"Në atë kohë ne të gjithë luanim në internet. Kuptuam se ishte ishte shumë e vështirë të organizoje 40-50 veta që luanin bashkë, prandaj krijuam një program, ku njëri jepte urdhrat dhe të tjerët e ndiqnin, dhe nëse kishe ndonjë ngut, mund të flisje. Duke i organizuar lojtarët në këtë mënyrë, ne ndryshuam mënyrën si nisën të luheshin lojërat në internet," shprehet CEO i YY-së Li Xueling.
Programuesit e YY-së panë se disa nga lojtarët e përdornin programin për t'u kënduar shokëve të tyre në platformë, madje edhe bënin garë kush këndonte më mirë.
"Ne krijuam një funksion që lojtarët të votonin për këngëtarin e tyre të parapëlqyer në bazë mujore, domethënë ata mund të jepnin vetëm një votë në muaj. Por pamë se disa donin të votonin shumë herë, kështu që ata nisën të paguanin të tjerë për të votuar. Madje zbuluam se disa përdorën identitetin e të tjerëve për të votuar. Menduam që, në vend të përvetësimit të kaq shumë identiteteve, pse të mos jepnim mundësinë për blerjen e votave," tregon Li Xueling.
Dhe kështu vota mujore u bë forma e hershme e dhuratave virtuale, si edhe modeli i biznesit që YY përdori për të fituar para nga zbavitja në internet.
Në vitin 2014, uebsajti YY.com tërhoqi 120 milionë përdorues aktivë në muaj, që kaluan aty mesatarisht 48 orë në muaj.
"Një biznes të tillë nuk e hasim ende në ShBA apo në Europë," vëren tha Eric Ho, kryezyrtari financiar i YY-së. "Për shkak se zhvillimi i shpejtë i ekonomisë në Azi ka krijuar shumë të pasur, një pjesë e mirë e të cilëve janë relativisht të rinj, dhe kushtet e tyre të jetesës kur ishin fëmijë ishin krejtësisht të ndryshme nga kushtet që kanë sot, ata e ndiejnë nevojën për t'u thënë njerëzve: 'Unë ia kam dalë!' Prandaj, mendoj se kjo është psikologjia."
Për sa i përket ndarjes së të ardhurave të YY-së vitin e kaluar, 57 % e tyre erdhën pikërisht nga muzika dhe zbavitja në internet, ndërsa lojërat në internet, që dikur ishin burimi kryesor i të ardhurave për kompaninë, zunë më pak se një të katërtën, vetëm 22 %, ndërkohë që pjesa tjetër e të ardhurave ishte nga pagesa e regjistrimit, shërbimet e njohjeve e të tjera dhe reklamat në internet.
Chen Bilu, e njohur si Lulu, transmeton më shumë se 6 orë në ditë dhe e përdor kohën e lirë për të përmirësuar aftësinë e vet në performim.
Ajo studioi kontabilitet në një kolegj privat në Guangzhou, por nuk ishte e interesuar për të vijuar në degën që i zgjodhi i ati. Ajo ka tashmë përkrahjen e së ëmës për punën që bën, por ende nuk i ka thënë gjë të atit. Për 83 mijë të regjistruarit e saj Lulu është një yll. Lulu tani fiton 20 mijë juanë në muaj pas 6 muajsh transmetimi në internet. Sa dhurata e përdorues duhen për të bërë 20 mijë juanë në muaj?
"Dhurata më e madhe që kam marrë, ishte me vlerë më shumë se 10 000 juanë. Ishte pikërisht fundi i muajit, por unë ende nuk e kisha kaluar kuotën që duhej të realizoja. Pastaj, një vizitor i cili kishte ardhur në kanalin tim përpara, më ndihmoi ta kaloj pragun vetëm në një sekondë," rrëfen bukuroshja Lulu me të qeshur.