Kina ka festuar 40 vjetorin e themelimit të Zonës Speciale Ekonomike të Shenzhenit në provincën jugore Guangdong. Shenzhen u deklarua si zonë e parë ekonomike e Kinës nga udhëheqësi Deng Xiaoping në 1979, ndërsa në Gusht 1980, Komiteti i Përhershëm i Kongresit të Pestë Kombëtar të Popullit, miratoi krijimin e Zonave Speciale Ekonomike në Shenzhen, në Zhuhai dhe në Shantou në Provincën Guangdong si dhe në Xiamen të provincës Fujian. Shenzhen ka një sipërfaqe totale prej 1.985 kilometra katrorë, me një vijë të gjatë bregdetare prej 230 kilometrash. Ka burime të pasura detare, një port të shkëlqyeshëm dhe një hyrje të hapur në gji, të cilat i sigurojnë avantazhe për transportin detar. Shenzhen funksionon si një urë midis Hong Kongut dhe Kinës kontinentale.

Shenzhen i shtrirë në pjesen jugore të Provincës Guangdong është kthyer në një nga zonat metropolitane më të mëdha në botë. Provinca Guangdong e Kinës është një nga pesë provincat më të mëdha të Kinës me nivelin e të ardhurave të disponueshme për banor, nga më të lartat mbas provincës së Shangait, Pekinit, Tianjinit dhe Zhejiangut. Në periudhën 2013-2018, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave, të ardhurat e disponueshme për banor kanë rritjen më të lartë në rreth 53% në krahasim me provincat me të ardhura më të mëdha të Kinës. Provinca është kontribuuesja më e madhe e të ardhurave publike. Në vitin 2018, të ardhurat janë në mbi 100% më të larta krahasuar me provincën e Pekinit dhe në mbi 70% më të larta se Shangai. Gjithashtu edhe të ardhurat nga taksat janë rreth 95% më e larta se Pekini dhe 55% më të larta se Shangai.

Që nga vitet 1980, Shenzhen u rrit nga një qytet peshkimi me 30,000 banorë, në një qytet me një popullsi mbi 13 milion banorë dhe një qendër për prodhimin industrial e specializuar në elektronikë dhe telekomunikacion me ndikim global.

Përparimet e qytetit gjatë 40 viteve të fundit në sektorin e industrisë, të teknologjisë së lartë, të logjistikës, të shërbimeve përfundimtare si dhe në nivelin kulturor, kanë kontribuar jo vetëm në rritjen e popullësisë, por edhe në rritjen e shpejtë të të ardhurave krahasuar me qytetet e tjera të Kinës. Gjuha mbizotëruese në Shenzhen është Mandarin. Një numër i madh i punonjësve të shërbimit publik dhe të biznesit, si dhe brezat e rinj, flasin anglisht. Shenzhen është bërë një nga bazat më të rëndësishme të kërkimit dhe zhvillimit të teknologjisë së lartë të Kinës dhe bazë e prodhimit.

Aktualisht është porti i katërt më i madh në botë i kontejnerëve dhe ka aeroportin e katërt më të madh në Kinë. Shenzhen ka një gamë të gjerë të objekteve kulturore. Deri në fund të vitit 2017 Shenzhen kishte 638 biblioteka publike, 43 muze, 46 teatro dhe mbi 400 galeri arti. Ai tërheq numrin e katërt më të madh të turistëve midis qyteteve kineze. Parku i Kulturës Kreative pret festivale të tilla si Konkursi Botëror i Koreve, Festival Ndërkombëtar i Filmit Shkencë dhe Teknologji, Festivali Kombëtar i Muzikës ”Një Brez Një Rrugë”, si dhe organizon ekspozita të shumta vendore dhe ndërkombëtare.

Pas katër dekadave të rritjes së shpejtë ekonomike, Shenzhen aktualisht renditet në vendin e pestë midis qyteteve aziatike përsa i përket nivelit të prodhimit kombëtar. Produkti i Brendshëm Bruto u zgjerua nga 4 Milionë US dollarë në 1980, në rreth 397 Miliardë US dollarë në 2019. Prodhimi i Pergjithshem Bruto ka shënuar një rritje mesatare vjetore në 21.7% në periudhën 2009-2019, duke u rritur nga 848.6 Miliard Yuan në vitin 2009 në 2 692.1 Miliard Yuan në vitin 2019. Krahasuar me qytetet e Kinës, Shenzhen renditet i treti mbas Shangait dhe Pekinit. Në vitin 2018, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto në mbi 366.03 Miliardë US dollarë, tejkaloi atë të Hong Kongut në nivelin e 362.4 Miliardë US dollarë. Të ardhurat e PBB-së për banorë po ashtu janë rritur në mënyrë shumë të lartë duke kaluar nga 122,4 US dollarë në vitin 1980, në mbi 30 000 US dollarë në 2019.

