对话---[duì huà]---Dialog

Zëvendëskryeministri i Kinës Liu He dhe zv.kryetari ekzekutiv i Komisionit Europian Valdis Dombrovskis bashkëkryesuan të martën dialogun e 8-të ekonomiko-tregtar të nivelit të lartë Kinë-BE, që u zhvillua në formën e një videokonference. Të dy palët diskutuan rreth temës "Hapja e një faze të re të bashkëpunimit Kinë-BE në epokën pas epidemisë, nxitja e rimëkëmbjes së qëndrueshme dhe e rritjes së ekonomisë globale", duke arritur një sërë rezultatesh të frytshme dhe konsensus në mjaft çështje.

Ky vit shënon 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së. Të dy palët janë të mendimit se, në sfondin e veçantë të epidemisë së re globale të pneumonisë së koronavirusit të ri dhe ndikimit të madh të saj mbi ekonominë botërore, dialogu ekonomik-tregtar i nivelit të lartë midis Kinës e BE-së ka rëndësi të madhe.

Të dy palët ranë dakord që të luajnë së bashku një rol më konstruktiv në bashkëpunimin global antiepidemik, të zbatojnë konsensusin e Samitit të Posaçëm të G20-s për COVID-19 dhe të mbështesin Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të luajtur një rol kryesor në promovimin dhe koordinimin e reagimit global ndaj COVID-19. Kina e BE-ja janë të gatshme të forcojnë më tej bashkëpunimin shumëpalësh dhe dypalësh në fushat e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, hulumtimit e prodhimit të vaksinave, parandalimit të sëmundjeve të reja infektive, biomjeksisë etj., si edhe rifillimit të punës e prodhimit dhe shkëmbimeve të personelit, që ta ndihmojnë bashkësinë ndërkombëtare për të kapërcyer sa më shpejt epideminë.

Kina dhe BE-ja ranë dakord të vazhdojnë të forcojnë bashkërendimin e politikave makroekonomike, të zbatojnë politika efektive financiare dhe monetare, të sigurojnë një qasje të drejtpërdrejtë më të efektshme në ekonominë reale, të ruajnë bashkërisht stabilitetin e ekonomisë e të financave globale e të pritshmërive të tregut dhe të promovojnë rimëkëmbjen e rritjes së ekonomisë globale. Ato do të marrin masa efektive për të garantuar funksionimin e qetë të tregtisë, do të sigurojnë furnizimin e gjithë gamës së produkteve industriale, do të promovojnë funksionimin normal të projekteve të investimeve dhe do të ruajnë sigurinë dhe stabilitetin e zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit. Të dy palët mbështesin ndërthurjen e nismës kineze "Një brez, një rrugë" me Strategjinë e Ndërlidhjes së Euroazisë të BE-së, dhe do të promovojnë në mënyrë aktive lidhjen dhe bashkëpunimin pragmatik mes tyre në tregjet e palëve të treta.

Në dialogun e 8-të ekonomiko-tregtar të nivelit të lartë, Kina dhe BE-ja pohuan gjithashtu plotësisht përparimin e rëndësishëm të bërë në negociatat për marrëveshjen e investimeve Kinë-BE, veçanërisht për çështjen e konkurrencës së ndershme. Ato do të vazhdojnë të forcojnë mbikëqyrjen e të përshpejtojnë diskutimin e çështjeve të mbetura, për t’i përfunduar negociatat brenda vitit, në përputhje me objektivat e përcaktuara nga udhëheqësit e të dy palëve, dhe për të arritur një marrëveshje të investimeve të nivelit të lartë.

Të dy palët riafirmuan mbështetjen e tyre të fortë për sistemin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar te rregullat me OBT-në në qendër, dhe kundërshtuan me vendosmëri unilateralizmin dhe proteksionizmin. Kina dhe BE-ja premtuan të hapin më tej tregjet e tyre ndaj njëra-tjetrës dhe të sigurojnë një mjedis tregtie e investimesh të drejtë e jodiskriminues për kompanitë e njëra-tjetrës.

Të dy palët premtuan të nxitin më tej bashkëpunimin me leverdi reciproke dhe hapjen e ndërsjellë të sektorit financiar. Kina mirëpret institucionet financiare evropiane të investojnë dhe të zhvillojnë biznes në Kinë. Pala evropiane është e gatshme të marrë në shqyrtim në mënyrë aktive heqjen ose lehtësimin e kërkesave rregullatore për degët e bankave kineze në Evropë. Të dy palët u angazhuan të vazhdojnë të promovojnë ndërkombëtarizimin e euros dhe renminbi-së.