Shteteve të Bashkuara u duhet të pranojnë kushtet e reja dhe të gjejnë mënyra për të qenë liderë në rendin shumëpolar në formim e sipër.

Globalizimi mund të ketë rezultate të mira ose të këqia, në kuptimin të favorshme apo më pak të favorshme, por s’është fjala për një proces të cilit mund t’i shmangesh, ose edhe ta braktisësh, siç mund të mendohet gabimisht. Të gjitha vendet janë pjesëmarrëse në të, duan apo s’duan, prandaj edhe çështja thelbësore qendron në reagimet e secilit vend në mbrojtje të interesave të veta. Kësaj dinamike i nënshtrohet detyrimisht edhe politika e jashtme amerikane, përkatësisht marrëdhëniet me Kinën, e ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas 20 janarit 2021.