Viti e Ri kinez njihet edhe si Festa e Pranverës dhe është festa më e rëndësishme ndër të gjitha festat në Kinë.
Kinezët përgatiten të festojnë ndërrimin e viteve, që këtë vit ndërrohet më 10 shkurt, e ku do të kalohet nga viti i Dragoit tek viti i Gjarprit.
Viti i Ri kinez përkon me hënën e re të dytë pas solsticit të dimrit. Kalendari hënor kinez mbështetet në ndërthurjen e lëvizjeve të hënës e të diellit.
Ashtu si edhe në Shqipëri, shtëpitë pastrohen fund e krye para ardhjes së Vitit të Ri, për të fshirë çdo gjurmë të fatit të keq, ndërsa dyerve e dritareve u jepet një dorë e re boje, zakonisht e kuqe. Mandej ato zbukurohen me figura prej letre dhe me vargje me tema të tilla si lumturia, shëndeti e jetëgjatësia të shkruara në to.
Viti i Ri është një festë familjare e shihet si një rast për t'u mbledhur të gjithë bashkë, pak a shumë si Krishtlindjet në Perëndim. Ata që jetojnë larg shtëpisë kthehen pranë familjeve të tyre. Aeroportet, stacionet e trenave e të autobusëve të linjave të largëta mbipopullohen nga njerëzit.
Nata e vigjiljes së Vitit të Ri është ndoshta pjesa më interesante e të gjithë festës. Këtu traditat dhe ritualet zbatohen me shumë kujdes, duke filluar që nga ushqimi e deri te veshjet. Darka është më e pasur se në ditët e zakonshme. Në të ka ushqime deti e ushqime të tjera karakteristike kineze, si baozi e jiaozi, që shënojnë urime të ndryshme. P. sh. karkalecat e detit lidhen me jetëgjatësinë e lumturinë, stridhet e thara (ose ho xi) me të gjitha gjërat e mira, sallata me peshk të pagatuar ose yu sheng me fatin e mirë e mbarësinë, kurse jiaozi përfaqëson një urim për familjen. Zakonisht vishet diçka e kuqe, meqë kjo ngjyrë besohet se largon shpirtrat e këqija. Pas darkës, familja ulet për të luajtur me letra a me ndonjë lojë tjetër, për të biseduar ose për të parë në televizor emisionet e përgatitura enkas për festën. Atmosfera e gjallë festive "derdhet" edhe në rrugë, ku krahas të tjerash bëhen edhe lloje të ndryshme kërcimesh, si kërcimi i dragoit. kërcimi i gjarprit etj.