Kontinenti i vjetër, Europa, përballet me shumë dilema të strukturës së vet institucionale. Procesi i integrimit të vendeve që para viteve 90-të nuk ishin pjesë e BE-së, tashmë është në tavolinat diplomatike prej 30 vjetësh. Për disa vende dera e Unionit u hap me entuziazëm, ndërsa për të tjerat, përfshirë dhe Shqipërinë, ende nuk është hapur.

Zgjerimi i Bashkimit Europian pas vrullit deri në mijëvjeçarin e ri, duket se e ka humbur ritmin. Kjo u duk dhe në takimit e radhës në Bruksel më 23-24 qershor, ku liderët e të 27 shteteve të BE-së shqyrtuan kërkesat për zgjerimin të disa shteteve.

BE Ballkani Perëndimor (Foto DW)

BE Ballkani Perëndimor (Foto DW)

Zgjerimi i BE-së është tashmë një proces më i ngadalshëm dhe me shumë kushtëzime, kryesisht për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që presin të bëhen anëtare. Nëse republikave Baltike, apo Sllovakisë iu deshën rreth dy vjet për të nisur dhe përfunduar negociatat e anëtarësimit, Kroacisë iu deshën gjashtë vjet. Nuk ka ndodhur kështu me Malin e Zi që pas dhjetë vjet negociatash. Procesi i zgjerimit ka qenë i tejzgjatur dhe fatkeq për Maqedoninë e Veriut, që 18 vjet pas aplikimit ende nuk ka nisur negociatat e anëtarësimit.

Aktualisht pesë shtete kanë statusin e kandidatit në BE. Ato janë Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Praktikisht, vetëm Mali i Zi dhe Serbia janë duke vazhduar procesin e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria gëzon statusin e kandidatit, por nuk i ka nisur negociatat e anëtarësimit. Negociatat me Turqinë, të nisura me 4 tetor të vitit 2005 janë të ngrira për vite. Bosnja e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por nuk ka marrë opinion pozitiv të Komisionit Evropian për status kandidati.

Para konfliktit në Ukrainë, ky vend, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë aplikuar për anëtarësim në BE.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor takuan në Bruksel homologët e tyre të BE-së më 23 qershor para samitit.Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian pas përfundimit të samitit.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Ngurrimi i disa prej vendeve anëtare të BE-së për zgjerimin e Unionit ka hedhur në tavolinë idenë e fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, për një Bashkësi të re Politike Evropiane. Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh me këtë rast se “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një mundësi reale për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian pasi kanë punuar shumë për shumë vite për të përmbushur kushtet për hyrjen në bllok”

Presidenti Macron dhe liderë të PE, KE (Foto Orainfo)

Presidenti Macron dhe liderë të PE, KE (Foto Orainfo)

Franca në fund të qershorit përfundoi kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian, ndërsa nga 1 korriku deri në fund të vitit këtë rol do ta ketë Çekia.

Për Grupin Mediatik të Kinës, prof,as Enver Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, flet për procesin e zgjerimit të BE dhe përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Union

CMG: Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u quajt zhgënjyes për pritshmëritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në pritje të çeljes së negociatave të anëtarësimit. Vlerësimi juaj për këtë takim

Prof.asc Enver Bytyçi: Pritej që takimi i fundit i Bashkimit Europian t’i jepte një nxitje të re integrimeve europiane në Ballkanin Perëndimor për shkaqe gjeopolitike dhe jo për ndonjë arësye të ndonjë transformimi rrënjësor në këto vende krahasimisht me vitin e kaluar, apo vitet e mëparshme. Por fatkeqësisht pritshmëritë që kishin sidomos Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk u realizuan. Për mendimin tim arsyet janë dypalëshe dhe të dyanëshme.

Së pari, veçanërisht Shqipëria, por mendoj që dhe Serbia janë shumë larg standareve të integrimeve europiane dhe për pasojë ka vende në Europë që normalisht dhe natyrshëm hezitojnë për të çelur bisedimet për integrimin në Bashkimin Europian. Sepse çelja e bisedimeve do të thotë që zhvillimi dhe integrimi të shoqërohet me një pako me donacione dhe me subvencione të shumta nga ana e Bashkimit Europian. Të hedhësh para për vende të cilat nuk premtojnë aplikimin e standardeve të demokracisë, lirisë së mediave, lirisë së mendimit, shanseve të barabarta, shtetit të së drejtës është e pamundur. Megjithatë mendoj që dhe BE në vetvete ka ngërçe të caktuara sepse ndonëse kemi një Bashkim Europian formalisht të unifikuar, në përmbajtje mendoj që ka interesa të ndryshme nga vende të ndryshme.

