Turizmi në Shqipëri është një fushë veprimi me mundësi të mëdha. Tashmë vendi i vogël ballkanik ka krijuar infrastrukturën e nevojshme për një zhvillim të suksesshëm të këtij sektori. Ndonëse është ende larg standardeve të larta cilësore të disa vendeve me turizëm elitar. Turizmi, agrokultura dhe energjetika janë tri degët themelore ku Shqipëria ofron mundësi investimesh të dobishme për vendin dhe për investitorët e huaj. Po ashtu transporti, sidomos ai hekurudhor.

Por le të shqyrtojmë mundësitë që ofron turizmi. Shqipërinë e viziton një numër mesatar prej rreth 7 milionë të turistëve të huaj në vit. Ndërsa potencialet e saj në këtë fushë janë shumë herë më të mëdha. Tashmë shumë vende të rajonit si dhe ato europiane kanë kthyer sytë nga bregdeti dhe malet shqiptare, ku mund të kalohet një pjesë e mirë e pushimeve vjetore ose të ndërmjetme. Çmimet e lira, oportuniteti i mikpritjes tradicionale, atraktiviteti dhe diversiteti turistik e kulturor, trashëgimia historike dhe e kulturës, natyra magjepse, kombinimi perfekt i bashkëjetesës në një hapësirë turistike të detit, liqenit, lumenjve, kodrave, fushave e maleve, të gjitha këto ofrojnë një panoramë të jashtëzakonshme për turistët dhe një mundësi të pashfrytëzueshme për investitorët në këtë fushë.

Ndër turistët që Shqipëria i konsideron të huaj, dy të tretat prej tyre vijnë nga rajonet ballkanike shqipfolëse, si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por vitet e fundit është rritur shumë numri i turistëve nga Polonia dhe vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Shteti shqiptar e ka favorizuar dhe ka krijuar lehtësi për këtë duke liberalizuar vizat me vende të tilla si Ukraina, Rusia (në periudhën turistike verore), por edhe me Kinën në këtë periudhë. Qëllimi është që sa më shumë pushues europianë, rusë, kinezë e nga rajone të tjera të botës të vijnë në Shqipëri.

Por a mjafton vetëm kaq. Sigurisht që jo. Shqipëria në ditët e sotme shfrytëzon vetëm 10 - 15 përqind të kapaciteteve turistike të saj. Pjesa tjetër e bregdetit shqiptar, por edhe në terrenet e turizmit malor është e virgjër. Po ashtu të pashfrytëzuara në masën më të madhe janë potencialet turistike të liqeneve, lumenjve dhe zonave të ndryshme të vendit. Në Dibër ndodhet krahina e Lurës e përmendur për shtatë liqenet e saj të mrekullueshëm në lartësi 1500 m mbi nivelin e detit. Por ajo nuk është ende një atraksion turistik, për shkak të mungesës së investimeve. Në Alpet e Shqipërisë ndodhet mrekullia turistike e rajonit. Valbona dhe Thethi janë dy epiqendrat e kësaj treve, ndërsa ato kanë mundësi që të lidhen me zonat turistike të Malit të Zi dhe Grykës së Rogovës në Kosovë, pasi blloku masiv i vargmaleve është i pandërprerë.

Investitorët kinezë do të kishin mundësi të pafundme investimesh në këtë fushë në bregdetin shqiptar dhe në alpe e rajone të tjera të vendit. Vija bregdetare e Shqipërisë është mbi 400 km dhe deti Adriatik dhe ai Jon në jug të vendit janë të ngrohtë dhe krijojnë mundësi për një turizëm gjithëvjetor. Në vijën bregdetare llogaritet që në 362 km të ketë mundësi investimi për të krijuar plazhe dhe resorte të reja e moderne. Pjesa e pashfrytëzuar e këtij bregdeti pret investitorë të fuqishëm, të cilët mund të orientohen tashmë nga turizmi elitar e cilësor. Janë me mijëra e qindramijë investitorë kinezë, ata të cilët që mund të ndërmarrin iniciativën e këtij investimi të rëndësishëm. Mjafton që informacioni të shkojë në vendin e te sipërmarrësit e interesuar.

Nga investimet kineze varet gjithashtu edhe numri i turistëve nga ky vend. Nëse investitorët nga Kina zgjedhin të ndërtojnë resorte moderne për pushues VIP, atëherë ata i kanë të gjitha mundësitë që të sjellin në Shqipëri këtë kategori turistësh. Për këtë Shqipëria ofron mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm në kuptimin e pamjeve magjike, sidomos të bregdetit, por edh për shkaqe tjera.

Shqipëria është vendi ku trashëgimia historike e kulturore e periudhës antike, të perandorisë romake, bizantine e asaj turke është e përhapur kudo. Tri nga këto qytete, Butrinti në Sarandë, Gjirokastra dhe Berati janë pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Por në afërsi të bregdetit ndodhen edhe qytete të tjera antike të famshëm në histori, si Apollonia, Bylis, etj. Po ashtu në veri të vendit si p.sh në Shkodër turistët gjejnë jo vetëm kalanë e përmendur të Rozafës, por edhe një kombinim të jashtëzakonshëm të turizmit detar e malor, hapësirë në të cilën përfshihet deti, liqeni i Shkodrës, Lumi Drin, Lumi Buna dhe Lumi Kir, si dhe fusha e përbëri tyre kodra e male me një relief të e mahnitës. Qyteti i Shkodrës shtrihet në bregun e liqenit dhe përshkohet në tri anët e saj nga tre lumenjtë e përmendur. Ndërsa 20 km larg tij ndodhet një nga plazhet më të përmendura të Adriatikut e thuajse i virgjër, ai i Velipojës.

Të gjitha këto avantazhe ka shanse dhe mundësi të mëdha që të shfrytëzohen nga investitorët e fuqishëm të Republikës Popullore të Kinës, me qëllim që ata të bëhen pjesë e zhvillimit turistik të Shqipërisë, duke ndihmuar shtimin e numrit të turistëve nga vendi i tyre, por dhe shtimi i turistëve të tjerë nga e gjithë bota. Ndërkaq investimet në krijimin e resorteve turistike mesatare, moderne e të luksit, rritin shanset që në një etapë të dytë ato të shtrihen në bujqësi dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Enver Bytyçi