Sivjet është 600-vjetori i ndërtimit të Pallatit Perandorak (Qytetit të Ndaluar) të Pekinit. Ai ka qenë pallati perandorak i dy dinastive të Kinës, Ming e Qing, dhe gjendet në qendër të kryeqytetit Pekin. Pallati Perandorak zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 720 mijë metrash katrorë, ndër të cilat sipërfaqja e ndërtimit arrin në rreth 150 mijë metra katrorë. Në tërë pallatin ka mbi 9000 dhoma, ndërsa tre sallat kryesore: “Taihe”, “Zhonghe” e “Baohe”, janë ndërtesat kryesore të tij. Ato ishin vendet ku punonte perandori dhe zhvilloheshin ceremonitë madhështore.

Pallati Perandorak i Pekinit u ndërtua nga perandori i dinastisë Ming, Zhu Di. Ndërtimi i tij nisi në vitin 1406 dhe përfundoi në vitin 1420. Zhu Di ishte djali i 4-t i perandorit themelues të dinastisë Ming, Zhu Yuanzhang. I parapëlqyeri i Zhu Yuanzhang-ut ishte djali i parë i tij, Zhu Biao, të cilin ai e caktoi në fillim si princ trashëgimtar. Por për fat të keq, Zhu Biao vdiq i ri nga sëmundja. Pas ndarjes nga jeta të Zhu Yuanzhang-ut, nipi i tij dhe biri i Zhu Biao-s, Zhu Yunwen, pasoi në fron. Ai është perandori “Jianwen” i dinastisë Ming.

Para se të vdiste, Zhu Yuanzhang-u i caktoi të bijtë të mbronin kufirin. Zhu Di përgjigjej për të mbrojtur krahinat kufitare përreth Pekinit të sotëm, duke pasur nën komandë trupa të shumta e të fuqishme. Pas ngjitjes në fron, perandori “Jianwen” ishte gjithmonë i shqetësuar për rebelimin e vëllezërve të të atit dhe mendonte se trupat e tyre përbënin kërcënim ndaj fronit të tij. Më pas, ai dha urdhër për pakësimin e trupave që komandonin xhaxhallarët, duke kufizuar të drejtat e tyre. Xhaxhallarët e perandorit “Jianwen” e pranuan urdhrin, me përjashtim të Zhu Di, që në korrik të vitit 1399 ngriti krye. Zhu Di ishte një gjeneral i shquar ushtarak. Trupat nën komandën e tij mposhtën trupat qendrore, duke kapur fronin. Zhu Di u bë perandori i tretë i dinastisë Ming dhe u quajt perandori “Yongle”.

Në fillim, Nankini ishte kryeqyteti i dinastisë Ming, por Zhu Di-së i pëlqente më shumë Pekini, ku kishte jetuar për shumë vjet. Disa vjet pas hipjes në fron, Zhu Di vendosi ta shpërngulë kryeqytetin në Pekin, duke dhënë urdhër për ndërtimin aty të Pallatit Perandorak.

Për të ndërtuar një pallat perandorak madhështor, Zhu Di rekrutoi punëtorë të talentuar prej mbarë vendit, duke mbledhur materialet e ndërtimit nga krahinat e ndryshme. Vetëm ky proces përgatitor zgjati 11 vjet. Mund të thuhet se Pallati Perandorak i Pekinit është një thesar kulturor që na ka lënë Zhu Di.

Sot Pallati Perandorak është një nga komplekset e ndërtesave prej druri me përmasat më të mëdha në botë dhe një nga tre pallatet kryesore perandorake të botës, së bashku me Pallatin e Versajës në Francë dhe Kremlinin në Rusi. Në vitin 1987 Pallati Perandorak i Pekinit u pranua në “Listën e trashëgimive kulturore botërore të UNESCO-s”.

Pas shembjes së dinastisë Qing, në vitin 1925 Pallati Perandorak i Pekinit u shndërrua në Muzeun e Pallatit Perandorak dhe u hap ndaj publikut, duke mos qenë më kështu “qytet i ndaluar”. Sipas statistikave, në këtë muze janë koleksionuar mbi 1.8 milionë relikte, që mbulojnë pothuajse tërë historinë e zhvillimit të qytetërimit të lashtë kinez dhe të gjithë gamën e llojeve, duke përfshirë pikturën, porcelanin, enët e bronzit etj. (Fani)