II.Kina, automjete vendëse për prokurimin publik
Kohët e fundit, në uebsajtin zyrtar të Ministrisë kineze të Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit është publikuar një projekt i sivjetshëm mbi listën e blerjeve të automjeteve të prokurimit publik nga organet partiake dhe shtetërore. Në këtë listë vihet re se janë përfshirë mbi 400 lloje automjetesh të prodhura nga vet Kina, kurse automjetet e prodhuara nga ndërmarrjet me fonde të huaja dhe me fonde të përbashkëta kineze dhe të huaja nuk janë në këtë listë.
Mediet vunë në dukje se në zërat kryesore të shpenzimeve për prokurimin publik të dikastereve të niveleve të ndryshme, ai për shpenzimet e automjeteve të shërbimit publik ka zënë përqindjen më të madhe duke arritur nga 70 deri 80 për qind. Tani, administratat vendore të niveleve të ndryshme të Kinës kanë mbi 2 milionë automjete të shërbimit publik dhe kjo shifër po rritet çdo vit 20 për qind. Mes tyre, automjetet e markave të huaja kanë zënë 90 për qind nga të cilat ka edhe shumë automjete luksoze si Audi, Benz etj. Përveç çmimeve të larta të këtyre automjeteve të markave të huaja, shpenzimet e tjera janë gjithashtu të larta dhe si rrjedhim, shpenzimet vjetore të automjeteve të shërbimit publik të Kinës arritën në shifrat nga 50 deri në 200 miliardë juanë. Prandaj, shpenzimet e tepërta për automjete të shërbimit publik dhe dukuria e korrupsionit e lidhur me to janë kritikuar gjithmonë nga opinioni dhe kështu reformimi i politikës për blerjen e automjeteve të shërbimit publik ka qenë vazhdimisht në rendin e ditës dhe janë marrë pandërprerë masa lidhur me këtë.
Në vitin 2009, në "Ligjin mbi blerjet qeveritare" të Kinës përcaktohet se automjetet për shërbim publik të markave kineze nuk duhet të zënë më pak se 50 për qind. Në vitin 2011, Kina ka bërë një kufizim për fuqinë dhe çmimin e automjeteve të shërbimit publik.
Profesori Wang Ban pranë Universitetit të Ekonomisë të Henan-it analizoi se përdorimi i automjeteve vendëse aplikohet sot në shumë vende të botës. Tani, SHBA-ja, Koreja e Jugut, Japonia etj, përdorin automjetet vendëse për shërbimin publik.
Zuo Yanan, drejtori i grupit të automjeteve Gjianhuai, është i mendimit se futja në treg e markave të reja kineze të automjeteve të shërbimit publik është shumë e rëndësishme për prodhimin vendës. Automjetet e markave kineze duhet të kapen pas këtij rasti, të rrisin nivelin e teknologjisë dhe të forcojnë aftësinë konkurruese.
Reforma e shërbimit publik të automjeteve është një punë sistematike. Pastaj, nevojitet që dikasteret e niveleve të ndryshme dhe masa e taksapaguesve të nxiten për të patur nën kontroll dhe për të zhvilluar një politikë më të drejtë. (Du/Albana)