“Parisi i vogël”, qyteti i serenatave, djep i kulturës, i njohur për birren, për kërnackat, për rrugicat me kalldrëm etj. Ka dhejtra epitete për këtë qytet, për të përshkruar mrekullitë e tij. Një qytet i pasur me vlera, tradita, zakone, pasuri mbresëlënëse natyrore, për të mos lënë pas dhe kulturën. Korça mbetet një ndër qytetet model në Shqipëri. E ndodhur në juglindje të vendit, ky qytet cilësohet si më i bukuri në vend.

Hstoria

Ndonëse qyteti i Korçës është themeluar në shekujt V-VI, zona e Korçës e ndodhur në truallin historik të ilirëve është banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s. Gërmimet kanë nxjerrë në dritë varre dhe fortifikime ilire. Deri në vitin 650 p.e.s. fushëgropa e Korçës udhëhiqej nga një dinasti e Mbretërisë ilire, ndërkohë pas këtij viti u udhëhoq nga një dinasti Kaone. Gjatë kësaj periudhe , zona banohej më së shumti nga fise Kaone dhe Molose. Krahina e Korçës ra nën sundimin e perandorit bullgar Boriz në vitin 853. Ai formoi në këtë zonë njësinë administrative të emërtuar “Kutmicevicë”, që në shqip do të thotë “Tokë e porsa pushtuar”. Forcat bullgare qëndruan këtu deri në vitin 1018.

Në vitin 1440, zona e Korcës u pushtua nga osmanët. Ndërkohë që qyteti modern i Korçës u formua në shekullin XV, kur Iljaz bej Mirahori e zhvilloi Korçën sipas urdhrit të Sulltan Mehmeti II. Nën pushtimin osman, Korça njihej me emrin “Göricë” dhe ishte sanxhak i vilajetit të Manastirit. Por xhamia ishte ndërtimi i parë i Illjaz bej Mirahorit, sepse përreth lulëzoi Pazari i vjetër i Korçës. Qyteti nisi të lulëzojë pas bastisjes së Voskopojës nga osmanët në vitin 1788. Ndërmjet viteve 1769-1789 në Korçë erdhën shumë familje voskopojare të cilat i dhanë qytetit pak nga lavdia e Voskopojës. Në vitin 1783 qyteti u bë pjesë e Pashallëkut të Ali pashë Tepelenës. Gjatë shekullit XIX dhe fillim shekullit XX Korça u bë qendër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare. Kështu në vitin 1887 u hap shkolla e parë fillore në gjuhë shqipe nga Organizata Drita, ndërsa po në Korçë, në vitin 1891 u hap shkolla e parë për vajza nga familja Qirjazi. Në vitin 1968 ndërtesa u kthye në Muzeun e Arsimit.

Traditë dhe Kulturë

Korça përbën një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzetë e shumta në qytet përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj. Në këtë qytet është e mirënjohur shkolla e parë shqipe, e cila daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917. Edhe pse ndër vite qyteti ka qënë pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbëjnë një pjesë të vogël te kulturës korçare.

Korça ka tradita dhe zakone të veçanta, gjë që dëshmon se qyteti ka qenë një vatër rëndësishme e kulturës me shumëllojshmëri materialesh shpirtërore për popullin shqiptar. Dy nga veprat më të rëndësishme të folklorit shqiptar janë “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos dhe “Valët e Detit” e Spiro Dines.

Çdo qytet dhe krahinë në shekuj ka krijuar kulturën e vet. Kështu dhe populli i Korçës ka krijuar gojëdhëna, përralla, gjëegjëza, këngë, fjalë të urta të njohura në të gjithë vendin. Për to janë kryer studime dhe botime të ndryshme, që janë bërë të njohura e të dashura për shpirtin e shqiptarit dhe të korçarit.

Sa i përket veshjeve tradicionale, fustanellat, kallat dhe opingat me xhufka të zeza, karakterizonin veshjen e një burri, ku nuk mungonte dhe fesi me ngjyrë të bardhë në kokë. Ndërsa karakteristike për veshjen e grave ishte xhamadani dhe shamia e bardhë në kokë.

I njohur si një nga qytetet më të pasura me monumente kulture, Korça numëron rreth 110 të tillë, të cilët mbrohen nga shteti. Kjo dëshmon se qyteti në të kaluarën ka qenë vatër kryesore e kulturës materiale e shpirtërore. Muzeu i artit mesjetar shqiptar është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Ai përmban objekte me vlera artistike e shpirtërore që shkojnë deri në periudhën e Mesjetës. Në të ndodhen vepra të piktorëve të shquar shqiptarë si: Onufri, i biri i tij Nikolla, vëllezërit Athanas Zografi, Kostandin Jeromonaku nga Voskopoja, e shumë të tjerë. Vlen të përmendet këtu Muzeu Arkeologjik i Korcës si dhe Muzeu i Arsimit

Turizmi

Korça, përpos serenatave dhe këngëve të dashurisë që janë shpirti i qytetit, të ofron edhe një sërë alternativash për të vizituar.

Eventet e ndryshme apo vizitat në pesë muzetë e qytetit janë një alternativë për ata që preferojnë turizmin kulturor. Katedralja Ringjallja e Krishtit në Korçë është një tjetër atraksion turistik, brenda qytetit. Një katedrale që për nga përmasat cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë dhe më e madhja në Shqipëri. Ndërkohë i restauruar vitet e fundit, Pazari i Vjetër i Korçës është bërë qendra e vizitorëve të huaj dhe vendas. Ai mbetet një nga objektet me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Në qytetin e serenatave përveçse traditë dhe histori, për vizitorët ka dhe një risi që i është shtuar vitet e fundit, e ashtuquajtura “Red Tower” apo kulla panoramike, që ndodhet në qendër të sheshit “Andon Zako Çajupi”.

Atraksionet turistike me vlera të paçmuara që e pasurojnë edhe më shumë Korçën janë edhe fshatrat turistikë me natyrat e tyre piktoreske, ku vlen të përmenden Boboshtica, Dardha apo Voskopoja, ku turizmi familjar dhe temperaturat e freskëta i bëjnë këto fshatra të preferuara. Ndërkohë që sportet dimërore sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Vetëm 20 minuta larg qytetit të Korçës ndodhet Parku Kombëtar i Prespës, një nga parqet natyrore më të mëdhenj dhe impresionues të Shqipërisë që ia vlen të vizitohet, pa lënë mënjanë dhe dy liqenet e mrekullueshëm të Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël, të cilët prej pesë milion vitesh i bëjnë shoqëri njëri-tjetrit.

Arti i kulinarisë në Korcë është një arsye më shumë për ta vizituar këtë qytet. Gatimi i shpendëve dhe kafshëve të egra është kënaqësi më vete për ti provuar .

Ndërkohë zonat rreth Korçës njihen edhe për kuzhinën tradicionale të një niveli të lartë, falë tavernave ku gatuhet lakrori i pjekur në saç, petaniku apo petullat. (Elida Lazi)