Psikoza e dikurshme e ekuilibrit midis fuqive europiane e shekullit të 20-të, ose e gjysmës së pare të tij, ka lënë pasoja në mentalitetin dhe në qëndrimet politike të sotme. Shpesh here shikoj që vende të caktuara të BE-së ndjekin të njejtat linja të politikës së jashtme dhe të strategjisë së tyre të krahasuara me periudhën para formimit të BE-së, ndonëse situata është krejt ndryshe. Tashmë kemi një kontinent europian thuajse të bashkuar.

Sido që të jetë Ballkani Perëndimor dhe gjashtë vendet që e përbëjnë atë, përkatësisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, i përkasin Europës dhe besoj që ato nuk do të ndalin integrimin europian. Por qasja e tanishme niset dhe nga disa principe të tjera.

Kemi parasysh se Rumania dhe Bullgaria u pranuan në BE dhe në NATO ende pa plotësuar kriteret, por aty ka funksionuar plotësisht ideja e realizimit gjeopolitik të Europës sepse duke pranuar Rumaninë dhe Sllovakinë, si dhe Bullgarinë mbyllej rrethi i kufirit të jashtëm të BE-së dhe 6 vendet që sot nuk janë ende anëtare të BE-së rrethohen nga vende anëtare të NATO-s dhe të BE-së.

Prof Enver Bytyçi në intervistë për CMG

Prof Enver Bytyçi në intervistë për CMG

Konsideroj se Europa nuk përbën ndonjë kërcënim serioz dhe akut do ta quaja nga pikëpamja gjeopolitike sepse për shkak të të qenit në NATO dhe BE, Rumania dhe Bullgaria ndaluan ministrin e jashtëm rus Lavrov të vizitonte Beogradin. Kjo do të thotë se ai rrethimi funksionon në politikat europiane. Përsa kohë që funsionon kjo edhe europianët nga pikpamja gjeopolitike nuk ndjejnë ndonjë nxitim të madh që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bëjë paketë si vende anëtare të tij.

CMG: Nëse ndalemi te Maqedonia e Veriut, historia e integrimit të këtij vendi në BE duket si një fat i keq, pasi prej afro 18 vjetësh është “ në stol” pritjeje, ndonëse i ka plotësuar kriteret. Në fillim u pengua nga kontestimi i Greqisë për çeshtjen e emrit dhe tani kontestimi i Bullgarisë. Ju si studjues si e vlerësoni situatën e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut?

Prof. asc. Enver Bytyçi: Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidar që në vitin 2005. Prej asaj periudhe ajo është kandidate për anëtarësim, por nuk i ka hapur negociatat, fillimisht për konfliktin që pati me Greqinë për çeshtjen e emrit dhe tani për shkak të konfliktit me Bullgarinë për çeshtje të origjinës së gjuhës, kulturës, të minoritetit bullgar në këtë vend.

Maqedonia e Veriut është një vend që është kontestuar vazhdimisht, sidomos nga fqinjët e tij. Nuk mendoj se ajo përbën rrezik për integritetin territorial të Greqisë apo të Bullgarisë apo ndonjë vendi tjetër në rajon, por është kontestuar se Maqedoninë e Veriut e pretendojnë si kulturë dhe në aspektin gjeopolitik e pretendojnë pothuajse të gjitha vendet e rajonit dhe më së shumti Greqia, Serbia dhe Bullgaria. Të tri këto vende janë në konflikt me njera tjetrën për shkak të konflikteve të natyrave dhe interesave të ndryshme që kanë në Maqedoni.

