16 vite më parë, kur vinte në postin e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel jo vetëm ishte e panjohur, jashtë vendit të saj, por shihej me skepticizëm nëse ishte personi i duhur për të drejtuar shtetin e fuqishëm gjerman dhe një trashëgimtare e denjë e kancelarit historik Helmut Kohl. Fakti që ajo vinte edhe nga ish-Gjermania Lindore e shtonte mosbesimin. Nuk iu desh shumë kohë që Merkel të shfaqte protagonizmin e saj posaçërisht në politikën e jashtme dhe të rritej vit pas viti jo vetëm në sytë e gjermanëve, por edhe të politikës globale, duke u kthyer në “gruan e hekurt” të politikës. Gjurmët që ka lënë janë aq të mëdha dhe me ndikime në të gjitha proceset, sa tani në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit, kur tashmë ka deklaruar zyrtarisht tërheqjen, pasuesi do ta ketë jo të lehtë të ngjitet në kuotën e lartësive ku ka qëndruar Merkel në politikën botërore.

Partneriteti që ka krijuar me aleatët, por edhe me konkurentët i ka dhënë zonjës Merkel një standard politik që për kancelarin e ardhshëm i duhet një angazhim dhe energji shumë e madhe për të kaluar steka lartësie gati të pamundura. Gjithsesi ata janë të paprovuar dhe fokusi i tyre në këtë moment është fitorja në zgjedhje dhe pastaj puna dhe menaxhimi i ekonomisë më të fuqishme evropiane, ose përndryshe i lokomotivës së Europës, pozicion të cilin e mbajti prej vitesh me vizionin e saj Angela Merkel.

Ndryshe nga fushata të tjera zgjedhore ku ndjehej dominimi i partisë së Merkel, dhjetë ditë përpara zgjedhjeve, ekuacionet e fituesit kanë shumë të panjohura e të vështira për t’u parashikuar. Fushata megjithë ngarkesat e saj, ka zgjuar interes jo thjesht për pasuesin, por edhe për kursin politik që është shumë i rëndësishëm. Socialdemokratët në fund të gushtit e në fillim të shtatorit kanë bërë një kapërcim të madh dhe kryesojnë. Diferenca midis tyre është rritur edhe në javët e fundit dhe diferenca e mbështetur në sondazhe është mbi 5 për qind dhe sipas trendit duhet një përmbysje e madhe që raportet të ndryshojnë. Ky avantazh i socialdemokratëve ka surprizuar shumë CDU, e cila e sheh veten në një pozitë që vështirësohet çdo ditë e më tepër për vijimësinë e pushtetit. Merkelit, e cila është në largim, i duhet një sforcim i madh në politikën e jashtme, për të mos e lënë partinë e saj, por edhe trashëgëminë e saj politike e qeverisëse humbëse përmes ikjes së saj. Edhe turi ballkanik i 15 shtatorit, për t’i dhënë një dimension të ri dhe shtytje Procesit të Berlinit, është investimi i fundit diplomatik në përpjekje për CDU që të rritet në sondazhe. Pavarësisht se si do shkojë rrjedha e zgjedhjeve, e cila vetëm orientohet nga sondazhet, fakti që SPD ka shënuar rritje, jep një prirje që kjo parti ndryshe nga zgjedhjet e dekadës së fundit do të ketë një rritje.

Forcimi i socialdemokratëve gjermanë në kampin CDU është analizuar me shqetësim. Fakti që rënia e CDU përballë SDP për një periudhë 8 mujore është e ndjeshme, gati me më shume se 20 për qind në raport me njera – tjetrën ka vënë në lëvizje rikuperimi bllokun unionist.

Janë shumë faktorë, por edhe mungesa në CDU e një personaliteti si Merkel ka sjellë ndikimet e veta, pavarësisht shumë kontestimeve që kanë bërë brenda dhe jashte CDU-së lidhur me politikat e Merkelit për emigracionin, politika që kanë patur rezonancën e tyre në të gjithe Evropën. Polarizimi i krijuar nga vendimi i marrë nga ajo për hapjen e kufijve për refugjatët dhe migrantët, ka sjell një efekt të dyfishtë : Ka ngritur në histori sensibilitetin njerëzor të Merkelit, duke e cilësuar atë edhe si një kancelare të botës së lirë, por në anën tjetër ka rritur ndjeshëm populizmin e djathtë .

Shumë qeveri jo vetëm e kanë parë me skepticizëm këtë vendim të Merkelit, por e kanë kundërshtuar hapur dhe kjo përplasje ka ndikuar edhe brenda psikologjisë elektorale gjermane, jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në ato brenda landeve të mbajtura kohë më parë. Socialdemokratët kanë mbajtur në këtë pistë një pozicion neutral, ose të ftohtë, duke llogaritur koston elektorale, duke qënë komod pasi ishin në opozitë dhe jashtëvendimmarrjes.

Kandidati i SDP, Olaf Scholz përcjell tek gjermanët një qetësi dhe siguri, të cilën ministri në dy qeveri të Merkelit ka ditur më së miri ta injektojë në publik. Sondazhet e drejtëpërdrejta për figurën pasuese të kancelares e kanë avantazhuar Scholz, duke i dhënë atij një diferencë të ndjeshme te kandidatët e tjerë. A do jetë e mjaftueshme kjo për Scholz që të trasmetohet tek votuesit edhe si simpati e përkrahje për subjektin që përfaqëson? Sondazhet e deritanishme me një rritje të ndjeshme të përkrahjes të SPD dëshmojnë se ka një përputhshmëri.

