Drejtuesja ka statusin më të lartë në strukturën e kanalit të vet. Të ashtuquajturit "shtëpiak" ose "shtëpiake" kontrollojnë sjelljen dhe gjuhën e vizitorëve. Ata kanë autoritetin për të larguar ndonjë që fyen drejtuesit e emisioneve ose vizitorët e tjerë. Nxitëset e tifozave synojnë të sjellin sa më shumë vizitorë në program, të promovojnë drejtuesin a drejtuesen e programit dhe të krijojnë një atmosferë sa më të gjallë. Mbledhësit e fondeve përpiqen t'i bëjnë vizitorët të dërgojnë dhurata virtuale dhe t'i bindin vizitorët më të pasur të bëjnë dhurata të mëdha. Të gjitha këto detyra kryhen nga pjesëtarët e audiencës dhe caktohen nga drejtuesi ose drejtuesja e emisionit.
"Audienca përbëhet kryesisht nga të rinj dhe që janë kundër traditës. Atyre nuk u pëlqen që t'ua caktojnë të tjerët se kush është yll e kush jo. Ata thonë kështu: 'Hej, më pëlqen ky njeri, jam rritur me të.' Në të vërtetë, ne krijuam një ndryshim të madh në industrinë muzikore. Më përpara vetëm njerëzit e famshëm kishin adhurues, pra duhej të bëheshe i famshëm dhe pastaj të kishe adhurues, por ne bëmë një ndryshim të madh. Tani duhet të kesh adhurues dhe të ngjitesh në njëfarë shkalle përpara se të bëhesh i famshëm. Ne përmbysëm logjikën," vëren Li Xihao, menaxheri i Kompanisë së Kulturës "Xinghuo".
YY ka kontrata me dhjetëra agjenci dhe me mijëra drejtues e drejtuesesh. Ndër këto agjenci, ajo e quajtur "2080" vlerësohet si më legjendarja nga shumë këngëtarë në internet. "2080"-a u krijua nga Ye Fei, që ishte një lojtar i pasionuar dhe adhurues muzike në "YY". Ai ishte i pari që drejtoi kanale muzikore në platformë dhe tani është menaxher i mijëra artistëve në mbarë Kinën.
"Shumë artistë e kishin problem sigurimin e bukës së gojës, por duke përdorur internetin, fillimisht ata mund të sigurojnë një jetë për të qenë dhe më pas t'i përdorin paratë për të rritur më tej cilësinë. Kjo mund t'i zgjidhë problemet e të ardhurave të tyre, të paktën në fillim të karrierës," vë në dukje Ye Fei.
Në epokën e internetit të lëvizshëm, gjithçka për të cilat ka nevojë dikush që të shfaqë programet e veta janë një laptop dhe një lidhje jokabllore me internetin ose rrjet 4G. Nuk ka rëndësi se ku janë shikuesit apo çfarë pajisjeje përdorin për të parë shfaqjen.
"Krijueshmëria është kudo dhe gjithkush ka krijueshmëri," vë në dukje Li Xihao, "por puna është se kjo krijueshmëri duhet menaxhuar. Askush për shembull nuk e ka përcaktuar se çfarë është një video e përshtatshme apo e papërshtatshme. Prandaj ne përcaktuam vetë një varg rregullash, si për shembull, si duhet të qëndrojnë drejtuesit gjatë transmetimit. Ata duhet të qëndrojnë ulur, dhe nëse ngrihen, u hiqen pikë."
Kompania YY ka shquar edhe një treg tjetër: arsimimin në internet. "Ne kemi shumë këngëtarë që këndojnë në platformën tonë, por më vonë zbuluam se edhe disa mësues po i përdornin materialet tona. Hasa një mësues që jep mësimin e japonishtes në platformën tonë, dhe fitonte shumë. Kështu që edhe mësuesit e kanë pikasur këtë mundësi. Ne pyetëm veten nëse nxënësit do të ishin të gatshëm t'u jepnin dhurata mësuesve, të paguanin për të mësuar," shprehet Li Xihao, menaxheri i Kompanisë së Kulturës "Xinghuo".
YY-ja ka krijuar një uebsajt të veçantë ku mësuesit mund të japin mësim drejtpërdrejt. Menaxherët e kompanisë shprehen se ky biznes kërkon kohë për t'u rritur, po megjithatë rritja është diçka që YY-ja e njeh mirë.