Kur bëni vizitë në qytetin Urumqi, kryeqendrën e Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës, Pazari i Madh Ndërkombëtar i Xinjiang-ut, i njohur edhe si Pazari i Madh i Urumqit, është një vend që duhet vizituar patjetër. Këtu mund të përjetoni kulturën islamike, mund të shijoni ushqime të shijshme të Xinjiang-ut dhe mund të blini produkte të larmishme, si ato të zejtarisë etj.

Pazari i Madh Ndërkombëtar i Xinjiang-ut u përurua në qershor të vitit 2003. Sipërfaqja e tij e ndërtimit arrin në 100 mijë metra katrorë, duke qenë kështu pazari më i madh në botë. Ndërtesat e pazarit kanë tipare të spikatura të arkitekturës islame dhe të krahinave perëndimore të Kinës. Mund të thuhet se Pazari i Madh i Urumqit është një dritare e kulturës dhe e produkteve të Xinjiang-ut.

Çdo turist në këtë pazar sigurisht që do të blejë diçka, sepse mallrat atje janë shumë të pasura. Ju mund të blini një kapelë lulesh tradicionale të kombësisë ujgure. Kjo lloj kapele bëhet me mëndafsh ose lesh, ka formë katrore dhe qëndisma me lule. Kapelat me lule kanë ngjyra të shumëllojshme. Në Xinjiang, si fëmijëve, edhe të rriturve, u pëlqejnë të mbajnë këtë kapelë. Në pazar mund të shohim thika tradicionale ujgure, ndër të cilat thika e Yengisar-it është më e famshmja. Kjo thikë prodhohet në kontenë Yengisar të Kashgarit dhe ka famë për formën, zbukurimet tërheqëse dhe tehun e mprehtë. Thika e Yengisar-it është një nga tre llojet më të famshme të thikave të pakicave kombëtare kineze, së bashku me thikën e mesit të Baoan-it dhe thikën e Husa-s. Thika e Yengisar-it jo vetëm përdoret në jetën e përditshme, por edhe është një objekt i bukur zejtarie. Thika zbukurohet zakonisht me gurë të çmuar dhe është një dhuratë e vyer e banorëve të kombësisë ujgure për shokët ose të afërmit.

Gjithashtu, veglat muzikore, qilimat, artikujt prej lëkure, argjendurinat tradicionale të Xinjiang-ut etj. janë zgjedhje të mira për çdo vizitor.

Pazari i Madh i Urumqit është edhe parajsa e ushqimeve të shijshme. Këtu mund të shijohen ushqimet e ndryshme tipike të Xinjiang-ut, si qebapi me mish qengji, pilafi, buka nang etj. Xinjiang-u cilësohet si “vendlindja e frutave”, prandaj në Pazarin e Madh tregtohen fruta të ndryshme të thata, si rrush të thatë, arra, fiq të thatë etj. Vetëm rrushi i thatë ndahet në mbi dhjetë lloje, me ngjyrë të gjelbër, të kuqe, të zezë, të purpurt etj.

Pazari i Madh në Urumqi është një vend magjik që tërheq turistë të vendeve të ndryshme. Çdo vizitor patjetër do të kënaqet aty dhe nuk do të dojë që të largohet. (Fani/Artan)