Një luftë psikologjike, me deklarata, kërcënime dhe ultimatume ku Ukraina është gjithnjë në qendër po zhvillohet prej disa ditësh. Ankthi rreth një konfrontimi të mundshëm është rritur ndjeshëm dhe njëkohësisht edhe tensionet. Takimet e zyrtarëve të lartë rusë me ata amerikanë dhe përfaqësues të OSBE-së nuk kanë dhënë deri tani asnjë sinjal se mund të ketë një detantë në këtë çështje. Intensifikimi i konfliktit është ndezur dhe një pushtim i Ukrainës shikohet si potencialisht i mundshëm nga Uashingtoni dhe Kievi, pavarësisht se Moska e mohon një gjë të tillë.

NATO(Foto:VCG)

NATO(Foto:VCG)

Kriza ukrainase ka fillime të hershme, që lidhen që në periudhën e ish presidentit Janukoviç, që pezulloi marrëveshjen e stabilizim asociimit të BE-së në vitin 2013. Trazirat në atë periudhë kapluan Kievin dhe qytete të tjera dhe gjendja u tensionua. Ukraina është e ndarë gjeografikisht midis Europës dhe Rusisë dhe kjo ndarje gjeografike reflektohet edhe në qëndrimet e popullsisë së saj në pro-ruse dhe pro-perëndimore. Kjo ndarje ka sjellë gjithnjë destabilitet, por edhe mundësi ndërhyrjeje dhe veprimesh separatiste. Tensionet e asaj periudhe u bënë më shumë prezente në Krime e Donbas dhe ngjarjet që pasuan çuan në vendimin e parlamentit të Krimesë për një referendum që përfundoi me kalimin e Krimesë tek Rusia. Përplasjet u rritën dhe u deshën marrëveshjet e Minskut të viteve 2014 dhe 2015 për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm që mund të dilte jashtë kontrollit në mënyrë të menjëherëshme. Por marrrëveshjet nuk janë zbatuar asnjëherë plotësisht, pasi të dy palët kanë akuzuar njera – tjetrën për shkelje të armëpushimit. Ukraina ka tentuar dhe është e interesuar që të jetë sa më shpejt pjesë e NATO-s për të rritur kështu sigurinë e saj. Sëbashku me disa vende të tjera në kufi me Rusinë si Gjeorgjia, Finlanda e Suedia, ajo ka orientuar politikën e saj drejt këtij anëtarësimi.

Rusia nga ana e saj e sheh anëtarësimin veçanërisht të Ukrainës, si një kërcënim serioz për të dhe një ndër kushtet e bisedimeve sëfundi ishte moszgjerimi I NATO-s në vende të tjera që janë në kufi me të.

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ka reaguar ashpër ndaj frymës së bisedimeve të fundit, por edhe kërcënimeve për sanksione që bëhen ndaj Rusisë. Pas bisedimeve jorezultative ai deklaroi se “ Gjërat janë grumbulluar që prej viteve 90-të, premtimet e bëra për moszgjerimin e NATO-s, për mos zhvendosjen ushtarake drejt Lindjes, thjeshtë u hodhën në kosh nga miqtë tanë perëndimorë në mënyrë flagrante. Të gjithë e kuptojnë se mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje varet nga SHBA-ja, pavarësisht se çfarë thuhet për nevojën për t’u konsultuar me aleatët e tyre, duke përfshirë edhe OSB-në në këtë proces. Të gjitha janë justifikime dhe përpjekje për ta zvarritur procesin”. Kërkesat e Rusisë nga perëndimi përfshijnë premtime ligjërisht të detyrueshme se NATO nuk do të lejojë asnjëherë që Ukraina të bëhet anëtare dhe se aleanca duhet të tërheqë trupat e saj nga ish –shtetet komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore që iu bashkuan pas Luftës së Ftohtë.

Tërheqja e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën (Anadolu Agency)

Tërheqja e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën (Anadolu Agency)

Ministri Lavrov konfirmoi edhe një herë qëndrimin se Rusia po pret një përgjigje me shkrim këtë javë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për kërkesat e Moskës për garancitë se NATO nuk do të anëtarësojë Ukrainën, apo vende të tjera ish-sovjetike, dhe as do të dislokojë forca dhe armatime në atë vend. Ndërkohë SHBA që në fakt udhëheq bisedimet, kërkon t’i orientojë bisedimet në kontrollin e armëve, vendosjen e raketave dhe masat e ndërtimit të besimit.

Fakti i vendosjes së trupave ruse nga njëra dhe atyre amerikane, britanike e kanadeze nga ana tjetër buzë kufirit me Ukrainën, nuk është thjesht një provë force dhe psikologjike, por edhe një mundësi potenciale konflikti. Dislokimet ushtarake ruse kane trembur shumë Kievin që ka dhënë alarmin dhe kërkon që Perëndimi të rrisë trysninë e vet, por njëkohësisht edhe sanksionet. Nga ana e vet Moska nuk ka pranuar se ka një plan sulmi.

Vendosja e trupave në territorin e tyre është parë si legjitime nga ana e Rusisë dhe destabilizimi vjen vetëm nga angazhimi dhe manovrat që po përgatit NATO. 13 mijë të vrarët që nga periudha e tensionit të krijuar në Gadishullin e Krimesë, janë një dëshmi konkrete se është kaluar disa herë përtej deklaratave e kërcënimeve dhe se rrugët për zgjidhjen e situatës, kërkojnë më shumë korridore paqësore.

