A mund të na tregosh gjendjen e funksioninimit të pavijonit shqiptar gjatë 2 muajve të fundit?
Kleves(K): Së pari doja t'ju falenderoja për intervistën, është një kënaqësi që ndodheni përsëri në pavijonin tonë dhe mbi të gjitha unë doja ta filloja nga Dita Kombëtare e Shqipërisë, pra 5 maji.
E kam shprehur dhe dua ta theksoj përsëri që, të kesh ditën e parë kombëtare krejtësisht për vete në një kompeticion të tillë siç është EXPO Shangai dhe për herë të parë siç ndodheshim neve është një nder i veçantë. Për mua është një krenari kombëtare por edhe një sfidë personale.
Pra, e gjithë vemendja ishte drejtuar drejt nesh sepse ishte dita e parë e hapjes dhe ishte vërtetë një sfidë shumë e fuqishme. Kjo më bëri që ta marr seriozisht këtë punë dhe të dedikohem bashkë me stafin shqiptar për të dhënë më tepër.
Pjesëmarrja e vizitorëve kinezë dhe atyre të huaj ka qenë gjithmonë në rritje, në fillim javët e para numri i tyre shkonte në 7 mijë apo 8 mijë, ndërkohë që ky numër ka arritur të dyfishohet gjatë këtyre muajve të fundit. Në bazë të llogaritjeve që kemi bërë ne si pavijon, ky numër ka shkuar deri në 15 mijë vizitorë në ditë, dhe ky fluks është një arritje e veçantë jo vetëm për EXPO Shangain 2010 por edhe për neve si pavijon shqiptar. Nuk duhet të harrojmë dhe faktin që Kina dhe Shqipëria kanë pas raporte dhe i kanë akoma shumë të mira në arenën ndërkombëtare dhe midis 2 popujve. Pra, populli kinez dhe vizitorët që vijnë në pavijonin tonë kanë një interes të veçantë për Shqipërinë dhe neve kemi disa sfida dhe plane për të ardhmen të cilat unë do t'i rendis më poshtë.
Ti përmende ca plane për të ardhmen, a mund të na tregosh ca prej tyre?
K: Le te themi që është një plan afatmesëm për të tërhequr turistët kinezë të vijnë në Shqipëri. Të bësh një udhëtim mbi 10 orë për të ardhur në Shqipëri duhet ta bindesh mirë turistin kinez që të vijë atje, kështu që ne menduam që do të ishte zgjidhja më e mirë që të kemi një bashkëpunim midis shteteve fqinje siç është Maqedonia, Mali i Zi apo Greqia.
Pra, nëse neve bindim një turist kinez të vijë në Shqipëri, ai do të ketë një guidë disa ditore apo 1- javore, varet nga ajo që ai zgjedh për të vizituar disa shtete njëherësh. E veçanta e Shqipërisë në krahasim me shtetet e tjera është sepse ne kemi edhe turizëm malor edhe bregdetar dhe mbi të gjitha vlen të theksohet se bukuria natyrore e Shqipërisë dhe pjesa e virgjër e saj në veriun e Shqipërisë madje dhe në jug, në bregdet. Kjo mendoj se është pika e fortë me të cilën ne mund të tërheqim turistët kinezë, ndërsa përsa i përket investitorëve të huaj dhe kryesisht atyre kinezë mendoj që janë disa plane dhe është në diskutim e sipër bashkëpunimi ndërqeveritar për të tërhequr investitorët kinezë të investojnë në fushën e minierave apo në atë energjitike në Shqipëri.
Mendoj se kjo është akoma në fazën e diskutimeve dhe unë nuk dua të hyj në detaje të mëtejshme, dhe ka pasur disa kompani kineze të interesuara për tregun shqiptar.