Ndikim në rënien e CDU-së, sigurisht ka patur edhe kriza e pandemisë dhe kufizimet e ndjeshme në jetën publike, gjë që për gjermanët vazhdon të konsiderohet e paarsyeshme dhe shkelje e lirisë dhe e të drejtave bazike. Edhe demostrimet e ditëve të fundit janë në vazhdën e këtyre tensioneve të krijuara, që normalisht krijojnë kosto për partinë qeverisëse. Ngjarjet në Afganistan ishin një tjetër reagim tek mbështetësit e CDU-së, për të cilën pavarësisht përgjegjësisë në distancë e qëndrimit gjerman për këtë çështje, nuk mbeten pa dhënë faturën e tyre elektorale.

Mbështetur në këto zhvillime në CDU po bie optimizmi që Merkel mund t’ia dorëzojë postin e kancelarit Armin Laschet. Aftësia e tij në debat dhe paparashikueshmëria në pistat ku shfaqet e avantazhon dhe këtë e kanë dëshmuar debatet televizive me kundërshtarët. Ama kjo armë nuk i ka bindur një pjesë jo të vogël të votuesve potencialë të Kristiandemokratëve dhe atyre Kristiansocialistë që të largohen nga Laschet dhe gjasat për mbështetje të minutës së fundit janë zvogëluar.

Partia që do marrë mandatin qeverisës dhe iniciativën për t’u futur në bisedime për koalicionin e ardhshëm po shkon drejt SPD, por llogaritë post elektorale, parashohin një rrugë të vështirë deri tek formimi i qeverisë. Rënia e CDU-së krahasuar me janarin e këtij viti, nuk e përjashton mundësinë e kësaj partie që të ketë mundësinë e krijimit të një koalicioni të gjërë, por gjithsesi të brishtë dhe me shumë pikpyetje. Pjesë e mazhorancës, pavarësisht se si do rrjedhin ngjarjet, sigurinë më të lartë do e kenë në çfarëdo koalicioni, të gjelbërit. Duke qënë partia e tretë me një rritje të ndjeshme, kalkulimet politike dhe ato paselektorale, e bëjnë pothuaj të sigurt praninë e tyre në qeveri. Shifrat e nxjerrin këtë subjekt për një përkrahje deri në 17 % , gjë që do të thotë se si SPD, ashtu edhe CDU në çdo lloj kalkulimi do jenë të detyruar të dëgjojnë e të marrin në konsideratë pretendimet e të gjelbërve.

Më larg nga të gjithë mundësisë për të qënë në qeveri janë ultra të djathtët e AFD, fushata e të cilëve në rrjetet sociale ka përbërë një të papritur për të gjithë. Fuqia në mediat sociale ka bërë një diferencë të theksuar me të gjithë subjektet e tjera garuese. Ndryshe nga herët e tjera, në këto zgjedhje ndikimi i mediave sociale ka qënë i ndjeshëm, por metodika që ka ndjekur AFD ka bërë që dy partitë e mëdha, CDU dhe SDP të mbeten larg mënyrës së zgjedhur nga AFD. Kandidatja e kësaj partie Alice Weidel ka patur një ndjekje të videos së saj në Fb nga 4.9 milion njerëz në një periudhë prej një muaji e gjysëm, duke patur një diferencë të theksuar me kandidatët e tjerë garues. Duke e bazuar komunikimin mbi emocione, që përmes mediave sociale përcillen më shpejt dhe konsumohen nga publiku, AFD ka mundësuar një ndjekje dhe rritje të ndjeshme, pavarësisht pamundësisë për të qënë pjesë e qeverisjes, jo nga rezultati se sa nga esktremitetet politike që ka në bazë të programit të saj.

Facebook ishte një pedanë e madhe elektorale për AFD, por ishte dëshmi se tashmë mesazhet dhe emocionet kalojnë e ndikojnë më së shumti nepërmjet rrjeteve sociale me një përparësi e konkurencë të fuqishme.

Periudha e mbetur deri me 26 shtator inspiron përdorimin e të gjitha mundësive të cilat do analizohen në fund për rezultatet që japin. Ajo që është më kryesorja dhe që është sigurisht më e rëndësishmja është se : Kush do të jetë pasuesi i Angela Merkelit? Sondazhet vijojnë të japin një panoramë jo të qartë, por sipas shifrave me sa lexohet deri tani do të ketë një qeverisje me tre parti. Nëse sipas gjasave do të jetë kështu, procesi i formimit të qeverisë jo vetëm do të jetë i vështirë, por do vonojë nga kushtëzimet e subjekteve pjesëmarrëse, pasi mund të krijohen koalicione të ndryshme, ku të gjelbërit dhe të FDP-së të jenë të hapur si me SPD-në ashtu edhe me CDU-në. Do të jetë më shumë çështje programore apo ofertash, mbetet për t’u verifikuar, por nga sinjalet që kanë lëshuar më tepër ka për të qënë çështje ofertash. Në këtë drejtim subjektet janë të rezervuara në artikulimin publik të këtyre qëndrimeve, pasi përballë elektoratit gjerman me ndjeshmëri për afera të tilla politike, ndëshkimi nuk do të mungonte.

Gëzim Podgorica