Debatin e nxehtë dhe me terma fyese të fundshtatorit të këtij viti, sonte pritet që në Nashwille – Tennessee ta zëvëndësojë një tjetër debat i këtyre përmasave.

Situata e pandemisë, kjo çështje me ndjeshmëri të lartë globale, ashtu siç pritej është pista ku është fokusuar debati presidencial në SHBA, ku kandidati Biden është normalisht më i avantazhuar. Trump i rikthyer në fushëbetejë pas një pauze të shkurtër të qëndrimit në spital si pasojë e një infektimi me Covid 19, i cili kaloi shumë shpejt, po shfaqet gjithnjë e më shumë sfidant në këtë drejtim, duke demonstruar se ashtu siç mposhti sëmundjen në kufij të paparashikuar, ashtu do të sfidojë edhe kundërshtarin e tij.

Në Senford të Floridas, në tubimin e parë elektoral pas daljes nga spitali, duke u ndalur tek çështja e koronavirusit, Trump deklaroi se: "Të gjithë do të marrin të njëjtat ilaçe", duke iu referuar trajtimit të tij që përfshinte një përzierje eksperimentale antitrupash, që konsiderohet e shtrenjtë dhe e vështirë për t'u prodhuar, si dhe një ilaç anti-viral i autorizuar aktualisht vetëm për përdorim në raste urgjente.

“Ndihem shumë i fuqishëm. Dua të jem në mesin e kësaj audience”, tha ai dhe deklaroi se tani gëzon imunitet ndaj virusit. “Do t’i puth të gjithë në audiencë, djemtë dhe gratë e bukura”. "Klasa politike e korruptuar është e dëshpëruar për të rimarrë pushtetin me çdo mjet të nevojshëm, ne jemi ata që po i pengojmë", shtoi ai.

Presidenti Trump akuzoi Joe Biden-in se ishte i varur nga "globalistët radikalë" dhe se u kishte dhënë "socialistëve, marksistëve dhe ekstremistëve të majtë", kontrollin e Partisë Demokratike. Ky ishte tubimi i parë elektoral i presidentit që nga shtrimi i tij në spital për COVID-19.

Ai ka vijuar më pas me një sërë takimesh të tjera, duke nënvizuar kredon e tij se nuk i ka dëgjuar e nuk do t’i dëgjojë shkencëtarët, pasi po t’u referohej atyre “sot do të kishim një ekonomi në recesion” sipas tij. I cilësuar si njeriu antishkencë ai vazhdon në të gjithë trajektoren e vet elektorale, t’u japë jetë ideve dhe mendimeve të tij, që po e bëjnë më të fortë Amerikën, ndërkohë që tërheqja nga marrëveshje të rëndësishme me efekte përcaktuese, sidomos ajo për klimën, mbështetur mbi atë që nënvizojnë analistët, do të sjellë pasoja të mëdha negative për globin.

Kandidati demokrat për President Joe Biden vizitoi Ohajon në të njëjtën ditë që Trump ishte në Senford. "Populli amerikan nuk i ka më sytë e mbyllur", tha zoti Biden në një tubim me punëtorët e një sindikate të automobilëve në Toledo .

"Ata po shohin tek përballemi me pandeminë, krizën ekonomike dhe pabarazinë racore dhe me atë që po ndodh në arenën ndërkombëtare. Ata janë gati të sjellin ndryshim. Ata e dinë që ne duhet të ndryshojmë”, tha Biden.

Në turin e tij elektoral, i cili këto ditë është intensifikuar së tepërmi, zoti Biden në Sinsinati, u foli të pranishmëve se rreth 215,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe për parashikimet se 200,000 të tjerë mund të vdesin deri në fund të janarit.

