Zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, shoqëruar me përleshje, që lehtësisht klasifikohen si dhunim i institucioneve, së bashku me shumë ngjarje të tilla ndodhur në vendet perëndimore vitet e fundit kërkojnë shpjegime dhe argumenta në lidhje me eficiencën e sistemit demokratik.

Në aspektin e shkencës së sociologjisë është e dukshme dhe mjaftueshmërisht e kuptueshme se në një sistem politik është shumë e rëndësishme që të përcaktohet kush e mban pushtetin brenda marrëdhënies së qeverisë dhe qytetarëve dhe si qeveria e përdor fuqinë që disponon. Në këtë aspekt, sipas sociologëve, demokracia është një formë e qeverisjes në të cilën qytetarët krijojnë dhe votojnë për ligjet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve.

Nëse e trajtojmë çështjen në aspektin e shkencave politike, atëhere duhet që të kuptojmë se sistemet politike luhaten midis ekzistencës së kufizime dhe sistemet e pakufizuara dhe duke thënë këtë, është shumë e rëndësishme që, nëse ekzistojnë kufijtë dhe nëse nuk ekzistojnë kufijtë (dhe kjo është në varësi të çështjes që shqyrtohet), ata që kanë në dorë frenat e drejtimit të makinës politike, ekonomike dhe sociale në një vend të caktuar, të jenë koshientë se kur duhet shtypur gazi dhe kur duhet që të përdoren frenat. Nëse klasa politike në pushtet dështon të kuptojë se si duhet që të veprojë, atëhere klasa politike ndërrohet.

Është në dorë të një shoqërie, në një vend të caktuar në një kohë të dhënë që të tregojë se është mjaftueshmërisht koshiente në lidhje me mekanizmat që ajo përdor për të sjellë ndryshimin e kërkuar.

Pra, gjendja në një vend të caktuar gjeneron kërkesa të ndryshme që dalin përpara shoqërisë për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, më tej, nëse këto ndryshime pranohen nga klasa politike në vend, ato fillojnë dhe zbatohen dhe nëse janë të suksesshme, qytetarët mbështesin klasën politike.

Mbi këtë bazë funksionon edhe konkurrenca në gjenerimin e kërkesave për zgjidhje dhe prioriteteve për to. Kjo na çon përsëri në fazën e gjenerimit të kërkesave dhe kështu kemi një cikël të pafundëm politik.

Nëse sistemi funksionon siç përshkruhet më lart, atëherë kemi një sistem të qëndrueshëm politik. Nëse sistemi nuk I përgjigjet nevojave, dëshirave dhe pritshmërive të qytetarëve, atëhere kemi të bëjmë me një sistem politik jofunksional.

Nëse sistemi funksionon, atëhere themi se ka kontroll, barazi politike dhe normat shoqërore.

Por, çfarë ndodh në të vërtetë në sistemet demokratike, përfshirë edhe SHBA:

1. Demokracia nuk është efikase dhe eficiente dhe kjo bën që në këto sisteme produktiviteti të vijë në rënie të vazhdueshme, që në rastin më të keq reflektohen në ndryshime të shpeshta në qeverisje dhe në protesta e revolta. Në këtë aspekt ndërthuret fakti se votuesit, kur paraqiten në kutinë e votimit nuk kanë tërë informacionin e nevojshëm për të marrë vendime të qarta, të sakta, të argumentuara dhe të vlefshme.

2. Në mjaft vende me një sistem të ashtuquajtur demokratik vërehet se demokracia si sistem i ngadalëson proceset dhe procedurat dhe kjo vjen sepse fillon dhe limitohet kontributi i qytetarëve, duke bërë që numri i nevojshëm i pjesëmarrësve për të arritur një vendim, të jetë më i ulët se sa kërkohet nga procedura.

3. Në shumë raste në sistemet demokratike zgjidhen udhëheqës jo kompetentë dhe kjo çon në shkatërrimin e vlerave demokratike. Sokrati, që në lashtësi ka theksuar se “demokracia pa masa të arsimuara, që të jenë në gjendje të jenë të ditur dhe të përgjegjshëm, çon vetëm në populizëm”.

4. Në të paktën 15 – 20 vitet e fundit është vënë re se sistemet demokratike nuk ofrojnë qëndrueshmëri të mjaftueshme politike, ekonomike dhe sociale.

5. Ndryshimet e shpeshta të politikave në lidhje me biznesin dhe imigracionin pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike.

6. Njëanshmëria e mediave dhe grumbullimi i tyre rreth pushtetit bën që të ketë pakënaqësi në popull dhe kjo sjell paqëndrueshmëri politike. Kjo nuk e promovon demokracinë por e pengon zgjerimin e saj.

7. Në demokracitë përfaqësuese, të paktën për 15 – 20 vitet e fundit është vënë re se ka shumë palë të interesuara që të mos kryhen zgjedhje të drejta, të barabarta, të lira dhe me standard. Kjo çon në zgjedhje mashtruese, përgjatë të cilave dhe pas tyre ka shumë mundësi për protesta dhe revolta.

8. Prania e demokracisë nuk do të thotë që patjetër dëshirat e qytetarëve do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, përfshirë këtu edhe pakicat racore, etnike dhe emigrantët.

Ajo që ndodhi në Washington DC, nuk është rast i veçuar. Protesta dhe revolta të ekstremeve të djathta kanë ndodhur shpesh vitet e fundit edhe në Gjermani (ku protestuesit kërkuan që të digjnin Reichstag-un, në Holandë (ku fermerët shkatërruan zyrat qeveritare), Hungari (ku turmat sulmuan televizionin shtetëror), Rumani (ku turmat dolën në shesh për shkak të pasurimit të pakufijshëm të pushtetarëve), Bullgari (ku turmat dolën në shesh për shkak të korrupsionit galopant), etj.

Por është shumë e rëndësishme që të kuptojmë dhe shpjegojmë se si kemi arritur në këtë pikë.

Jemi në këtë gjendje pasi:

1. Klasa politike dështon në zgjedhjen e prioriteteve. Kjo për shkak të mungesës së planifikimit dhe manaxhimit të performancës.

2. Klasa politike në pushtet dështon të mbajë nën kontroll pinjollët e familjeve të tyre, që me paratë e taksapaguesve pasurohen dhe bëjnë jetë luksoze, kur pjesa më e madhe e popullsisë është në gjendje jo të favorshme politike, ekonomike dhe sociale.

3. Klasa politike nuk vlerëson mendimet e qytetarëve. Ajo qëndron në një gjendje jo fleksibël ndaj prirjeve zhvilluese të shoqërisë dhe pikëpamjeve pozitive e zhvilluese të saj.

4. Klasa politike është më shumë e prirur që të bëjë show me çdo kusht dhe me çdo ngjarje për të cilën i jepet mundësia.

5. Klasa politike shet për “njerëz të vërtetë” dhe “qytetarë të vlefshëm” njerëz që janë mbështetës të afërt të tyre, duke eliminuar konkurrencën dhe kanditimin e barabartë për vende drejtuese në jetën politike, ekonomike dhe sociale.

6. Klasa politike ka krijuar lidhje të forta me median dhe segmente të caktuara të biznesit (kryesisht në sektorin e ndërtimit), lidhje që sjellin një dëm kolosal kryesisht në ekonominë e vendit.