20150609hpYY |
26-vjeçarja Chen Mijia dikur e nxirrte jetesën e saj duke gatuar ëmbëlsira dhe ushqime të tjera me porosi, të cilat i dërgonte nëpër shtëpitë në blloqet e afërta të banimit. Por sot ajo është diçka tjetër. Fill sapo hyn në një platformë sociale në internet, të quajtur "YY," Chen Mijia, e njohur tashmë si Dami, kthehet në një drejtuese joshëse për miliona vizitorë të internetit.
Gjithçka nisi në shkurt të këtij viti.
"Nuk e kisha hapur mikroblogun prej disa kohësh," kujton Chen Mijia, "kur pashë aty mesazhe si: 'A je e interesuar për punë me kohë të pjesshme? Mund ta bësh atë në shtëpi'. Më pëlqen të punoj në shtëpi, kështu që shkova për intervistën e punës".
Chen Mijia arriti të punësohet pas asaj interviste. Ajo mund ta bëjë transmetimin në internet në studion e vogël në shtëpinë e saj. Nuk ka kritere për audiencën e programit të saj, për gjatësinë ose përmbajtjen e tij.
Chen Mijia-së audienca i dhuron lule, shishe parfumi etj., të gjitha virtuale, dhe këto dhurata shndërrohen automatikisht në para dhe futen në llogarinë e saj bankare çdo muaj nëpërmjet një sistemi kompjuterik.
"Fitova vetëm 1 juan dhe 20 centë në ditën e parë të emisionit tim. Nuk e kisha vërtet idenë se si funksionin gjërat. Ndonëse kompania më trajnoi për përdorimin e programit kompjuterik, përsëri nuk dija shumë gjëra në ditën e parë. Nuk e dija sa veta po më ndiqnin. Askush nuk më tha gjë. E pyeta pronarin tim: 'Çfarë duhet të bëj?' Ai m'u përgjigj: 'Vetëm këndo.' Dhe kështu unë këndova gjithë natën," kujton ajo.
Dami fitoi vetëm 90 juanë (më pak se 15 dollarë) në muajin e parë të fillimit të programit të vet në internet, por në të tretin kishte bërë tashmë disa mijëra juanë.
Çdo dhuratë virtuale që i jep një drejtueseje a drejtuesi programi në interneti kushton një përdoruesi 10 qindarka të juanit kinez, domethënë më pak se dy centë të dollarit amerikan. YY.com merr 50 për qind të vlerës, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë mes drejtueses a drejtuesit të programitdhe agjencisë që e trajnon, në një raport 70/30.
YY fitoi mbi 3.6 miliardë juanë në vitin 2013, më shumë se gjysma e të cilave nga dhuratat virtuale që blejnë dhe dërgojnë përdoruesit e internetit.
Në të vërtetë, YY u krijua si një kompani lojërash në internet në vitin 2005. Ajo krijoi një lojë që u bë popullore për miliona përdorues interneti. Muzika dhe llojet e tjera të zbavitjes nuk ishin diçka ku YY kishte pasur ndër mend të përfshihej kur u krijua.