"Të gjithë për shkak se presidenti shqetësohet vetëm për një gjë, tregun e aksioneve, sepse ai refuzoi të zbatonte atë që thotë shkenca”, nënvizoi Biden. Pista shkencë-antishkencë, e cila ekspozohet më së shumti tani me shfaqjen e Covid-19 po bëhet dominuese në fushatë. Zoti Biden është më i kontrolluar në këtë pikë dhe mbetet më dogmatik përsa i takon referencës shkencore, gjë që e ka avantazhuar deri tani, sipas metodologjisë së sondazheve në këtë përqasje.

Mbështetur në sondazhet e organizatës Real Clear Politics, zoti Biden ka një epërsi të dukshme prej 7 për qind në Pensilvani, që konsiderohet si një nga shtetet më kritike nga të dyja fushatat. Në Florida, zoti Biden ka një epërsi më të vogël, 3.7 për qind përkundër zotit Trump.

"Ne do të fitojmë me më shumë diferencë sesa katër vjet më parë", tha Presidenti Trump në Florida, duke kundërshtuar sondazhet. Këtë gjë ai vazhdon ta përsërisë në të gjitha tubimet e tij, duke sjellë në vëmendje një situatë të ngjashme të katër viteve më parë.

Sipas sondazheve të fundit, të dy kandidatët janë pothuajse në pozita të barabarta në Ohajo, një shtet që Presidenti Trump e fitoi me 8 për qind më shumë, ndaj rivales demokrate Hillary Clinton në vitin 2016. Analiza e sondazheve të realizuara deri tani nga ekipe të specializuara jep epërsi për kandidatin Biden, por ajo që mbetet përcaktuese ndonëse kanë mbetur dy javë, janë termat e vakëta në fushën e ekonomisë, shëndetit, emigrantëve, që mendohej para pandemisë se do ta dominonin fushatën. Qëndrimet e zotit Trump ndaj marrëveshjeve bërthamore dhe të klimës, të cilat kanë një ndikim shumë të madh në të gjithë qasjen globale, janë anashkaluar, kur dihet që ato rezonojnë jo vetëm në jetën e përditëshme të amerikanëve, por edhe në shkallë globale.

Sipas analistëve, shanset e zotit Trump për të sfiduar kundërshtarin e tij demokrat, kanë rënë që me shfaqjen e koronavirusit, pasi ekonomia amerikane ka pësuar një dobësim të ndjeshëm, ndërkohë që Trump mendohej se do e kishte një ndër kartat më të fuqishme në fushatë. Në strategjinë e tij, Trump ka kaluar në një kurs agresiv ndaj Kinës, duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve kinezë, po kështu për shkak të gjoja sigurisë kombëtare, ka kufizuar hyrjen e kompanive kineze të teknologjisë së avancuar. Kritikët e Trump gjykojnë se kjo taktikë e tij për të fajësuar Kinën, është një përpjekje e mundimshme për t’iu shmangur ballafaqimit me menaxhimin e pandemisë dhe viktimat më të shumta se në të gjithë globin, shifër që e ka kaluar numrin 215.000 dhe që ditët e fundit ka shënuar përsëri rritje.

Më 24 janar, 9 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes tregëtare SHBA-Kinë pas bisedimesh mjaft të vështira, Trump deklaroi se Kina “ka punuar shumë për të luftuar koronavirusin” dhe se Amerika “i vlerëson përpjekjet dhe transparencën e saj”. Qëndrimi i zotit Trump ndryshoi pothuaj radikalisht kur nga pandemia u mbyllën dhe kaluan në paralizë pjesë të mëdha të ekonomisë me një ndikim prej një rritjeje 15 % të papunësisë. Që nga ajo kohë e në vazhdim zoti Trump ia hodhi fajin Kinës duke thënë se ka penguar informacionin dhe lejuar përhapjen e sëmundjes.

Efektet e këtyre akuzave për t’iu shmangur mungesës së strategjisë për përballimin me pandeminë, ka pak gjasa që mund ta ndihmojnë zotin Trump të rikuperojë disavantazhin e tij në këtë pikë me zotin Biden. Zgjedhjet në SHBA nuk marrin vetëm vëmendjen e amerikanëve, pasi politikat dhe qëndrimi i administratës së re, ka një ndikim të ndjeshëm në të gjithë ekuilibrat, politikat dhe marëdhëniet globale.