Pikërisht për këtë arësye fuqitë e mëdha dhe sidomos SHBA synojnë ta ruajnë dhe konsolidojnë shtetin e Maqedonisë sepse shpërbërja e tij do të krijonte një konflikt ballkanik të pashmangshëm dhe një luftë në Ballkan do të çonte në një luftë kontinentale si dhe do të rrezikonte seriozisht ekzistencën e Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Për këtë arësye Maqedonia e Veriut ruhet, por shpeshherë goditet nën brinjë për arsye të pozicionit dhe të interesave të vendeve fqinje, kurse fuqitë e tjera përpiqen ta shfrytëzojnë këtë pike të dobët të nyjes ballkanike për të forcuar ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit.

Është e domosdoshme që Maqedonia e Veriut të jetë sa më pare anëtare e BE-së. Tashmë ajo është anëtare e NATO-s dhe kësisoj vendet e Ballkanit të përjetojnë stabilitet dhe një siguri më të qëndrueshme. Ditët që po përfundonte Samiti në Bruksel, Bullgaria e hoqi veton ndaj Maqedonisë së Veriut mbi bazën e një propozimi të presidentit Macron, por kanë vënë dy kushte, të cilat pretendojnë t’i firmosin paraprakisht. Duket që përfaqësuesit e lartë të Maqedonisë, si ministri i jashtëm Osmani u prononcua kundër këtyre dy kushteve dhe për pasojë nuk e dime nëse do të funksionojë heqja e vetos me kushte ose jo. Gjithësesi Maqedonia e Veriut ndodhet në një ngërç, por mendoj se Shqipëria nuk ka arësye ta kushtëzojë veten me pranimin me hapjen ose jo të negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Shqipëria prej kohësh do të duhej të kërkonte të mos asociohej me Maqedoninë e Veriut dhe të luftonte më vete për të hapur negociatat me BE-në.

CMG: Samiti i BE-së në përfundim të presidencës franceze të BE-së shtroi shumë çeshtje të rëndësishme për Europën, duke u fokusuar në konfliktin në Ukrainë. Sa ndikues në qetësimin e përshkallëzimit të situatës në Ukrainë pritet të jetë ky samit?

Prof.asc Enver Bytyçi: Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim të madh sepse lufta është luftë dhe aksione të tilla politike nuk ndikojnë në zbutjen apo forcimin e konfliktit. Mendoj që ishte një sinjal për Ukrainën, për integrimin e saj në BE, një sinjal pozitiv, do ta quaja një motivim. Megjithatë nga pikpamja e mesazhit ky vendim i Këshillit të Europës ka të bëjë me faktin se i thuhet dhe Rusisë se Ukraina është pjesë e Europës dhe për pasojë kjo është çeshtje solidariteti, ndihme për Ukrainën.

Së dyti, shumë vende europiane kanë ndërmarrë iniciativa të ndihmës ushtarake, por dhe ndihma të tjera për Ukrainën dhe duke marrë statusin e vendit kandidat obligimi legjitimohet, pra blhet ligjor në pikpamjen e funksionimit të BE-së. Vendet me statusin e kandidatit gjithmonë janë nën kujdesin, mbrojtjen dhe kanë mbështetjen e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër i jepet legjitimitet asaj çfarë po ndodh në marrëdhëniet e Ukrainës me vendet e BE-së dhe sidomos me vendet më të fuqishme të tij, kryesisht Gjermania, por dhe Franca, ndonëse kjo e fundit ka një pozicion të ndryshëm nga shumë vende të Unionit.

Samiti i BE-së (Foto Top Channel)

Samiti i BE-së (Foto Top Channel)

CMG: Mund të kujtojmë deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Sholz, sipas të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen sa më shpejt anëtare të BE-së. Por nga tjetër kemi propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron Bashkësinë Politike Evropiane. Për këtë të fundit thuhet se nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të jetë zëvendësim për procesin e zgjerimit. Në opinionin tuaj si do të ndikojë kjo bashkësi për procesin?

Prof.asc Enver Bytyçi: Unë mendoj se nuk ka një unifikim të qëndrimeve midis Berlinit dhe Parisit. Parisi mendon që të krijohet një paradhomë me vendet e asociuara me BE-në, çka do të thotë që kto vende do të vazhdojnë të ruajnë politikat e tyre nacionale, pavarësisht rregullit dhe ligjit të BE-së, por do të kenë një përkujdesje të veçantë me donacione, me fonde

CMG: Kjo gjë nuk ka ndodhur deri tani?

