恐怖主义---[kǒng bù zhǔ yì]---terrorizëm

Në prag të 20-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, lufta e nisur nga ShBA-ja në Afganistan ka përfunduar me dështim. Në fund të tërheqjes së trupave amerikane, organizata ekstremiste ISIS ka bërë sulme me bomba, duke shkaktuar vdekjen e mbi 100 vetave, duke përfshirë edhe 13 ushtarë amerikanë.

Tani e gjithë bota po mendon: përse një “luftë antiterroriste” që zgjati për dy dekada, harxhoi mbi dy trilionë dollarë dhe shkaktoi vdekjen e mbi 20 mijë ushtarëve amerikanë, ka përfunduar me një humbje kaq të madhe?

Në tetor 2001, në emër të luftës kundër terrorizmit, ShBA-ja dërgoi trupa në Afganistan. Në atë kohë, komuniteti ndërkombëtar kishte të njëjtën kërkesë dhe shprehu simpati e përkrahje për veprimet e ShBA-së. Edhe pse ShBA-ja arriti të vrasë liderin e organizatës “Al-Kaeda”, Bin Laden, gjendja e antiterrorizmit nuk ndryshoi në mënyrë thelbësore. Gjatë 10 vjetëve të kaluar, vendet kryesore perëndimore pësuan sulme të rënda terroriste dhe veprimet terroriste në mbarë botën kanë qenë në rritje.

Disa analistë vënë në dukje që një nga arsyet kyçe është që ShBA-ja ka vendosur interesat e veta në plan të parë dhe ka injoruar kërkesat e vendeve dhe rajoneve të tjera, duke zbatuar standarde të ndryshme në gjykimin e terrorizmit dhe të veprimeve terroriste. Pikërisht, ky standard i dyfishtë ka ndihmuar në përhapjen e terrorizmit.

Në fakt, për veprimet ushtarake në Afganistan dhe Irak, politikanët amerikanë kanë bërë “llogaritje të ndërlikuara interesash”, duke pasur si qëllim që të lidhin ngushtë antiterrorizmin dhe hegjemonizmin me objektivat e ShBA-së për përmbysje nga pushteti në vende të tjera. Ky lloj antiterrorizmi ku përzihen interesat vetjake në fakt ka shtuar trazirat e konfliktet në disa vende dhe rajone, duke shkaktuar miliona të vdekur e të plagosur dhe një numër të madh refugjatësh. Por veprimet terroriste kanë vazhduar njëri pas tjetrit.

Prej shumë vitesh, ShBA-ja ka ruajtur “bashkëpunimin” me organizata terroriste vendore në Siri dhe Irak, me synim që të realizojë objektivat e saj gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Njerëzit pyesin se çfarë po bën ShBA-ja? Po e lufton apo po e nxit terrorizmin? Ekonomisti i njohur amerikan dhe drejtori i Qendrës së Studimeve për Zhvillim të Vazhdueshëm në Universitetin e Kolumbias, Jeffrey D. Sachs, vuri në dukje që vendet perëndimore, veçanërisht ShBA-ja, janë përgjegjëse për zhvillimin e shpejtë të ISIS-it dhe se krijimi i kësaj organizate simbolizon dështimin e politikës antiterroriste të ShBA-së.

Krahas kësaj, një veprim tjetër i rrezikshëm i ShBA-së është që, nën flamurin e antiterrorizmit, po e ndan kampin antiterrorist duke u mbështetur në ideologji dhe në mendësinë e Luftës së Ftohtë, duke zbatuar standard të dyfishtë, për të ruajtur hegjemonizmin amerikan. Kjo është jo vetëm përkrahje për terroristët, por edhe një dëm i madh ndaj bashkëpunimit global antiterrorist.

Vitet e fundit, me shtimin e kufizimeve strategjike nga ShBA-ja ndaj Kinës, veprimet antiterroriste janë bërë mjete politike të ShBA-së për konkurrimin mes fuqive të mëdha. Politikanët amerikanë e bëjnë syrin të verbër para krimeve terroriste vdekjeprurëse në Kinë dhe, me pretekstin e “të drejtave të njeriut” dhe “fesë”, kanë sulmuar dhe përbaltur masat e arsyeshme të qeverisë kineze kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Xinjiang. ShBA-ja jo vetëm shpalli heqjen e përcaktimit të Lëvizjes Islamike të Turkistanit Lindor (ETIM) si organizatë terroriste, por edhe hartoi projektligje përkatëse sanksionesh ndaj Kinës. Veprimet antiterroriste me standard të dyfishtë kanë lëkundur seriozisht bazën e besimit të vendeve te bashkëpunimi antiterrorist dhe kanë dëmtuar rëndë edhe vetë SHBA.

Terrorizmi është armiku i përbashkët i njerëzimit. ShBA-ja ka pësuar sulmet e 11 shtatorit dhe duhet ta kuptonte më mirë që shtimi i besimit të ndërsjellë dhe konsolidimi i unanimitetit është rruga e drejtë në luftën antiterroriste.