Në Europë ka një qasje të kujdesëshmë të udhëheqësve të lartë për të shprehur preferencat e tyre dhe qëndrimin ndaj rezultatit të pritshëm të zgjedhjeve. Kjo nuk po ndodh vetëm tani, është një qëndrim i fiksuar prej kohësh kur shumica e udhëheqësve evropianë nuk shrehen hapur në favor të njërit apo tjetrit kandidat, pasi një gjë e tillë mund t’i kthehej në boomerang jo vetëm përpara zgjedhësve të tyre, por edhe në marëdhëniet me administratën fituese. Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Presidenti i Polonisë Andrzej Duda janë të vetmit udhëheqës në të gjithë Evropën që kanë shfaqur hapur mbështetjen e tyre për Presidentin Donald Trump, ndërkohë që sipas sondazheve ndaj tij ka një skepticizëm të thellë lidhur me qeverisjen dhe platformën e ardhëshme, nga vendet e Evropës Perëndimore. Polakët presin një shtim të numrit të ushtarëve amerikanë atje, gjë që vihet në pikëpyetje në rast të fitores së Biden, ndërkohë që kryeministri hungarez shfaqet gjithnjë e më i vrazhdë në komunikimin me Brukselin, përsa i takon respektimit të standardeve demokratike dhe situata në Hungari cilësohet sot si një “ demokraci e sëmurë”. Duke bashkuar sjelljen e tyre autoritare, me qasjen ndaj migrimit, udhëheqësit e Polonisë e Hungarisë, e konsiderojnë Trumpin një aleat strategjik dhe shfaqen hapur në krah të tij.

Ndryshe ndodh në Evropën Perendimore, ku udhëheqësit e saj jo vetëm tregohen të përmbajtur e të kujdesshëm, por mbajnë një distancë etike e diplomatike ndaj zgjedhjeve në SHBA, pavarësisht gjykimit të publikut të tyre. 13 % e gjermanëve, 18 % e suedezëve dhe 20 % e francezëve janë shprehur pro politikave të Trump në çështjet me rëndësi globale. Shifra të ulta këto, krahasuar me presidentët paraardhës, por edhe me pritshmëritë e stafit të Trump. Sigurisht që Presidentin e voton populli amerikan dhe secili nga kandidatët gjithë strategjinë e drejton tek elektorati atje, por klima e besimit apo mosbesimit në Evropë, nuk është pa ndikim. Rezonanca e saj mund të jetë e vogël, por mbetet një referencë që tregon se besimi përtej kufijve të SHBA-së është lëkundur ndjeshëm. Një ndikim të madh sipas analistëve ka patur tërheqja nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshimin e Klimës dhe ajo bërthamore për Iranin. Udhëheqës dhe zyrtarë të lartë të Evropës Perëndimore, në koridoret e konferencës së Mynihut vitin e kaluar, lëshuan sinjale në drejtim të zotit Biden që ai të kandidonte, duke njohur sensibilitetin e tij për dy marrëveshjet nga të cilat është larguar zoti Trump.

Çështjet me të cilat ballafaqohet sot sfida presidenciale janë të shumta, por ajo që vihet re në këtë periudhë është fakti se udhëheqësit e vendeve të mëdha të globit aq sa e ndjekin me vëmendje, aq janë edhe të kujdesshëm për të mos u shprehur në favor të njërit apo tjetrit kandidat. Ka një varg arsyesh që e bëjnë këtë gjë, por mbetet themelore edhe ruajtja e integritetit dhe fuqisë së tyre, si drejtues të shteteve që në arenën ndërkombëtare përcaktojnë një varg ekuilibrash të rëndësishëm.

Gëzim Podgorica