Prof.asc Enver Bytyçi: Deri tani ka ndodhur , por Macron thotë që do të përshpejtohet ndihma me qëllim që vendet të zhvillohen dhe të kenë një zhvillim më të përshpejtuar. Megjithatë mendoj se propozimi i Macron synon një status quo, në pikëpamje që BE të mos vijojë më tej të zgjerohet me vende të tjera.

CMG: Me sa duket është një reflektim ndaj procesit të deritanishëm të integrimit?

Prof.asc Enver Bytyçi: Për mua më tepër është një interes francez se sa një reflektim, sepse nëse do të reflektohej do të duhej të përshpejtohej integrimi i këtyre vendeve, ndërkohë që presidenti francez kërkon që të fitohet kohë. Gjithmonë kur një vend europian ose joeuropian beson që kushtet nuk janë në favor të tij për të arritur një pikësynim të caktuar atëhere adresohet tek opsioni i të fituarit kohë.

Së dyti, mendoj që Macron është pro një iniciative rajonale “Open Balkan”, në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Berlini është kategorikisht kundër sepse presupozon që duhet të ndiqet politika e zhvillimit të mëtejshëm të Procesit të Berlinit. Duken të ngjashme “Open Balkan” dhe “Procesi i Berlinit”, por në fakt ka një ndryshim shumë të madh sepse “Procesi i Berlinit” e monitoron situatën në Ballkan, demokracinë, perspektivën e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kurse “Open Ballkan” është një iniciativë rajonale, e cila ka synime të tjera jashtë europiane. Mendoj që pikërisht për këtë arësye presidenti Macron gjykon të krijohet një lloj asocimi që t’i hapë rrugë forcimit dhe implementimit të plotë të lëvizjes së iniciuar nga presidenti serb Vuçiç, e përkrahur nga kryeministri shqiptar Edi Rama si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Kovaçevski.

Në këto dy aspekte unë mendoj që filozofia ose projekti i presidentit Macron më tepër e dëmton integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor se sa e ndihmon. Duhet të kemi parasysh se kjo ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor dhe dy vendet që morën statusin e vendit kandidat Ukrainën dhe Moldavinë. Nuk besoj që Këshilli i Europës, pra kryetarët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian do të miratojë një iniciativë të tillë. Besoj që do të vazhdojë rruga e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ky projekt do ta dobësojë këtë rrugë sepse do të ketë ndikim në skepticizmin europian.

CMG: Nga 1 korriku presidenca e radhës e BE-së është e Çekisë dhe cilat do të jenë pritshmëritë?

Prof. asc. Enver Bytyçi: Çekia është një vend që i takon ish Bllokut Lindor, ish kampit socialist, por është një vend që dhe në atë kohë ka patur një prirje të jashtëzakonëshme të orientimit perëndimor. Dihen ngjarjet e vitit 1968, pra Çekia nga pikëpamja e ushtrimit dhe zhvillimit të demokracisë, ekonomisë së tregut, është një vend me traditë demokratike pavarësisht strukturës së krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe përkatësisë në sferën e ish-Bashkimit Sovjetik. Çekia ka një qeveri të përkushtuar për zhvillimin dhe forcimin e BE-së, por ka një presidenti skeptik, i cili nuk besoj se do të ketë ndikim në veprimtaritë e qeverisë për të punuar në drejtim të forcimit të BE-së. Mendoj dhe besoj që Çekia, ndryshe dhe nga Hungaria e Polonia, është një vend, i cili do t’i japë impulse të mëtejshme zgjerimit dhe forcimit të kohezionit të Bashkimit Europian dhe do të ndikojë që BE të kryejë me përgjegjësi detyrat e veta. Sigurisht nuk është në dorën e atij vendi që ka presidencën e BE-së, sepse kryetarët e shteteve dhe qeverive kur mblidhen dy here në vit së paku, ata vendosin vetë dhe përgjithësisht vendimarrja bazohet në interesat e vendeve të veçanta se sa në interesat madhore. Po të ishte për interesa madhore do të kishim zhvillime shumë më pozitive se sa kemi sot.

Intervistoi Eda Merepeza