Kompozitori Enver Shëngjergji është një artist me dhunti të shumta. Muzika e tij shtrihet në disa zhanre, atë të muzikës popullore e muzikës së lehtë shqiptare. Një jetë me plot vështirësi, por me një dashuri të madhe për muzikën dhe me një krijimtari muzikore që nuk do të vdesë kurrë. Mjaton të përmendim një prej perlave që vazhdon të këndohet edhe sot nga të rinjtë nëpër karaoke, “Vajzat e fshatit tim” të cilën e ka interpretuar këngëtarja Alida Hisku, por që shumë pak e dinë se e ka kompozuar Enver Shëngjergji.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, gjithashtu “Shoqata Tirana” e ka nderuar kompozitorin Enver Shëngjergji me titullin “Fisnikëria Tiranase”.

Enver Shëngjergji, solli disa javë më parë koncertin e tij recital “Kënga, jeta ime” që përfshinte 12 këngë nga krijimtaria e tij muzikore. Nën drejtimin e kantautorit Gjergj Leka, këngët në këtë recital erdhën të ripërpunuara, riorkestruar nga kompozitori, si dhe u interpretuan nga artistët e njohur të muzikës shqiptare, Alida Hisku, Justina Aliaj, Bashkim Alibali, etj.

Kompozitori shqiptar Enver Shëngjergji ka lindur në Tiranë në viitn 1948. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1966-1969. Nga viti 1970 deri në vitin 1974 ka punuar pedagog në këtë institucion ndërsa në vitet në vijim ka patur detyra të rëndësishme si përgjegjës i muzikës në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”, pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” etj. Nga viti 1995 deri sot ai është në pension invaliditeti, pasojë e prekjes nga një patologji artriti. Për afro 40 vjet ka kontribuar me krijimtari në muzikën e lehtë dhe popullore.

Krijimtaria e tij është vlerësuar me disa çmime në aktivitetet lokale dhe kombëtare, ndër të cilët mund të përmendim këngët, “Udhëtuam së bashku”, "Mbrëmja e fundit”, “Vajzat e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit”, “Lulet e mollës”, etj. Motoja e tij në krijimtarinë muzikore ka qenë mbështetja në folklorin e pasur të popullit shqiptar.

Ne kontaktuam për të realizuar një intervistë me të për Grupin Mediatik të Kinës, dhe ai u tregua mjaft dashamirës, por për shkak të problemeve shëndetësore ishte i pamunduar realizimi. Pas recitalit “Kënga, jeta ime” është shprehur për mediet shqiptare:

Enver Shëngjergji: Koncerti im i parë e ka qenë me krijimtari time më të mirë në gjininë e muzikës popullore. Recitalin e dytë e kam improvizuar gjatë kohës së Covidit, i ulur në organo, ku kam luajtur vetë në tastierë të gjitha ato materiale që ishin më të mirat, që u kënduan në recital, falë ndihmës së kompozitorit Gjergj Leka, që me pasionin dhe profesionalizmin e tij ka arritur t’i sjellë këto këngë me një frymë të re. Falenderoj dhe mjekun popullor Ylli Merja, i cili kontribuoi për këtë koncert, këngëtarët që interpretuan këngët që kishin kënduar dikur. Alida Hisku ka kënduar një këngë në festivalin e parë të studentit “Mbaje mend atë natë”, gjithashtu dhe këngën “Vajzat e fshatit tim” . Më nderoi me pjesëmarrjen e saj dhe këngëtarja, Justina Aliaj ku këndoi një këngë nga festivali i dytë i studentit, “Erdhën nga larg”. Bashkim Alibali i cili ka kënduar “Lulet e fundit”, por ka kënduar edhe “Lulet e mollës”. Ishte dhe Marjana Leka që ka kënduar para 30 viteve ninullën “Fli, biri nënës fli”.

Kam realizuar edhe dy këngë për mbesat e mia, Emën vajzën e djalit dhe Idenin që është vajza e vajzës që jeton në Amerikë, krijime që i kam realizuar kur ato ishin të vogla. Gjithçka në jetë ja kam dedikuar dy mbesave të mia sepse i kam thesar, prandaj dhe populli i ka quajtur “mjalti, i mjaltit”.

Një njeri që nuk jeton me nostalgjinë e viteve, kot që jeton. Unë jam nostalgjik, se kam shkruar muzikë për publikun shqitar, kam shkruar muzikë që e këndoi populli im, dhe kam shkruar muzikë që do jetojë në veshët dhe mendjen e popullit tim.

Kantautori Gjergj Leka, gjatë koncertit recital të kompozitorit Enver Shëngjergji, ndër të tjera theksoi:

“Nuk mund të mungonte një emër i madh këngës shqiptare, nuk është vetëm miku im, kam disa miq këtu, që na mblodhën së bashku. Ky artist loton shpesh, por nuk e ka nga mosha sepse ai lotonte edhe kur ishte 30 vjeç, derdh lot gëzimi, por shumë herë dhe lot hidhërimi. Sot të gjithë ju që po e ndiqni këtë koncert, do jetoni mrekullinë e një pjesë të krijimitarisë së këtij kompozitori, por do shijoni dhe momente kaq të bukura, si mund të risillet një këngë e dikurshme, të vij sot dhe jo vetëm në zemrën tonë, por mbi të gjitha në mendjen e të rinjve” përfundoi fjalën e tij kantautori Gjergj Leka.

Dhe në fund të recitalit kompozitori Enver Shëngjergji, mjaft i emocionuar për realizimin e këtij recital me krijimtarinë më të mirë të tij nga zhanri i muzikës së lehtë, ndau dy fjalë për të gjithë ata që kontribuan për koncertin, por edhe për publikun e tij që e ka ndjekur dhe i ka kënduar këngët e tij ndër vite:

Enver Shëngjergji: “Ju jam mirënjohës, ju dua me shpirt me zemër çfarë keni bërë për mua, Zoti jua shpërbleftë dhe paçi jetë dhe shëndet. Jam i emocionuar dhe nuk kam turp edhe të lotoj. Faleminderit të gjithëve ju që dhatë ndihmën për realizimin e këtij koncerti, por falenderoj dhe popullim tim që e dashur dhe kënduar këngën time” përfundon fjalën e tij autori i mbi 50 hiteve shqiptare, Enver Shëngjergji.

Sava Lena