Pas bisedimeve që u zhvilluan javën e kaluar në mes SHBA-së dhe Rusisë, ku kryetema ishte çështja e Ukrainës, përparime nuk pati, por edhe optimizmi mungoi. Ajo që spikati më shumë është fakti se BE-ja nuk është përfshirë institucionalisht në këtë fushëbetejë dhe pakënaqësia e saj shprehet hapur. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ishte në vijën e parë të konfliktit në fillim të këtij muaji. Por vizita e tij me sa duket nuk i ka shqetësuar fare autoritetet ruse, pasi analistë të ndryshëm kanë përcaktuar jo pak herë se BE-ja nuk merret seriozisht në Moskë. Fakti që Bashkimi Evropian nuk u përfshi zyrtarisht në bisedimet kur filloi kriza e Ukrainës, ka bërë që përfaqësues të saj të reagojnë për këtë dhe për domosdoshmërinë e pranisë së tyre në zgjidhjen e këtij ekuacioni që sa vjen e vështirësohet. “Në këtë dialog nuk janë vetëm dy aktorë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Në se doni të flisni për sigurinë në Evropë, evropianët duhet të jenë pjesë e bisedimeve “ iu drejtua gazetarëve më 5 janar Borrell. Por në fakt mesazhi i tij dhënë përpara shtypit, ishte një reagim për diplomacitë e dy vendeve për t’iu referuar BE-së si pjesë e domosdoshme e gjykimit dhe vendimmarrjes.

Zemërimi për këtë anashkalim nga korridoret e Brukselit, ka kaluar edhe tek kancelaritë e shteteve më të fuqishme evropiane. Franca ka reaguar nga ana e saj dhe nëpërmjet ministrit të jashtëm Jean-Yves Le Drian, i cili ka theksuar se është rënë në psikologjinë putiniste për të anashkaluar BE-në. Kryediplomati Francës ka shmangur një përplasje të drejtëpërdrejtë me SHBA-në, e cila në kohën e Presidentit Trump, kishte angazhime shumë të kufizuara dhe me pikpyetje ndaj NATO-s.

Në këtë situatë diplomacia franceze nuk e ka parë të udhës t’i rikthehet kësaj teme, por e ka drejtuar sulmin ndaj Rusisë , për të mundësuar një aleancë evropiane dhe për t’u investuar në protagonizmin e saj.

Konflikti në lindje të Ukrainës (ABC News.al)

Konflikti në lindje të Ukrainës (ABC News.al)

Ukraina shikohet nga perëndimi si një mundësi që ata të forcojnë aleancën në mes vetes dhe të tejkalojnë dallimet . Por kjo aleancë nuk mund të arrihet duke lançuar gjuhën e forcës, përpara asaj të arsyes. Ministri i jashtëm rus, pavarësisht bisedimeve të ftohta të javës së kaluar ka ritheksuar se dialogu duhet të vazhdojë. Në mbështetje të kësaj teze, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se “Perëndimi duhet të kthehet në tryezën e negociatave me Rusinë edhe në se kërkesat e Moskës në kufirin me Ukrainën nuk përputhen me perceptimet perëndimore. Kam thënë vazhdimisht se sa e rëndësishme është që ne të kthehemi në tryezën e bisedimeve në formatin e Normandisë, të sigurojmë se mund të shmangim një përshkallëzim të mëtejshëm, sepse kjo krizë e madhe në të cilën ndodhemi mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut”. Gjatë vizitës të së hënës në Kiev përpara udhëtimit të saj për në Moskë, kryediplomatja gjermane tha se “ Jemi të përgatitur për një dialog serioz me Rusinë, pasi diplomacia është mënyra e vetme për të çtensionuar këtë situatë të rrezikshme”.

Dialogu për këtë temë sigurisht që është i vështirë, pasi palët kanë vënë vijat e kuqe, por rruga e bisedimeve mbetet më e efektshmja për të zgjidhur nyjen ukrainase. Tensionet që erdhën ditët e fundit përmes deklaratave , vetëm sa e vështirësojnë më shumë gjetjen e një gjuhe që shmang konfliktin. Akuzat që vijnë nga SHBA ndaj Rusisë për dislokimin e trupave dhe përgatitjen e operacioneve provokuese dhe akteve të sabotazhit për të justifikuar ndërhyrjen , kanë ndeshur në një reagim të ashpër të Moskës. “Të gjithë këto pretendime kanë qënë të pabazë dhe nuk janë konfirmuar” deklaroi menjëherë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov .

Moska ka paralajmëruar pasoja, të cilat nuk janë specifikuar, mbi sigurinë perëndimore në se kërkesat e saj nuk merren parasysh. Ambasadori rus Aleksandër Lukashevich pas një takimi të OSBE-së në raundet e njëpasnjëshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje deklaroi se “ Në këtë fazë që jemi është vërtetë zhgënyese”. Ai paralajmëroi për “pasoja të mundshme katastrofike” në se të dyja palët nuk mund të bien dakord për atë që ai e ka quajtur” vijë e kuqe” lidhur me sigurinë. Pavarësisht këtij nënvizimi, ambasadori Lukashevich ka nënvizuar si një mundësi zgjidhjeje intensifikimin e veprimit diplomatik.

Kryediplomatje gjermane viziton Ukrainën(Foto:VCG)

Kryediplomatje gjermane viziton Ukrainën(Foto:VCG)

Ndërkohë ministri i jashtëm polka Zbigniew Rau tha në takimin e fundit të OSBE-së se “rreziku I luftës në zonën e OSBE-së duket të jetë aktualisht më I madh se kurrë në 30 vitet e fundit”.

Deklaratat e ndryshme të diplomatëve të lartë në këtë periudhë po fokusohen pikërisht tek kjo çështje dhe ajo që i bashkon palët është fakti se nuk ka mohime kategorike për mundësitë e vazhdimit të dialogut.

Gëzim Podgorica