Kontributi i Shenzhenit për kombin arrin përtej asaj që mund të matet vetëm me shifra ekonomike. Në fusha të tilla si reforma e sistemit ekonomik, reforma e sistemit shoqëror, konkurrenca e tregut dhe marrëdhëniet industriale, janë një shembull i jashtëzakonshëm për t'u ndjekur nga qytete dhe rajone të tjera. Shenzhen është bërë një model për reformën dhe hapjen drejt ekonomisë së tregut, duke provuar të jetë shembull i vlefshëm për pjesën tjetër të kombit. Përvojat kryesore përfshijnë krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi, reformën institucionale, rritje e autoritetit për vendimmarrje lokale, si dhe zbatimin e politikave konkurruese. Si një nga qytetet e para në Kinë që krijoi një Zonë Speciale Ekonomike, Shenzhen është përqendruar në reformat institucionale të kërkuara, duke ndërtuar një sistem të ri ekonomik të orientuar drejt tregut.

Burimi themelor i zhvillimit të qytetit si Zonë Speciale Ekonomike, shihet në transformimin nga një ekonomi e planifikuar, në një sistem të bazuar në ekonominë e tregut. Shenzhen është qyteti i parë në Kinë që hapi tregun e tokës, duke e bërë të tregëtueshme tokën truall të banimit. Në 1980, Shenzhen ndërmorri politika për të hequr kontrollin mbi çmimet per mallrat kapitale dhe lehtësuar kufizimet në çmimet dhe tarifat që lidhen me disa mallra te konsumit. Pas themelimit të Zones Speciale Ekonomike Shenzhen filloi kryerjen e reformave progresive në paga, lëvizshmërinë e fuqisë puntore dhe kontratave te punës. Shenzhen është qyteti i parë në Kinë që lejon praninë e bankave të huaja. Në tetor 1986, qeveria komunale e Shenzhen përzgjodhi disa ndërmarrje shtetërore për të pilotuar reformën e shndërrimit të tyre në ndërmarrje të përbashkëta anonime.

Shenzhen konsiderohet si një pionier global në disa sektorë të teknologjisë së lartë, duke përfshirë teknologjinë mobile, sekuencat e ADN-së, meta materialet dhe ekranet 3D. Sipas Planit të Zhvillimit për Zonën e Gjirit të Madh Guangdong-Hong Kong-Macao, Shenzhen është një nga katër qytetet kryesore që shërbejnë si motorë për zhvillim në rajon. Shenzhen konsiderohet të jetë qendra e teknologjisë dhe R&D e ketij rajoni. Që nga 2018, katër përqind e Prodhimit te Brendeshem Bruto të Shenzhenit u investua në kërkime në mbi 11,000 ndërmarrje të teknologjisë së lartë. Shenzhen gjithashtu ka bursën e vet të aksioneve, e cila është një nga dy bursat bashkë me atë të Shangait që veprojnë në mënyrë të pavarur në territorin e Kinës. Gjithashtu bursa e Shenzhenit renditet e teta më e madhe në botë.

Më 18 gusht 2019, Komiteti Drejtues i Partisë për reformën ka shpallur planet e reja për zgjerimin e rolit të qytetit në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Sfidat e zhvillimit përfshijnë objektivin që deri në vitin 2025, Shenzhen do të bëhet një qytet i nivelit botëror, i njohur për inovacion, me fokus të veçantë në shërbimet publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor. Deri në vitin 2035, Shenzhen do të synohet te bëhet vitrina kryesore ndërkombëtare e Kinës e inovacionit, e krijimtarisë dhe e sipërmarrjes. Deri në vitin 2050 Shenzhen do të qëndrojë në mesin e qyteteve kryesore të botës si një pikë referimi e konkurrencës, inovacionit dhe ndikimit global.

Prof. Dr. Petraq Milo