法律---[fǎ lǜ]---ligj

Më 27 shtator në mbrëmje, katër orë në prag të ndalimit të "TikTok"-ut në ShBA sipas urdhrit nga Departamenti amerikan i Tregtisë, gjykatësi Carl Nichols i distriktit të Kolumbias nënshkroi vendimin për pezullimin e ndalimit të "TikTok"-ut, por ruajti ndalimin e ofrimit të shërbimeve nga operatorët amerikanë për "TikTok"-un pas 12 nëntorit. Kjo do të thotë që aplikacioni kinez i videove të shkurtra ka fituar kohë "për të marrë frymë", por ende ka një përballje të vështirë me palën amerikane.

Vendimi i tanishëm është një tjetër “jo” ndaj urdhrit administrativ të politikanëve amerikanë ndaj ndërmarrjeve teknologjike kineze, pasi më parë edhe Gjykata Federale e Kalifornisë pezulloi ndalimin e "TikTok"-ut.

Në një koment të vetin, CMG-ja shprehet që kjo sërish tregon se pengesat nga qeveria amerikane ndaj ndërmarrjeve teknologjike kineze nuk kanë bazë ligjore, duke përbërë veprime hegjemoniste dhe duke zemëruar publikun.

Analistët theksojnë që qeveria amerikane deklaron që "TikTok"-u shpërdor informacionet e përdoruesve, por CIA është shprehur se nuk ka dëshmi që qeveria kineze po merr informacionet e përdoruesve nga "TikTok"-u.

Në seancën dëgjimore të 27 shtatorit, gjykatësi Nichols komentoi mbi urdhrin administrativ se, “së paku sipas fakteve të kam përpara, ky është një vendim i njëanshëm dhe pala e akuzuar nuk ka pasur shumë mundësi për t'u shprehur”. Çfarë mendon qeveria amerikane për këtë deklaratë, pyet CMG-ja në komentin e vet, duke shtuar se ShBA-ja flet shpesh për barazinë dhe sundimin e ligjit, por urdhri ekzekutiv nga presidenti nuk është dhënë sipas fakteve, por sipas gjykimeve të pabaza. Lideri shtetëror nuk e zbaton pushtetin e vet për t'i shërbyer popullit, por për interesat politike.

Në Shtetet e Bashkuara jo vetëm magnati i mediave Barry Diller i kundërshton veprime të tilla të qeverisë. Kohët e fundit, "NetChoice", një organizatë që përfaqëson "Amazon", "Google" dhe gjigandë të tjerë të internetit, deklaroi në një njoftim të gjykatës: "Në historinë e Shteteve të Bashkuara, nuk ka pasur kurrë një rast të ndalimit të plotë të një platforme mediatike. Kjo pengon drejtpërdrejt një të katërtën e popullsisë në ShBA për të marrë informacione në këtë platformë. ” Tani në ShBA "TikTok"-u ka më shumë se 50 milionë përdorues aktivë ditorë dhe 100 milionë përdorues aktivë në muaj. Kohët e fundit, përdoruesit amerikanë gjithashtu kanë nisur temën në internet "Shpëto 'TikTok'-un" për të shprehur qëndrimin e tyre.

Po të shohim nga perspektiva afatgjatë, shtypja nga qeveria amerikane ndaj kompanive kineze jo vetëm do të prishë rëndë rendin e tregut, por edhe do të dëmtojë imazhin e kompanive amerikane në konkurrencën ndërkombëtare dhe do të pengojë zhvillimin teknologjik të botës. Organizata "NetChoice" paralajmëroi se ndalimi i qeverisë amerikane ndaj "TikTok"-ut mund "të ofrojë arsye të reja për qeveritë e tjera që të ndalojnë hyrjen e kompanive teknologjike amerikane në tregjet e tyre". Nëse gjërat vazhdojnë kështu, kjo vetëm sa do të shtojë proteksionizmin dhe do të krijojë më shumë pengesa për rimëkëmbjen ekonomike globale.

CMG-ja mendon që, megjithëse vendimi nga gjykata federale ka krijuar një rast pushimi të përkohshëm për "TikTok"-un, gjendja e ardhshme do të jetë më e ndërlikuar dhe më e vështirë. ShBA-ja duhet ta kuptojë: Kina në asnjë mënyrë nuk do të dorëzohet para kërcënimeve dhe në mënyrë të domosdoshme do të marrë të gjitha masat e duhura për të ruajtur interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze. Historia ka provuar shumë herë që proteksionizmi dhe hegjemonizmi patjetër do të dështojnë.