Shqipëria sërish ka nisur nga 11 shkurti zbatimin e masave shtrënguese anticovid për një periudhë dyjavore si një përgjigje ndaj rritjes së numrit të infektimeve, por dhe dyshimeve të ekspertëve epidemiologë për ekzistencën në vend të varianteve të reja të Covid 19, atij britanik dhe jugafrikan.

Komiteti Teknik i Ekpsertëve në takimin e tij të fundit ka vlerësuar situatën epidemiologjike në vend dhe për këtë ministrja e shëndetësisë Manastirliu e ka paraqitur atë për medie:

“Ne jemi sot në një moment sa delikat, aq edhe të rëndësishëm. Ndodhemi në një situate kur dyshimet e arsyeshme na bëjnë të mendojmë se kemi një qarkullim të mutacioneve të reja të virusit Covid 19. Me gjasë prej këtyre varianteve të reja kemi dhe një shtim të ndjeshëm të infektueshmërisë. Jemi në një kohë kur kushtet atmosferike dhe jemi në mes të dimrit, e bëjnë edhe më të pavaforshme situatën. Jemi në një situate kur kemi një shtim të numri të infektimeve, ulje të moshë së të prekurve, si rrjedhojë dhe e rekaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit. Kjo si pasojë ka sjellë një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës sonë, të misioneve në banesë, të transferimeve në spitale, dhe ditët e fundit kjo është shoqëruar me shtim të rasteve në spitale dhe rritje të numrit të pacientëve në terapi intensive”, njoftoi ministrja Manastirliu.

Ministrja e shëndetësisë bëri publike masat shtrënguese anticovid, oraret dhe zonat që duhet t’i zbatojnë:

“Nga sot 11 shkurt, nis kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe kufizimi i aktivitetit të bareve, restoranteve, fast food dhe lokaleve, nga ora 20:00-06:00, në të gjithë vendin, deri në datën 25 shkurt. Shkollat e mesme do të zhvillojnë mësimin online në zonat me risk të lartë, në bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, deri në datën 26 Shkurt”, theksoi ministrja e shëndetësisë.

Lidhur me masat e reja shtrënguese për uljen e infektimeve në popullatë ka reaguar në medie epidemiologu Ilir Alimehmeti, sipas të cilit ato nuk janë të mjafrueshme. Ai propozon mbylljen për disa javë të transportit publik dhe të lokaleve, të cilat janë burimet kryesore të përhapjes së sëmundjes.

“Nëse bëhet bllokimi i shkollave pa diskutim duhet të bllokohet dhe transporti, sepse këtu është një risk shumë here më i madh. E nga kraku tjetër ulja me dy orë e kafeneve dhe restoranteve nuk bën shumë sens, por do të bënte sens më të madh që të mbështetej mire ky sektor dhe të kemi mundësi që për 2,3 apo katër javë të jenë të mbyllura. Ky është një efekt madhor”, u shpreh epidemiologu Alimehmeti.

Nga përditësimi i të dhënave zyrtare rreth situates së Covid 19 në Shqipëri nësohet se deri tani më shumë se 88 mijë persona janë të prekur nga koronavirusi në të gjithë vendin. Sipas epidemiologut Alimehmeti nëse ecet me këto ritme vaksinimi, shqiptarët do të arrijnë më herët imunizimin natyral, duke kaluar koronavirusin dhe rrezikun e pasojave prej tij.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi lidhur me masat e reja shtrënguese anticovid dhe ndikimin e tyre në sistemin arsimor u shpreh në një intervistë televizive se departamentet e universiteteve do të hartojnë shumë shpejt një rregullore për të garantuar mbarëvajtjen e procesit akademik.

Ajo njoftoi se provimet e studentëve do të zhvillohen të alternuar, një pjesë online dhe një pjesë në auditorë.


“Kemi kërkuar që sezoni i provimeve të jetë më i gjatë se herët e tjera, të jetë mbi 45 ditë, në mënyrë që të garantohet distancë kohore midis dy provimeve të njëpasnjëshme. Kjo edhe për të mos lejuar mbipopullimin e auditorëve, por edhe për t’i dhënë mundësi studentëve që të përgatiten më mirë për provime”, tha Kushi.

Kushi nënvizoi se, “universitetet mund t’i ofrojnë edhe një sezon shtesë, që mund të jetë në prill, mund të jetë në maj, në varësi të situatës së pandemisë, për t’ua ofruar këtë mundësi studentëve që e kanë të pamundur këtë sezon qoftë online, qoftë në auditore.”(Eda Merepeza)