Intervistë me gazetarin e mirënjohur shqiptar të televizionit Alsat, drejtues i programit televiziv “Programi 200” në Maqedoninë e Veriut, Nazim Rashidi

CMG: Situata pandemike në Maqedoninë e Veriut ashtu si kudo ka patur ulje- ngritjet e veta. Si paraqitet aktualisht kjo situatë dhe si i vlerësoni masat e mara për përballimin e saj?

Kryeministri i Maqedonise se Veriut Zaev

Kryeministri i Maqedonise se Veriut Zaev

Nazim Rashidi: Situata me pandeminë në Maqedoninë e Veriut, siç e thatë dhe ju ka patur ulje-ngritjet e saj. Ishte një periudhë kur shifrat ngriheshin në mënyrë të konsiderueshme dhe atëhere shfaqeshin frikëra nëse do të mund të përballohej kjo situatë nga autoritetet, nga sistemi i shëndetësisë, por me kalimin e kohës shifrat filluan të bien sidomos në periudhën e fundvitit. Megjithatë autoritetet vendosën masa restriktive, por nuk kishte orë policore edhe pse kishte masa si mos lejimi i grumbullimit të njerëzve në ambjente që frekuentohen më shumë si qendra tregtare, restorante apo lokale, të cilat aktualisht punojnë deri në ora 6 pasdite. Kjo ka krijuar parandalim të përhapjes së virusit sidomos në periudhën e festave, sepse në Maqedoninë e Veriut festat e fundvitit vazhdojnë të festohen edhe në janar pasi festat fetare shënohen sipas Kalendarit Julian. Më 20 janar duhet të përfundojnë masat shtrënguese për shkak se numrat kanë filluar të bien dhe ndoshta do të ketë një lloj çlirimi të masave dhe do mund të punojnë restorantet dhe baret deri në ora 21.00, megjithatë kjo do të rishikohet. Ka një lloj frike se për shkak të festave mund të ketë një përhapje të virusit, por kjo mbetet për t’u parë.

Nga ana tjetër ka patur kritika se sistemi shëndetësor do të duhej të përballej më mirë me virusin, por kjo ka shkuar paralelisht me debatet lidhur me besimin e njerëzve në fillim për ekzistencën e virusit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se do të shohin nëse do të ketë një rritje të numrit të infektimeve si pasojë e festave dhe pastaj do të shihet si do të veprohet më tej, sa iu përket masave restriktive.

Në fokus tani është nëse do të vijë vaksina shpejt ose jo.

Gazetari Nazim Rashidi

Gazetari Nazim Rashidi

CMG: Ditët e fundit kryeministri maqedonas Zoran Zaev deklaroi se në fillim të shkurtit në vend mbërrijnë rreth 6 mijë vaksina nga kompania “Pfizer” pjesë këto e 800 mijë vaksinave në total nga kjo kompani. Si ka reaguar opinioni publik në vend rreth nisjes së fushatës së vaksinimit në muajin shkurt ?

Nazim Rashidi: Pikërisht sa i përket vaksinës kritika kryesore ndaj qeverisë është se nëse do të mundej të sillte vaksinën më shpejt se sa është paralajmëruar. Autoritetet thonë se vaksinimi do të nisë në javët në vijim por megjithatë po bëhet një presion publik për faktin se vaksinimi ka filluar në shtetet fqinje siç është Shqipëria dhe Serbia. Kjo ka rritur presionin ndaj qeverisë nëse do të mund të kishte sjellë vaksinat më shpejt. Paralelisht me këtë në opinionin publik e sidomos në rrjetet sociale ekziston diskutimi nëse janë të sigurta ose jo vaksinat, pra i njejti diskutim si dhe në botë.

Mjekët dhe shkencëtarët thonë se shpëtimi nga kjo pandemi është vaksina. Autoritetet kanë sugjeruar se vaksinat do t’i sigurojnë nga kompani të ndryshme, duke ndjekur dhe vlerësimin e institucioneve ndërkombëtare siç është Bashkimi Evropian, pasi ato të licensohen. Megjithatë nuk ka të dhëna të sakta se kur do të fillojë vaksinimi. Pak ditë më parë ministri i shëndetësisë deklaroi se vaksinimi do të nisë në javët e para të shkurtit, por ekziston presioni se përse nuk janë marrë masat për sigurimin më të shpejtë të vaksinave. Kjo dhe për faktin se Maqedonia e Veriut nuk është pjesë e Bashkimit Evropian dhe një pjesë të procedurave do të mund t’i përshpejtonte. Në këtë rast merret si shembull Britania e Madhe, e cila siç dihet nuk është më pjesë e BE-së dhe i siguroi vaksinat me hapa të shpejtë.

Një tjetër çeshtje është se vendet e Ballkanit ashtu dhe Maqedonia e Veriut u lidhën me një sistem të BE-së, COVAX për të marë vaksina sa më shpejt, por ky sistem ende nuk është vënë siç duhet në fuksionim dhe për rrjedhojë nuk dihet data e saktë e ardhjes së vaksinave.

Gazetari Nazim Rashidi Alsat Maqedoni e Veriut

Gazetari Nazim Rashidi Alsat Maqedoni e Veriut

CMG: Mekanizmi Covax dhe BE ka caktuar një sasi prej 100 milion vaksinash për Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë kryeministri Zaev ka bërë publik interesimin për marrjen nga Kina të një sasie prej 200 mijë vaksinash, krahas vendeve të tjera. Si e vlerësoni përpjekjen e kreut të qeverisë për përfshirjen në listë të vaksinave kineze?

Nazim Rashidi:Të gjitha përpjekjet e qeverisë lidhen me presionin në rritje se pse vaksinat nuk janë sjellë më herët në Maqedoninë e Veriut. Sigurisht që qeveria dhe zyrtarët e saj kanë deklaruar se do të marrin vaksinat sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që shëndeti i qytetarëve të mbrohet. Nuk ka një diskutim të qartë për faktin se vaksinat do të vijnë nga Kina ose nga vendet e tjera perëndimore. E rëndësishme për autoritetet është që popullata të vaksinohet.

Nga ana tjetër ka një rritje të presionit politik sepse opozita vazhdimisht kritikon qeverinë se do të duhej të kishte marrë masa më të mëdha. E rëndësishme për autoritetet, por sidomos për sistemin shëndetësor është që vaksinat të mbërrijnë sa më parë. Nga ana tjetër, diskutimi do të vazhdojë nëse duhen bërë ose jo vaksinat. Siç është thënë dhe në vendet e tjera vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por gjithnjë do të rekomandohet sipas ekspertëve.

Intervistoi Eda Merepeza